PD- Pjetrit: Nesër do njihesh me dokumente për dënimin tënd në Itali

Kandidati i Edi Ramës në Shkodër, Valdrin Pjetri ka reaguar sot ndaj fletëpalosjeve të shpërndara nëpër Shkodër ku thuhet se nuk e duan ‘NarkoValdrinin’ në Bashki.
Pjetri thotë se këto janë trakte.
PD e Shkodrës në një reagim të saj, paralajmëron Valdrin Pjetrin se do të njihet me dokumentet e shtetit Italian ku rezulton se ai është i dënuar për trafik droge.
Reagim i Partisë Demokratike, dega Shkodër:
Trafikanti i Ramës në Shkodër qenka shqetësuar nga reagimi i qytetarëve të ndershëm të Shkodrës, që nuk pranojnë që qyteti të jetë peng i trafikantëve të drogës dhe përfaqësuesve të krimit të organizuar.
Mos u shqetëso nga letrat e reagimit qytetarë, që me urdhër të Edi Ramës i quan trakte. Ato nuk të çojnë në burg!
Shqetësohu nga letrat e autoriteteve ligjzbatuese italiane, QË NUK JANË TRAKTE dhe që provojnë se je një person i dënuar për trafik drogë. Këto letra të ndalojnë të uzurposh zyrën e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, të çojnë në burg për falsifikimin e Formularit të Dekriminalizimit dhe të bëjnë subjekt të menjëhershëm të ligjit Antimafia!
Në këtë të fundit nuk të ndihmon dot as Edi Rama, as Tom Doshi, as babai dhe as vëllai.
E kot të të ripyesim a të kujton gjë data 27 Janar 2003, sepse e kemi të qartë që të ka marrë peng Edi Rama dhe nuk të lejon ta kujtosh.
E kot të presim për një përgjigje, sepse ti ke vendosur të mashtrosh dhe të fshihesh nga e vërteta njëlloj si Elvis Rroshi i Kavajës!
Prandaj nesër shqiptarët do kenë mundësi të shikojnë me letra (dhe jo trakte) se çfarë është për përfaqësuesin politik të Edi Ramës në Qarkun Shkodër data 27 Janar 2003.
Deri nesër ke kohë për të ëndërruar përralla me qentë e karvanët, që po të çojnë përpara, drejt greminës!