PD fakte të reja për Tahirin, Alibeaj: Edi Rama po pengon drejtësinë për Tahirin

 

 

Për Partinë Demokratike, paratë e gjetura në makinën e biznesmenit 25 vjeçar ashtu sikurse dy patentat, janë të ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Deputeti, Enkelejd Alibeaj, tha se pretendimet e biznesmenit se eurot i dispononte për arsye tregtare nuk qëndrojnë dhe këtë argument e mbështet me publikimin e disa dokumentave të Qendrës Kombëtare të Binzesit.

Alibeaj: Sipas dokumentit të depozituar më 3 Gusht 2017 në Qendrën Kombëtare të Biznesit, çdo transaksion mbi 20 milionë lekë i administratorit Jusuf Kurum do të ishte i pavlefshëm. Kjo do të thotë se Orest Sota e kishte të pamundur të bënte biznes me Kurum, me shifrën e 863 mijë eurove, pak më shumë se 1 milionë dollarë.

Sipas Alibeaj, me mbështetje të kryeministrit Edi Rama, ish-Ministri Tahiri po përpiqet të fshehë provat që e implikojnë në trafikun e drogës.

Edhe vizita në Gjermani, tha deputeti demokrat, kishte këtë qëllim.

Alibeaj: Versioni i hedhur prej Tahirit, se po i qëndronte afër të atit për arsye shëndetësore, nuk qëndron. Babai i Saimir Tahirit, ka hyrë dhe ka dalë nga Shqipëria, përpara largimit të Saimir Tahirit në Gjermani.

Deputeti Alibeaj tha se heshtja e Kryeministrit për Tahirin dhe Dakon ka një qëllim: Të fitojë sa më shumë kohë deri sa të kapë plotësisht Prokurorinë.