Organizata për të drejtat e njeriut Memorial në prag të zhdukjes

 

Organizata ruse e të drejtave të njeriut Memorial është në prag të zhdukjes. Gjykata e Lartë e vendit urdhëroi shpërbërjen e saj. Arsyeja: organizata akuzohet se ka thyer ligjin për të ashtuquajturit agjentë të huaj.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Memorial është në prag të zhdukjes në Rusi. Gjykata e Lartë e vendit urdhëroi shpërbërjen e saj.

Gjykata ka ndjekur kështu një kërkesë të prokurorisë së përgjithshme e cila kishte kërkuar rreth një muaj më parë shpërbërjen e Memorialit.

Prokuroria akuzon Memorialin për shkelje të përsëritura të “ligjit për agjentët e huaj”. Në Rusi, organizatat që marrin fonde nga jashtë regjistrohen si “agjentë të huaj”. Sipas këtyre rregulloreve, Memorial duhet të identifikohet si një “agjent i huaj” në të gjitha botimet e tij. Këtë organizata nuk e bëri. Memoriali është regjistruar si “agjent i huaj” në Rusi që nga viti 2016.

Rivlerësimi i përndjekjes politike

Protesta para Gjykates se Larte per Memorialin
E themeluar në kohët sovjetike, në vitin 1988, Memorial konsiderohet organizata më e madhe dhe më e vjetër e pavarur e të drejtave të njeriut në Rusi. Ajo është e përkushtuar ndaj punës përkujtimore mbi persekutimin politik dhe terrorin stalinist në Bashkimin Sovjetik dhe për rehabilitimin e të prekurve.

Anëtarët e Memorial-it janë gjithashtu të përkushtuar për respektimin e të drejtave të njeriut, për shembull në Kaukazin e Veriut ose në gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia.

Prokuroria e përgjithshme sheh afërsi me ekstremistët

Prokuroria publike ruse e akuzoi Memorialin se e ka paraqitur nëpërmjet punës së saj Bashkimin Sovjetik, të shpërbërë 30 vjet më parë, si një “shtet terrorist” dhe se ka përhapur gënjeshtra për vendin. Organizata gjithashtu mban një listë të të burgosurve politikë në Rusi – rreth 350 emra janë renditur në atë listë. Rusia i konsideron shumë prej tyre si ekstremistë dhe akuzon Memorialin në këtë kontekst për mbështetjen e “pjesëmarrjes në organizata terroriste dhe ekstremiste”.

Memoriali e kritikon “vendimin politik”

Memoriali i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe dëshiron të apelojë vendimin e Gjykatës së Lartë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Organizata mendon se vendimi i gjyqtarit është një “vendim politik” pa bazë ligjore, që synon “shkatërrimin e një organizate e cila merret me historinë e represionit politik dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

Organizata ka respektuar gjithmonë detyrimin për ta identifikuar veten si një “agjent i huaj”, tha Memorial. Organizata pagoi gjithashtu gjobat e shumta të vendosura nga Rusia në Memorial – të barabarta me rreth 54000 euro. Tetë nga dhjetë veprat e përmendura nga prokuroria në kallëzimin e saj janë gjithashtu të parashkruara.

Një veprim i dënuar ndërkombëtarisht

“Ligji për agjentët e huaj” është dënuar edhe ndërkombëtarisht. Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, së fundmi dënoi veprimet kundër këtij institucioni të njohur dhe tha se ishte “habitur”. Fondacioni Topografia e Terrorit dhe vendet e tjera gjermane të kujtimit dhe memorialeve kishin sinjalizuar gjithashtu mbështetjen e tyre për Memorialin në një rezolutë. Fondacioni shkroi se Memoriali kishte “luftuar pa u lodhur për kompensimin e punëtorëve të detyruar sovjetikë”.

aud (dlf, tgsch)