Paradoks shqiptar/ Bie numri i bagëtive, prodhimet blegtorale shënojnë rritje

Ndonëse numri i bagëtive shënoi rënie në 2018-n, qumështi dhe nënproduktet e tij kanë shënuar rritje.
Sipas të dhënave që ka publikuar INSTAT sasia e qumështit të grumbulluar shënoi rritje me 5.87% krahasuar me një vit më parë, duke arritur sasinë prej 139 mijë tonë. Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të lopës të grumbulluar është rreth 120 mijë ton, duke shënuar një rritje me 10,0 %, krahasuar me 2017.
Nga ana tjetër, në vitin 2018, sasia e grumbulluar e qumështit të deles është rreth 12 mijë ton, duke shënuar një rënie me 10,52 %, krahasuar me një vit më parë. Sasia e grumbulluar e qumështit nga dhitë është rreth 6 mijë ton, duke shënuar një rënie me 22,95 %, krahasuar me vitin 2017.
Në vitin 2018, sasia e qumështit të prodhuar për konsum është rreth 14 mijë ton, në rritje me 7,26 %, krahasuar me 2017. Ndaj sasisë gjithsej të qumështit të prodhuar në vitin 2018, qumështi i plotë i përpunuar përbën 77,1 %, qumështi gjysmë i skremuar 22,0 %, qumështi i papërpunuar 0,7 % dhe qumështi i skremuar 0,2 %.
Rritet sasia nga djathi i lopës, bie nga i dhisë dhe deleve
Sasia e prodhuar e djathit të lopës ka shënuar rritje gjatë 2018-s, ku sipas INSTAT janë prodhuar 11,400 tonë, nga 10,800 që ishin një vit më parë. Ndërsa sasitë e djathit të prodhuar nga qumështi i deleve dhe dhive ka pësuar rënie. Sasia e prodhuar e gjalpit shënoi një rritje me 3,22 %, krahasuar me 2017.
Të dhënat mbi grumbullimin e qumështit dhe nënproduktet e tij mblidhen nga INSTA bëpërmjet vrojtimeve statistikore pranë ndërmarrjeve të cilat grumbullojnë dhe përpunojnë qumësht në vend.
Prodhimi rritet, krerët e bagëtive ulen
Numri i gjedhëve në vitin 2018 është 467.318 krerë, duke shënuar rënie me rreth 1,7%, në krahasim me vitin 2017, raporton INSTAT.Në vitin 2018, numri i të leshtave është 1.863.837 krerë, duke shënuar një rënie me 3,2% krahasuar me vitin 2017. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 73,3% ndaj totalit të tufës. Numri i të dhirtave në vitin 2018 është 917.155 krerë, duke pësuar një rënie vjetore me rreth 1,7%, në krahasim me vitin 2017. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit, me 97,5% ndaj totalit të tufës. Në vitin 2018, numri i krerëve të derrave është 184.133 krerë, duke shënuar një rritje vjetore me rreth 2,2%, krahasuar me vitin 2017. Përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në Lezhë me 35,9% dhe Shkodër me 27% ndaj totalit të gjithë krerëve.
Pse po tkurret blegtoria
Fermat e mëdha blegtorale në vend kanë hyrë në një cikël të vështirë mbijetese. Falimentet janë shtuar, për shkak se prodhimet e tyre nuk janë konkurruese me tregun e zi dhe importet. Kostot e larta të bazës ushqimore, nga njëra anë, dhe informaliteti i lartë në treg, nga ana tjetër, i nxjerrin prodhimet e fermave me çmime 35% më të larta se importi.
Fermerët e vegjël shprehen se nuk janë më të motivuar që të merren me blegtori, ushqimet për bagëtitë janë të shtrenjta, ndërsa shitja e qumështit me çmim të ulët, duke mos mbuluar shpenzimet me të ardhurat e ulëta që gjenerojnë.