PD reagon për largimin e Veliut- Bardhi : Nuk ështe as i pari e as i fundit që ikën me tup 

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas dorëheqjen së Ardi Veliut nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Selia blu thotë se largimi i tij është i detyruar, “pavarësisht rezistencës së gjatë të Edi Ramës”. Në postimin e tij, numri dy i partisë më të madhe në opozitë liston edhe disa nga “arritjet” më të mëdha të Veliut sipas tij në krye të policisë së shtetit.

“Në krye të Policisë së Shtetit sot ka një bandit më pak. Ardi Veliu ka qenë çdo ditë në shërbim të grupeve kriminale dhe rrjeteve të caktuara të trafikut ndërkombëtar të drogës. Largimi i tij është i detyruar, pavarësisht rezistencës së gjatë të Edi Ramës.

Nën drejtmin e policisë nga Ardi Veliu:
❌ Shqipëria u rendit ndër vendet kryesore për trafikimin e drogave nga kokaina tek kanabisi.
❌ Departamenti i Shtetit e futi Shqipërinë ne listën e vendeve kryesore për pastrimin e parave të pista.
❌ Të drejtat dhe liritë e qytetarëve u përkeqësuan, duke kulmuar me vrasje në rrugë të të rinjve dhe me rrahje të minorenëve.
❌ Dhuna e ushtruar ndaj opozitës ishte e paprecedentë.
❌ Policia u përdor në zgjedhje, krah përkrah banditëve, për të blerë vota për partinë në pushtet.

Ardi Veliu nuk është as i pari, as i fundit drejtor policie që gjatë këtyre 8 viteve largohet me turp, duke i shkaktuar dëme të mëdha vendit dhe qytetarëve. Kjo histori do të përsëritet përsa kohë shefi i ardivelinjve, Edi Rama, të jetë partneri kryesor i krimit të organizuar.

Pa largimin e Edi Ramës, nuk ka për të patur kurrë luftë serioze ndaj krimit, policët e ndershëm do të vazhdojnë të ndihen të tradhëtuar dhe të demotivuar, si dhe ngjarjet e rënda kriminale do të vijojnë të trondisin qytetet tona” deklaron Bardhi.

Ardi Veliu e dorëzoi ditën e sotme dorëheqjen, të cilën kryeministri Edi Rama e firmosi, ndërsa e vlerësoi për punën dhe përkushtimin në krye të Policisë së Shtetit.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama ai renditi disa nga arsyet e largimit nga kjo detyrë, ku thotë se është përpjekur të japë më të mirën e tij.

Veliu thekson se ka vendosur të japë dorëheqjen për t’iu përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve tani që janë në një moshë delikate