Pas largimit të Ramës, Basha në Krujë: Zgjedhjet Vendore dhe të Përgjithshme, në një ditë!

Zgjedhjet nuk janë çështje datash, por standardesh, tha Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Krujë duke u shprehur i vendosur se vetëm pas largimit të Edi Ramës dhe krijimit të një qeverie tranzitore, do të përgatiten zgjedhjet e përgjithshme, në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore.
“Zgjedhjet nuk janë çështje datash, por standardesh. Dhe beteja për zgjedhje të lira nuk është kauzë partiake, por është betejë e çdo shqiptari. Zgjidhja nuk eshte “ik ti e te vi unë”, por është beteja jetike për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme, Shqipërinë e standardeve europiane,” tha Lulzim Basha duke e bërë të qartë para strukutrave të PD në Krujë se si do të filloj edhe porcesi i zgjidhjes:
“Zgjidhja nis me dënimin e politikanëve të kapur në blerje votash dhe në bashkëpunim me krimin e organizuar për pushtetin dhe pasurinë e tyre.”
Opozita e Bashkuar, tha lideri i opozitës e nisi këtë betejë me një akt sakrifice që ishte dorëzimi i mandateve, dorëzimi i imuniteteve, i privilegjeve dhe i karrigeve të pushtetit për t’u rreshtuar në krah të qytetarëve. Kjo sakrificë u shpërblye në 30 Qershor, me refuzimin plebishitar dhe mesazhit Rama Ik qe dhanë 85 përqind e shqiptarëve.
“Treguam se rruga që nisëm ishte një rrugë sakrifice për interesin publik. Vendimi që morëm ktheu besimin tek njerëzit, se beteja që kemi nisur nuk ishte një betejë për karrike, siç përpiqej ta paraqiste Edi Rama. U rikthye besimi se opozita e bashkuar nuk është pjesë e teatrit të ndyrë politik, ku një grusht njerëzish kanë kapur burimet e shtetit, buxhetin e shtetit, taksat e shtetit, pasuritë e shtetit, në kurriz të të gjitha shqiptarëve të tjerë.”
Duke analizuar 30 Qershorin si një refuzim të shumicës, jo vetëm si një atentat ndaj demokracisë, Kushtetutës dhe pluralizmit, por edhe si reagim i drejtëpërdrejtë i refuzimit të varfërisë, papunësisë dhe gjendjes ekonomike, Kryetari i Partisë Demokratike tha se PD do t’i përgjigjet mesazhit të shqiptarëve për ndryshim.
“Përtej refuzimit të Edi Ramës, 30 qershori ështe një kushtrim, një kërkesë, një thirrje popullore për ndryshim ekonomik, ndryshim politik, për ti dhënë fund krizës ekonomike, varfërisë, papunësisë, emigracionit që po e zbraz vendin. Kjo kërkesë i drejtohet Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar,” konstaton në Krujë, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bindur:
“Vetëm ne kemi forcën, vullnetin, vizionin, dhe, mbi të gjitha, kredon morale për të marrë përsipër ndryshimin e thellë që duan shqiptarët.”