PËR PAK DEMOKRACI DIREKTE

Nga Zef Zefi

Duke interpretuar postimin e një mikut tim (N.M) shqetësimin e tij, lidhur me “vendnumëro-në” e aksionit opozitar, opozita qytetare, me lirinë e garantuar kushtetuese të fjalës duhet të përballet vetë (jo si antimitingashet e PS),
me rrenat e pacipa të çdo formacioni politik, që vjen të mbulojë me fjalë të bukura, katatstrofën dhe mizerjen aktuale të vendit.

Mos u trembni zotnij intelektualë, nëpunës të çdo institucioni, juve nuk ju ka marrë në punë asnjë Qeveri, asnjë parti. Ju jeni të punësuar nga taksapaguesi, njëlloj si Qeveria dhe partitë.
E jo për ti shërbyer asnjë qeverie në botë, asnjë shefi e asnje partie, po familjes suaj dhe atij që ju paguan pra popullit punëdhënes.

Demagogët që vijnë t’ju lavazhojnë trurin, me mbledhje “fronti” a “forma edukimi,” janë veçse të punësuar, jo punëdhënës, taksambledhës, taksa administrues, ashtu si ju. E gjitha kjo kundrejt një kontrate politike e administrative dhe sanksioneve përkatëse të rregulluara me kushtetutë.
Kryeministri, Ministri pompoz demagogu fjalëbukur e punë-zi i radhës që ju mban fjalime, është thjesht një arkëtar që ben listëpagesat e shpërndan rrogat, mbasi ka mbledhur taksat tuaja.

Sot nuk mungon informacioni, siç nuk mungon dhe dezinformacioni që buron kryesisht nga kthinat e pushtetit.
Ndaj merrni pjesë në mbledhjet e tyre dhe:

-Pyeteni demagogun me skortë, për mungesën e investimeve, për administrimin e keq të të ardhurave, per vjedhjen e taksave tuaja në favor të PPP-ve dhe oligarkëve, rritjen e defiçitit buxhetor, rritjen e borxhit publik.
Pyeteni Kryeministrin pa hezitim se sa është borxhi që Qeveria e tij, i ka vënë në qafë çdo bukëngrënësi sot, apo i bijëve e nipave tanë që sapo janë lindur apo do të lindin.

-Pyeteni pse janë dy apo trefishuar taksat, pa u konvertuar ato në sherbime, vende të reja pune, rritje konsumi, rritje të tregut të vogël e të mesëm, apo investime infrastrukturore, sipas kontratës se partise se Tij me votuesin.

-Pyeteni demagogun për kriminalizimin e institucioneve; kriminalizimin e Parlamentit, kriminalizimin e Minstrisë së Brendshme, kriminalizimin e pushtetit vendor. Kriminalizimin e fukarejve nëpërmjet hapjes se “fermave” qeveritare të drogës.

-Pyeteni demagogun për shendetësinë falas, që mjekut publik i duhet paguar jo veç rroga, po dhe bakshishi që e kalon rrogen e tij veç për një vizitë a ndërhyrje. Shkollat që në vend të jenë publike, janë bërë socialiste. Dritat që vijnë e ikin me urdhër partie, ujin me racion që vjen e iken me orar partie e infinit…

-Pa e atakuar në miqësitë e Tij edhe me djallin, apo me antishqiptarin më të tërbuar, pyeteni demagogun për drejtimin e mbrapësht aziatik, që ka marrë Shqipëria kundër vullnetit qytetar mbareshqiptar që aspiron Europën dhe Amerikën, emancipimin dhe demokracinë Perëndimore.

-Në fund mes mijëra pyetjesh të tjera që kush ma mirë se ju i di, pyeteni demagogun edhe nëse e di se kjo “qeverisja me qytetarin” nuk është një shpikje e gjenisë së tij.
Se politikat “mesianike” janë lindur e konsumuar qysh në mesjetë në Perëndim. Ndersa në epokën moderne këto demokratura i aplikojnë miqtë e tij personal Erdogan, Putin, Vuçiq etj.

Përgjigjet e demagogut pritini me durim, s’ka gajle se llap, por këmbëngulni të merrni përgjigjen.
Nëse jo, domate, vezë e patate importi të prishura ka boll, mos u kurseni, jepjani me vete, mbushjani makinën dhe xhepat me to.
Nëse demagogu ynë i refuzon me “politesë”, i thoni se meqënëse demokracia me perfaqësim nuk po funksionon, kjo është demokracia direkte dhe e parefuzueshme.
ZEF ZEFI