OBSH: Janë zhvilluar 20 vaksina kundër COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi të premten se në botë janë zhvilluar 20 vaksina kundër llojit të ri të virusit korona (COVID-19).

Dr. Melita Vujnovic, përfaqësuese e OBSH në Federatën Ruse, deklaroi se në shkallë botërore është mundësuar zhvillimi i 20 vaksinave kundër virusit në fjalë.

Ajo bëri me dije gjithashtu se kanë filluar testimet klinike për një tjetër vaksinë të zhvilluar nga qendra ruse e bioteknologjisë në Novosibirsk.

Një ditë më parë, Shërbimi Federal i Shëndetit të Rusisë (Rospotrebnadzor) lajmëroi fillimin e testeve për një vaksinë të koronavirusit.

“Qendra jonë kërkimore ka filluar testimin e një vaksine kundër koronavirusit të ri në Rusi, me qëllim parandalimin dhe kontrollin e pandemisë së COVID-19”, theksoi Shërbimi Federal i Shëndetit të Rusisë.

“Rospotrebnadzor zhvilloi menjëherë prototipat e vaksinave bazuar në 6 platforma të ndryshme teknologjike. Për të përcaktuar efektivitetin e saj, tani duhet që vaksina të testohet për të vlerësuar aftësinë e saj për të nxitur përgjigje imunitare”, theksoi ajo.

Studiuesit përballen me shumë pyetje të rëndësishme, sepse nevojitet të përcaktohet doza dhe shpeshtësia e efikasitetit të vaksinës, si dhe një metodë e një program vaksinimi.

Vujnovic tha mes të tjerash se OBSH-ja është e kënaqur nga shpejtësia e përparimit të punës shkencore në luftën me koronavirusin dhe se shkencëtarët shpresojnë që vaksina të jetë gati për përdorim deri në tremujorin e fundit të 2020-s.

Zyrtarja ruse vuri në pah se gjatë disa javëve në vijim do të dalin edhe rezultatet e para të testimeve klinike në vazhdim për shumë barna, përfshi këtu edhe ato për koronavirusin e ri.