Nuk harrojmë! Ndëshkimi i krimeve të komunizmit misioni ynë historik!

Nga Nebil Çika *

Sot ka një debat publik për krimet e komunizmit ku në qendër të tij është vënë ish drejtori famëkeq i Burgut komunist të Qafë Barit Edmond Caja. Janë angazhuar shumë individë e faktorë por ishte dhe mbetet Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politike promotore e përpjekjeve për dënimin e krimeve të komunizmit qysh në themelin e saj e deri sot. Rastin e Cajës, Brahos dhe kriminelëve të tjerë komunistë e kemi trajtuar me forcë publikisht që në vitet e para pas rënies së diktaturës komuniste e deri më sot.
Ky është një shkrim, në fakt një letër e hapur, drejtuar ambasadorit gjerman në Shqipëri, në vitin 1993 për të mos lejuar strehimin në Gjermani të Cajës botuar në gazetën “Liria” organ i Shoqatës drejtuar nga anëtari i shquar i Kryesisë sonë, legjenda e qëndresës Antikomuniste z. Uran Kostreci.
Një tjetër shkrim po tek gazeta “Liria” kërkon dënimin e një tjetër krimineli, ende aktiv në politikë e në debatin publik si mbrojtës i krimeve komuniste, Spartak Braho. Dënimi i autorëve të krimeve të komunizmit ka qenë dhe mbetet pjesë e rëndësishme e misionit të Shoqatës sonë dhe po punojmë çdo ditë në kushte të vështira për ta realizuar atë. Kemi konsumuar çdo mundësi ligjore në Shqipëri, por prokuroria e kontrolluar nga komunistët dhe pinjollët e tyre ka bllokuar të gjitha përpjekjet tona për të ndëshkuar ligjërisht krimet e komunistëve.
Ishim ne që, në pamundësi politike në Shqipëri, kërkuam mundësinë e fillimit të një hetimi e ndëshkimi ligjor në Gjermani për krime kundër njerëzimit të Cajës. Për këtë angazhuam partnerët tanë të Konrad Adenauer dhe të tjerë. Konstatuam me kënaqësi që nismës dhe thirrjes tonë publike ju bashkuan edhe faktorë të tjerë dhe për këtë ndjehemi mirë.
Të bindur që ndëshkimi i krimeve të komunizmit është detyrë e jona dhe sidomos e institucioneve që paguhen nga buxheti i shtetit për të zbardhur e bërë publike këto krime inkurajojmë çdo institucion e individ që ka mundësi të bashkohet me ne, në këtë mision që ka si qëllim drejtësinë dhe shkëputjen e vendit nga e kaluara kriminale komuniste. Mos të dekurajohemi nga reagimi agresiv i persekutorëve dhe as nga provokimet e sharlatanëve bashkëpunëtorëve të tyre në radhët e të përndjekurve politikë në përpjekjet e tyre kriminale 73 vjeçare kundër nesh. Ne nuk harrojmë!

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë