“Nuk është më kryetar”, Berisha, “sharkon”Bashën dhe nominon veten si kreun e PD-së 

Jam i hapur për çdo funksion kushtetues në Shqipëri dhe Lulzim Basha nuk është më kryetar i Partisë Demokratike. Kjo ishte ajo që theksoi ish-kryedemokrati Sali Berisha mbrëmjen e sotme nga qyteti i Elbasanit.

Në këtë mënyrë, ish-kryeministri zyrtarizoi kandidaturën e tij për kryetar të Selisë Blu, në rast se me iniciativën që ka ndërmarrë do të arrijë të shkarkojë Lulzim Bashën nga kreu i PD-së.

Sulmet për Bashën nuk u kursyen nga Elbasani, nga Sali Berisha deklaroi edhe njëherë tjetër se kreu i PD-së ka vepruar përtej kopetencave të tij, duke shtuar se është Kuvendi Kombëtar ai që duhej të kishte vendosur ose jo për përjashtimin e tij nga grupi i PD-së, dhe në rast se ata do të vendosnin kundër tij ai do të pranonte vendimin.

“Shpallja non-grata më zgjoi mua. Thashë do kthehem shumë më fuqishëm së ke qenë deri më sot në mbrojtje të këtyre parimeve. Iu them gazetarëve që tani e tutje jam i hapur për çdo funksion kushtetues në harkun e këtij vendi. Unë Lulzim Bashën mas marrjes së këtij vendimi, vendimi tjetër është që ai s’mund të ishte kryetar. Katër humbje njëra pas tjetrës. Vendime të pamatura. Natyrisht nuk do përzihesha në garë elektorale, por me deputetë tanë, anëtarë të këshillit kombëtar, do të ndërmarr një veprim gradual dhe largimin e tij në mënyrë të padiskutueshme, me vullnetin tuaj. Kjo nënkuptohej në deklaratën time. Ky një ditë prej ditësh vjen e më thotë mua që erdhi filani dhe thotë ta dorëzosh. Unë i them që mandati është sovraniteti i vendit. Unë të shkelmoj sovranitetin e vendint tim forcë në botë nuk ka. As nuk e imagjinoj që të vije dikush e të më thotë të hyj apo mos hyj në parlament. Fillojnë kërcënimet, i thashë as mos e diskuto. Ata e bënë këtë për të diktuar kush do hyjë në parlament dhe kush jo. Kurrën e kurrës. Po ti ke të drejtën tënde tëe thuash nëse do hysh apo jo në vendin tim, ok. Mirë apo gabim, është puna jote. Por të thuash nuk do thysh në parlament kalon çdo lloj imagjinate. U përpoqën me KQZ, por ata i thanë jo. Në fund ky shpall vendimin,. Më merr në telefon 20 minuta para. Nëse ai mblidhte Këshillin Kombëtar dhe do të vendoste Këshilli, une do të pranoja, pa asnjë diskutim. Unë synoj që ju të zgjidhni me votën tuaj kryetarin. Cilindo kryetar të zgjidhni ju do e pranoj me kënaqësinë më të madhe. Jam plotësisht i hapur. Historia ka provuar se rikthimet kanë qenë shumë të dobishme”, deklaroi Berisha.

Berisha e ka të qartë planin e tij nëse do të rikthehet në krye të PD-së. Ai është bashkimi i të gjithë demokratëve, duke përfshirë dhe ata që janë përjashtuar nga Basha ose janë larguar me pakënaqësi, dhe ngritja në protesta për rrëzimin e Kryeministrit Rama që ka vjedhur zgjedhjet.

“Dhe Edi Rama do ta dish mirë se kur të ngrihemi ne në këmbë në protestë, nga rruga nuk shqitemi pa të hedh aty ku e meriton. Mos luaj me çmimet, me kafshatën, se shqiptarët e paguajnë kafshatën 80 herë më shumë se ata në Europë. E paguajnë naftën njësoj si qytetarët e Zvicrës. Mos luaj me shqiptarët, mos luaj me çmimet. Ne do ngrihemi në këmbë. Ne po ngrihemi në këmbë si opozitë e vërtetë,” tha Berisha. (Lexo edhe)

Që kur Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi i PD-së, pas shpalljes non-grata nga SHBA, Sali Berisha i ka shpallur luftë politike pasardhësit të tij në Selinë Blu. Berisha ka filluar një tur takimesh me demokratët përreth Shqipërisë, duke synuar mbledhjen e 1500 firmave të nevojshme për thirrjen e kuvendit kombëtar të PD-së ku do vendoset nëse duhet të përjashtohet Berisha apo jo. Deri më tani, Berisha është takuar me demokratët e Tiranës, Fierit, Vlorës, Durrësit, Shkodrës, Gjirokastër dhe sot me të Elbasanit.