PËR NJË LEXIM VOTE

Nga Zef Zefi

Në përgjithësi vota vendore nuk përkthehet as nuk duhet përkthyer në votë domosdoshmërisht politike, sado të elektrizuara politikisht mund të bëhen fushatat.
Kjo ndodh edhe në vendet e tjera me demokraci të konsoliduara. Faktorët që ndikojnë në këtë janë të panumërt e gjithëduarsh.

Para katër vjetësh mbasi u zgjodh “tironci” i sotëm socialist në Mirditë, më qëlloi të isha në Rreshen.
Diferenca humbëse e kandidatit të Partisë Demokratike ishte e rëndë, i pakrahasueshëm me çdo rezultat të 24 viteve të deri atëhershëm.
Ndersa nga ana tjetër fitorja kandidatit socialist shkëlqente, siç është legjitime.

Kryetari aktual i Bashkisë e kishte kaluar e lënë pas edhe Termetin socialist te Shefqet Peçit, habilit apo tahirizmit në Tepelenë.

“Nuk është parë kështu, heu!” Turfullonte i shqetsuar një mik që me sa dija unë më parë kishte qënë edhe drejtues forumesh në zona. “Këta s’janë kerkund, nuk mund të humbte PD-ja në kët’farë feje.”
Nuk po e kuptoja referencën e përemrit deftor, përderisa konotacioni ishte në shumës dhe i pacaktuar.

Humbësi natyrisht ka njëmijë arsye të kërkojë shkaqet, autorët apo aktoret brenda apo jashtë skuadres së vet.

Në ajrin e PD ndjeheshin përveç pezmatimit edhe kritika të adresuara palësh nën zë dhe hapur. Përmendeshin emra, grupe, grupazhe drejtuesish që gëzonin simpatinë, joshjen ndoshta dhe ndonjë premtim të kandidatit kundërshtar. Kishte emra anetaresh ose ish funksionarësh të PD që kishin zgjedhur “termetin” e socializmit. Zgjedhje sipas meje e padenjë politikisht, po gjithësesi korrekte, kur kjo bëhet hapur dhe nën pergjegjësinë personale publike.

Gjithkush mund të ndërrojë mendje, ide, parti apo ideologji në hapsirën demokratike në pershtatje me prioritetet ose humorin e vet politik, te cilët marrin përsipër të ballafaqohen me statutin e kolibes politike nga janë larguar dhe per ku janë nisur.

Precedentë me driblime të tilla ka dhe do të ketë sidomos në kuadrin lokal. E në përgjithësi kandidatet me te favorizuar në ketë “peshkime” mbeten ata që kanë mbas krahëve Qeverinë qendrore.

Mbas vemendjes sime për të mësuar më shumë, diku e drejtoi gishtin bashkëbiseduesi, duke nënvizuar cilësitë minore sipas tij të kandidatit që ky duhet të votonte, si në raport me figura të tjera brenda Pd e sidomos në raport me “termetin” socialist.
Kështu sipas mikut bashkëbisedues me disa demokratë të tjerë të rëndësishëm nuk mund të bënin fushatë e aq më pak ta votonin këtë kandidat. Mirëpo pohimi i mëparshëm se ai kishte votuar pra se nuk kishte abstenuar, konfirmonte se ai me “grupin” apo grupet e tij, votën e kishin nisur tek fituesi.
Mbasi ia thashë këtë konstatim e mbylli me një nejse, duke shtuar se mezi po priste analizën e humbjes që do të behej në forumet e PD.
I thashë se sipas meje analizën e humbjes le ta bëjnë ata që kanë votuar e mbështetur humbësin. Kurse personave apo grupeve që kanë votuar fituesin, duhet të mos mungojnë në analizën e grupit dhe kandidatit fitues.

As nuk e kam idenë se ku janë mbledhur për analiza “grupet…” në fjalë tek humbësat apo fituesit, ndoshta tek të dyja, por do të isha kurioz nëse “termeti” socialist ua ka realizuar pritshmëritë e tyre politike apo personale.

Sidoqoftë një lexim qoftë dhe empirik i votës u duhet forumeve politike lokale sidomos përpara nxehjes së motorëve për fushatën që po mbërrin.

Është e domosdoshme, qoftë dhe ashtu thjesht sa për evidencë.