Njëzetekatër vjet nga Masakra e Srebrenicës

Sot shënohet 24-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë.
Në qendrën përkujtimore Potoçari në Srebrenicë do të varrosen mbetjet e 33 viktimave të masakrës, të gjetura në disa varre masive gjatë vitit të fundit.
Viktima më e re që do të varroset është Osman Cvrka. Ai ka qenë 16 vjeç kur është vrarë raporton RFE.
Ndryshe, më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjes kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara.
Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.
Derisa vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i tyre vazhdojnë ende.
Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.
Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç, përgjegjës për masakrën në Srebrenicë dhe mizoritë e tjera gjatë luftës në Bosnje, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.
Ndërsa Ish-Komandanti i forcave serbe të Bosnjes, Ratko Mlladiç, është dënuar me burgim të përjetshëm për krime të luftës, përfshirë gjenocid.