Paketa Fiskale, Dhoma Amerikane e Tregtisë kritika të forta ndaj qeverisë

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka shprehur rezerva sa i takon paketës fiskale që është prezantuar nga qeveria për vitin e ardhshëm. Sipas presidentit të kësaj dhome, Enio Jaçe, qeveria ka bërë ndryshime të herëpashershme mbi Paketën Fiskale, duke mos respektuar angazhimin për të ndërhyrë një herë në katër vjet me qëllimin që të krijojnë stabilitet dhe parashikueshmëri në planet e biznesit.

Gjithashtu, qeveria nuk ka respektuar afatet ligjore të nevojshme për konsultimin publik, duke lënë shumë pak kohë në dispozicion për komente dhe duke e ndarë Paketën Fiskale me biznesin pas miratimit në Këshillin e Ministrave.

Në letrën zyrtare që Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka çuar ministres Delina Ibrahimaj dhe Komisionit të Ekonomisë janë përfshirë komentet e anëtarëve të AmCham si dhe objeksionet e ekspertëve të këtij Komiteti.

Mes të tjerave në letër thuhet se duhet të shtyhet afati i konsultimeve për këtë paketë si dhe të respektohen standardet ndërkombëtare.

Përsa më sipër, Dhoma Amerikane shpreh shqetësimin mbi procesin dhe përmbajtjen e projektligjeve si më poshtë:

Thyerja e angazhimit publik për një paketë fiskale të qëndrueshme me ndërhyrje të paktën njëherë në katër vjet. Pasi komuniteti i biznesit ka shprehur shqetësimin e vazhdueshëm, mbi ndryshimet e shpeshta mbi paketën fiskale dhe tatimet, si dhe në përshtatje me praktikat më të mira botërore, zyrtarë të lartë duke përfshirë Ministrin e Financave, Kryeministrin, etj., janë angazhuar publikisht për ndryshime më pak frekuente të ligjit, njëherë në çdo 4-vjeçar. Për rrjedhojë, ky projektligj bie ndesh me angazhimet publike qeveritare, pritshmëritë dhe planifikimet financiare të komunitetit të biznesit dhe dëmton klimën e besimit reciprok mes sektorit publik dhe atij privat mbi angazhimet publike.

Shkelja e Përsëritur e Afateve të Ligjit mbi Konsultimin Publik. Dhoma Amerikane vëren e zhgënjyer se u njoftua mbi projektligjet e paraqitur nga Këshilli i Ministrave mbi paketën fiskale 2022, pasi ato ishin miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe ishin depozituar pranë Kuvendit. Kjo praktikë – fatkeqësisht e përsëritur – është në shkelje të ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, i cili i kërkon autoriteteve shtetërore t’i ofrojnë palëve të interesuara një periudhë kohore të përcaktuar për të shqyrtuar dhe ofruar rekomandimet e tyre në lidhje me projektligjin/et e propozuar.

Për arsyet e mësipërme, Dhoma Amerikane kërkon shtyrjen e afatit të projektligjeve, nëpërmjet zbatimit te ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, duke i lënë mundësi grupeve të interesit të ushtrojnë të drejtën e tyre duke u njohur me përmbajtjen e ligjit dhe ofrimin e sugjerimeve për përmirësimin e tij. Në vijim, Dhoma Amerikane shpreh bindjen se projektligjet kanë nevojë për përmirësim, i cili do të mundësohej pas reflektimit të rekomandimeve të komunitetit të biznesit. Një pjesë e problematikës është e bashkëngjitur.

Gjithashtu, Dhoma Amerikane rekomandon nisjen nga puna për hartimin dhe konsultimin e një Ligji të Ri për Tatimin mbi të Ardhurat, që të harmonizohet me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit. Periudha 4-vjeçare në dispozicion të një ligji të ri të tatimit mbi të ardhurat, do i jepte mundësi grupeve të punës të unifikonin taksimin e pagamarrësve dhe personave fizikë e tregtarë. Kjo ka qënë një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar të biznesit, i cili do sillte një frymë të re në Investimet e Huaja Direkte, harmonizimin me standardet ndërkombëtare dhe krijimin e kushteve për uljen e informalitetit.