PENGJET E URREJTJES

Nga Av . Xhafer Sadiku

Sa më shumë kalojnë vitet aq më të afërta na bëhen kujtimet dhe nuk janë të pakta ato që na lëndojnë. Kush ka patur fatin e keq të jetë skeduar nga regjimi komunist si “kontigjente të hapura armike”, duket se e ndjek urrejtja e verbër e militantëve të regjimit, edhe pse kohët kanë ndryshuar dhe statusi social i tyre nuk është më i njëjti. Këtë gjendje kam patur rast ta përjetoj disa herë, sidomos para e pas zgjedhjeve.
Për të mos e zgjatur, dy ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, për arsye pune m’u desh të shkoja në Përmet. Rrugës për tek bashkia, ku kisha punë, do të kalosh sheshin kryesor të qytetit ku atë ditë festonin fitoren mbështetësit e PS, madje njëri filloi të më provokonte. M’u kujtuan vitet kur të parët e tyre masakruan familjen time, gjatë luftës së klases. Ata nuk kishin harruar asgjë, madje hiqeshin triumfatorë përballë meje. Duket se kishin mendësinë e viteve 1970 dhe sikur jetonin në Përmetin e asaj kohe. Në atë grumbull ishin edhe disa nga miqtë e familjes time. Ishin me ata. Tërë jetën me ata.
Tej, tek shatërvani takova dy të persekutuar, baballarët e të cilve kishin qenë në burgje. Ishin të trembur deri në palcë nga fryma e terrorizmit majtist që frynte në Përmet. Edhe pse votat ishin të fshehta, i identifikonin si njerëz të Berishës. Mu duk sikur donin të ndanin me mua peshën e terrorit që përcillnin larot mbi nervat e tyre. Kishin të drejtë, unë e ndjeva për tre ore sa qëndrova me ta. Në ato çaste mu kujtuan fjalet e Baba All Tomorrit: “Fqinjët armikër janë/cilën shpresë kemi ndër miqtë/ dhe të dashurit nge s’kanë/ se i mundojnë të ligjtë’.
Mbas dreke u nisa për në Tiranë, por sa zbrita për një kafe në Këlcyrë, atje ishte edhe me keq. “E shikon! Ja, si u përmbysëm”, – mu drejtua një burrë, pa më përshëndetur. Kisha vite pa e parë. U befasova; ku jetojnë këta njerëz! Mu desh të mbrohesha: O i mjerë, unë jam vet pjesë e ekzekutivit, jam përmbarues gjyqësor.
Më pushtoi trishtimi, jo për vete dhe miqtë e mij që jetojnë atje, më erdhi keq për këta të mjerë që kanë mbetur pengje të urrejtjes; të urrejtjes kundër “armikut të klasës”. Dhe këtë frymë urrejtje e mbartin me vehte, kudo që shkojnë, madje edhe kur jetojnë në Perëndim.
Edhe pse kanë kaluar vite, edhe pse janë ndryshuar tre breza, ata mbeten të njëjtët. Mbeten te njejtet se e percjellin urrejtjen ne breza.