PD denoncon mbledhjen e të dhënave të prindërve, Nikolla firmos anulimin

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se përmes ministrisë së Arsimit ka nisur fushatën për identifikimin dhe blerjen e votës.

Deputetja Albana Vokshi ka deklaruar se ministria e Arsimit u ka kërkuar nxënsëve të dhënat personale të prindërve duke bërë një veprim të kundraligjësh. Vokshi i ka bërë thirrje prokurorisë të nisë hetimet dhe prindërve të mos pranojnë të japin të dhënat.

Vokshi: Ne dyshojmë se qeveria po mbledh të dhënat e shtetasve të vet për t’i përdorur ato në zgjedhje, me identifikimin dhe më pas blerjen e votës.

Por në një reagim, ministria e Arsimit ka bërë me dije se për të shmangur çdo spekulim ka vendosur anulimin e kësaj kërkese.

Ministria e Arsimit: Akuzat drejtuar këtij procesi janë të ulëta dhe dashakeqe ndaj institucioneve të dijes ku mësojnë fëmijët e shqiptarëve. Për të shmangur spekulimin politik me këtë detaj që është vetëm teknik, Ministrja Nikolla ka nxjerrë urdhër për heqjen e kësaj kërkese.

Sipas ministrisë së Arsimit kjo nismë është bërë me të vetmin qëllim pëër krijimin e rrjetit të komunikimit në kohë reale me prindërit dhe mësuesit. Ky sistem do të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e stafeve të shkollave kundrejt komunitetit të prindërve.