Operacion arrestimesh në Kosovë – tensione në veri

Policia e Kosovës tha se ka ndaluar një numër zyrtarësh policor dhe disa qytetarë në një operacion në disa komuna në Kosovë dhe është përballur me rezistencë të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe, me ç’rast një pjesëtar i policisë është plagosur lehtë.

Në një njoftim të policisë thuhet se operacionit “i ka paraprirë një hetim disa mujor i udhëhequr nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve policor dhe të disa qytetarëve në veprat; “pjesëmarrje ose organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “kontrabandë me mallra”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit”, “tregti e Ndaluar”, etj.

Policia tha se operacioni shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj dhe Drenas dhe deri tash janë arrestuar disa qytetarë disa zyrtarë policorë të përkatësive të ndryshme kombëtare si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar.

“Policia e Kosovës, përveç hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, ka hasur edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç’rast është detyruar të përdorë mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor”, thuhet në njoftimin e policisë sipas së cilës për shkak të pengesave ka shoqëruar edhe disa qytetarë të përfshirë në këto raste.

Policia tha se një pjesëtar i saj është plagosur lehtë në këmbë.

Grupe qytetarësh serbë dolën në rrugë pas operacionit, ndërsa autoritetet serbe në Beograd thanë se operacioni ka për qëllim të frikësojë popullatën serbe.

Rusia kërkon lirimin e një qytetari rus të arrestuar në veriun e Kosovës
Ambasada ruse në Beograd, u kërkoi autoriteteve të Kosovës që të lirojnë një qytetar rus, punonjës i Misionit të Kombeve të Bashkuara, i cili është arrestuar gjatë operacionit të policisë në veriun e Kosovës.

“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tij dhe përgjegjësi nga përgjegjësit për këtë incident”, citohet të ketë kërkuar ambasada ruse në Beograd.

Agjencitë e lajmeve cituan ministrinë e Jashtme ruse ta ketë vlerësuar si provokim operacionin e sotëm të policisë së Kosovës.

Mediet ne Beograd thanë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka urdhëruar që ushtria dhe policia të jenë në gjendje gatishmërie dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtare që të ndërhyjë për të “frenuar Prishtinën”.

Një natë më parë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë një fjalimi në parlamentin serb pranoi që Beogradi e ka humbur kontrollin mbi Kosovën, por paralajmëroi se Serbia do të reagojë nëse shqiptarët sulmojnë serbët në Kosovë.

Të martën ai tha në parlamentin serb që “nëse ndodhë të rrezikohet rendi dhe jetët e njerëzve në veriun e Kosovës, ushtria jonë do të mbrojë popullin tonë”, ndërsa kritikoi komunitetin ndërkombëtarë për qasjen ndaj operacionit të policisë së Kosovës.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë ndërkaq se ky “është vetëm një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës. Për shkak të ndjeshmërisë politike, komandanti KFOR-it fton të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa përdorimin e forcës. Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar. KFOR-i vazhdon të vëzhgojë situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë, nëse i kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha komunitetet, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në një njoftim të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetet sociale se “institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Shpreh keqardhjen time për plagosjen e policit tonë në krye të detyrës dhe i uroj shërim sa më të shpejt. Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave. Operacioni i sotëm policor është në të mirë të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim dhe ftoj komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe ta përkrah luftën kundër krimit të organizuar. Forcimi i rendit dhe ligjit është jetik për barazinë e gjithë qytetarëve dhe përshpejton lëvizjen tonë drejt procesit të integrimeve euroatlantike!”, shkroi ai.