Pas zgjedhjeve lokale në Kosovë ,gjysma e komunave në balotazh

 

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zgjedhjet ishin të qeta, me një pjesëmarje rreth 43%. Vetëvendosja e Kurtit nuk fiton asnjë komunë në raundin e parë.

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë u zhvilluan në një atmosferë demokratike, pa incidente dhe me një pjesëmarrje të kënaqshme. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 43 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, dolën në zgjedhje, një dalje e ngjashme krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017. KQZ-ja thotë se mbi 776 mijë qytetarë votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj të komunave dhe asambletë komunale në 38 komunat e Kosovës. Sipas rezultateve të KQZ-së, së paku në 19 komuna janë shënuar fitore të partive politike që në raundin e parë ndërsa, 18 komuna tjera shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen me 14 nëntor. Rezultati është ende i paqartë në dy komuna. Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit që udhëheq qeverinë, në zgjedhjet e së dielës nuk arriti të fitojë pa balotazh asnjë komunë, por në disa nga to prin në rezultate.

Në bazë të rezultateve paraprake të publikuara në ueb-faqen e KQZ-së, Lista Srpska ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës pesë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dy dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dy. Fitore që në raundin e parë janë shënuar në: Deçan (AAK), Kaçanik (PDK), Mitrovica e Jugut (PDK), Leposaviq (Lista Serbe), Lipjan (LDK), Novobërda (Lista Serbe), Peja (LDK), Shtërpca (Lista Serbe), Suhareka (AAK), Ferizaj (PDK), Zubin Potoku (Lista Serbe), Zveçani (Lista Serbe), Hani i Elezit (PDK), Graçanica (Lista Serbe), Ranillugu (Lista Serbe), Parteshi (Lista Serbe), dhe Mitrovica e Veriut (Lista Serbe), Skenderaj (PDK).

Balotazhi më 14 nëntor

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, i cili do të mbahet më 14 nëntor konkurrente në balotazh do të jenë: Gjakova (AAK-LVV), Rahoveci (AAK-LVV), Gjilani (LVV-LDK), Dragashi (PDK-LDK), Klina (AAK-PDK), Kamenica (PSD-LVV), Podujeva (LVV-LDK), Prishtina (LVV-LDK), Prizreni (LVV-PDK), Vitija (LDK-LVV), Vushtrria (PDK-LDK), Malisheva (Nisma-PDK), Juniku (AAK-LDK), Mamusha (KDTP-KATP), Gllogovc (PDK-DD), Kllokot (Lista Serbe-GI SNS), Istog (LDK-AAK) dhe Shtime (PDK-LVV). Në një komunw në afërsi të Prishtinës Fushë Kosovë, rezultati është ende i paqartë. Sipas ligjit për zgjedhjet lokale dhe sistemit të aplikuar zgjedhor, postin e kryetarit të komunës e siguron në raundin e parë kandidati që merr 50 për qind plus një votë, ndërsa nëse kjo nuk arrihet, atëherë organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota.

Lista Serbe: Duam themelimin e Asociacionit

Kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq në një konferencë për media pas fitores së partisë së tij, u shpreh se ata “janë duke luftuar për të zbatuar marrëveshjen për themelimin e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”. “Në qoftë se nuk fillojnë bisedimet për Asociacionin në muajin e ardhshëm, nuk do të ketë më as institucione të Kosovës ”, tha Rakiq. Dalja më e madhe e votuesve në zgjedhjet lokale të 17 tetorit është shënuar në katër komunat e banuara më shumicë serbe në veri të Kosovës.