Partia Demokratike dekonspiron Berishën: Është bërë bashkë me Ramën, si ka mundësi që Flamur Noka urdhëron Lindita Nikollën?

 

Partia Demokratike ka deklaruar ditën e sotme se kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla i bindet Flamur Nokës vetëm për arsye se Berisha-Rama janë bashkë.

Ky reagim vjen për mesazhet që shkëmbeu deputeti Flamur Noka me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja gjatë seancës parlamentare këtë të enjte.

PD ka publikuar në Facebook një video, sipas së cilës tregon se Flamur Noka i kërkoi Lindita Nikollës që t’i japë fjalën ish-kryeministrit Sali Berisha për procedurë, dhe ajo e zbatoi.

Krahas postimit, PD shkruan se kjo situatë ndodh vetëm kur ata janë bashkë dhe kanë një qëllim. Sipas selisë blu, kushdo e kupton përmes kësaj situate se Berisha është bashkë me Ramën.

“Kur merresh vetëm me gënjeshtra dhe del e vërteta, ajo të dhemb edhe më shumë. Si ka mundësi që Flamur Noka i jep urdhra Linditës dhe Lindita bën siç do Flamuri dhe ia jep flalën Berishës?! Kjo ndodh vetëm kur ata janë bashkë dhe kanë një qëllim, që një deputet urdhëron kryetaren e Kuvendit kujt ti japë fjalën dhe kujt jo.

Kushdo me sy në ballë e mend në kokë e kupton tashmë se në Shqipëri ka vetëm një opozitë, dhe ajo është PD. Rama dhe Berisha janë njësoj. Zgjidh Ramën dhe merr edhe Berishën. Zgjidh Berishën dhe merr Ramën”, shkruan PD.