PA INTEGRIM RREZIKOJMË DIKTATURËN

Nga Arben Tafaj

Rrëzimi i kandidaturës së Shqipërisë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian është thuajse i pashmangshëm. Ndërsa problemi kryesor mbetet se asnjë instrument tjetër nuk mund të influencojë mbi qeverinë Rama për t’u sjellë ndryshe me pushtetin. Në këto kushte, Rama mund të instalojë diktaturën dhe asgjë nuk e pengon ta bëjë.

Autoritarizmi epik, abuzivizmi i paskrupullt dhe ekstremizmi kleptokrat i kësaj administrate nuk mund të dominohen me mjete të brendshme paqësore- përsa kohë që vendi tash nuk ka më arsye – as formale – të normalizojë parametrat e funksionimit shtetëror e politik.Ndersa ka njerez qe arrestohen se protestojne ne rruge; kriminelët lirohen nga mbrapa hekurave.

Eshtë e pashpresë të besojmë se kjo administratë do të mbajë ndonjëherë zgjedhje të rregullta dhe të pranueshme. Eshtë e pashpresë të presim një reformë zgjedhore që rindërton përfaqësimin politik: këtu edhe ata që e kanë pushtetin, nëse nuk janë pjesë e xhepave të kostumit të kryeministrit, nuk kanë asnjë pushtet.

Eshtë e pashpresë të besojmë në ndonjë ndryshim pozitiv, përsa kohë reforma në drejtësi shërben vetëm për të mbrojtur nga burgu ish-ministrat e Ramës, kur ata rrezikojnë ta ekspozojnë shefin e tyre.

Mungesa e shanseve për rritjen e vëmendjes europiane dhe përgjithësisht ndërkombëtare mbi vendin e bën këtë administratë të plotfuqishme në ndarjen e favoreve, trafikun e interesave dhe zgjatjen e jetës së saj në pushtet. Ky rrezik “blerjeje” peshon cdo ditë edhe mbi opozitën reale dhe segmentet e saj – nga baza në qendër. Varfëria dhe dëshpërimi me të cilin po e qeveris vendin Rilindja, ja ka ulur vlerën si Shqipërisë ashtu edhe shqiptarëve.

Ky është një moment i thellë reflektimi për opozitën, e cila duhet të gjejë rrugë të reja – të pashkelura më herët – për të kundërshtuar konsolidimin e pushtetit korruptiv dhe zhytjen edhe më thellë të kalbësirës në trupin e shoqërisë shqiptare. Nëse ky process degradimi do te vazhdoje me këtë ritëm, gjithkush do ta ndjeje qartesisht se vendi do te ndodhet plotësisht nën diktaturë.
Opozita politike e vendit nuk duhet të humbë kohë me vajtime për “humbjen e trenit” për në Europë. Ajo duhet të gjallërojë forma të reja që rrisin presionin e brendshëm dhe për rrjedhojë edhe atë ndërkombëtar mbi qeverinë – përballë një shteti të izoluar, i cili nuk është qendra e botës.

Opozita duhet të ndërtojë forume të reja që i japin shpirt dhe trup reagimeve të saj. Opozita duhet ta kuptojë se një kancelari politike vuan gjithmonë një dozë mosbesimi kur flet për fatet e pushtetit, të cilin e kërkon për vete.
Qytetarët dhe e drejta e tyre për t’u qeverisur mirë – janë instrumenti më i besueshëm i tezave të një opozite.

Fuqizimi i Forumeve Qytetare, kapilarizimi i pranisë së tyre në terren dhe potencimi i reagimit të tyre përmes ekspertizës profesionale, juridike dhe sektoriale do të ishte hapi i parë I domosdoshëm. Opozita ka nevojë të krijojë ato instrumenta publike, që jo vetëm besohen, por edhe nisin të gëzojnë përkrahje dhe mbështetje komunitare.

Këto Forume duhet të shndërrohen në tryeza të gjera përfaqësimi për të rikonsoliduar jashtë sistemit kërkesat që garantojnë bazat e shtetit ligjor, barazisë së shtetasve, barazinë në treg etj.

Pa këtë debat parimor – që prodhon një regjistër të përditësuar të shkeljeve kushtetuese dhe dhunës shtetërore ndaj individëve – opozita nuk garanton dot moslejimin e rrëshqitjes së vendit drejt një diktature faktike – ku të fshehur pas Ramës – qeverinë do ta drejtojnë ata që drejtojnë krimin e organizuar dhe punët që prodhojnë para’ për klanet mafioze rreth Rilindjes.