PDIU: Qeveria të mos vazhdojë me varrezat greke. Dyshime mbi bisedimet e Kretës

 

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet teksa thekson se po ndjek me shqetësim çështjen e ngritjes së varrezave greke, kërkon nga qeveria shqiptare që të mos me ngritjen e varreve të ushtarëve pushtues grekë.

Kjo parti thotë se beteja për ngritjen e këtyre varrezave në kufijtë e fantazmave të Vorio-Epirit, është e papranueshme dhe në praktikën ndërkombëtare.

“Ne nuk bëjmë betejë me të vdekurit, por të vdekurit nuk mund e nuk duhet të përdoren nga të gjallët për të plotësuar ambiciet territoriale e për të legjitimuar shovinizmat territorialë. PDIU i bën thirrje qeverisë që të mos vazhdojë me varret e ushtarëve pushtues grekë, por të kërkojë ngritjen e varrezave për shqiptarët e Çamërisë”, thuhet në reagim.

Sipas PDIU-së, për ushtarët e rënë në territore të shteteve të tjera, ngrihen vetëm varreza simbolike dhe praktika të tilla, dhe se Shqipëria i ka praktikuar.

PDIU i kujton qeverisë shqiptare se paketat e deklaruara të bisedimeve, nuk mund të përmbajnë vetëm interesat e Greqisë, por zgjidhjet duhet të bazohen mbi reciprocitetin dhe dinjitetin e shqiptarëve.

“Por, ndërkohë që nuk ka asnjë prononcim mbi bisedimet e Kretës, po shohim avancim të kërkesave greke, pa përparim në kërkesat shqiptare. Ne jemi shumë të vëmendshëm për Ligjin e Luftës, Marrëveshjen e Ujërave, atë të kufijve tokësorë, të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, të drejtat pronësore të shqiptarëve në Greqi, marrëveshjen për sigurimet shoqërore, avancimin e statusit te minoritetit etnik shqiptar për shqiptarët që jetojnë në Çamëri e gjetkë”, thuhet më tej.

PDIU i bën thirrje qeverisë të trajtojë me dinjitet kombëtar dhe reciprocitet, çështjet e mësipërme që kalojnë mbi interesat e momentit të partive politike, apo politikës së ditës, por që kanë të bëjnë me interesin kombëtar, ndryshe do të përballet me reagimin e fortë të të gjithë shqiptarëve.