“Nuk më futi në listë: Nard Ndoka rrëfen inatin me Bashën 

 

Kreu i Partisë Demokristiane , Nard Ndoka ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Me Xhaxhiun” në Fax News ku ka folur hapur për zhgënjimin që i ka sjellë mospërfshirja në listën e sigurtë në zgjedhjet e 25 prillit nga Lulzim Basha.

Nard Ndoka deklaroi me ashpërsi se Lulzim Basha, ish-aleati i tij, tashmë është shpërfytyruar si njeri dhe si politikan .

“Unë jam ndryshe nga Basha. Për përgjegjësine e Bashës jap dorëheqjen unë, ndërsa Basha vetë nuk jep dorëheqjen. Nuk e kam prit asnjëherë se Basha do të tjetërsohet si njeri , se si politikan i kishte dhënë shenjat. Pra që është deformuar, nuk e mban fjalën. Ka pësuar një zhgënjim të madh edhe si politikan por edhe në marrëdhëniet njerëzore. Është shpërfytyruar, ka humbur besimin, simpatinë që kam pasur për të”, tha Ndoka.

Kreu i Partisë Demokristiane ndër të tjera e akuzoi Bashën se nuk e ka përfshirë në listën e sigurtë sepse ka bashkëpunuar me Ramën, me këtë të fundit që ia ka diktuar listën.

“Në një farë mënyre po zbardhen prapaskenat. Kam përshtypjen se ky ka bashkëpunuar me Ramën dhe për listën. 24 orë përpara se të takoja Bashën, më vjen një ekspononet i partisë time dhe më thotë ti nuk do jesh në listat e Bashës dhe as PDK. Personi ishte kontaktuar nga Rama që të kandidonte ai dhe të mbushte boshllëkun që linte PDK. Nuk e besoja, por kjo ndodhi. Kjo ndodhi dhe me Klevis Balliun. Ai ngriti kauzën te unaza dhe kush ishte fundi i tij, Basha me ndikimin e oligarkëve tha ky nuk do të jetë kandidat”, u shpreh Ndoka.

I pyetur nga Xhaxhiu nëse e ka takuar Bashën pas 25 prillit, Ndoka tha se nuk e ka takuar, duke shtuar se madje as në rrugë nuk i ka folur pasi diçka e brendshme nuk e la ta bënte këtë gjë.

“Jo nuk e kam takuar asnjëherë. Jo vetëm unë por asnjë nga aleatët. Është mbyllur në bunkerien e tij. Rastësisht e takova një ditë në rrugë dhe i ktheva kurrizin. Menodva për një moment ta respektoja si qytetar por diçka e brendshme mu rrotullua. Këtë mashtrues ja kam thënë, e kam shfryrë dufin tim“, deklaroi Ndoka.

Sa i takon Foltores së Berishës, Nard Ndoka theksoi se Foltorja i bën shumë mirë në radhë të parë PD-së dhe gjithë vendit.

“Foltorja po i bën shumë mirë PD dhe politikës shqiptare. Ne patëm mbetur pa opozitë. Lulzim Basha ishte palë me Ramën. E don Bashën si shtojcë aritmetike Rama. Basha po përgatitej të shkonte drejt një bashkëqeverisje. Në këtë rast Foltorja i dha shpresë opozitës. Vendi ka nevojë për opozitë”, përfundoi ai.