Një vdekje e paralajmëruar!

Nga Bujar Leskaj *

Në një shoqëri që “çmendet” për formate të tipit “Përputhen”, “Big Brother”, “Love Story” e dhjetëra programeve televizive vanitoze e pa vlera, nuk ka njeri nge, kohë e dëshirë të ngrejë institucione që t’u vijnë në ndihmë njerëzve. Viktima e radhës, një nënë e re nga qyteti ynë, e cila ende shumë e re, e mposhtur nga hallet, mori në qafë edhe krijesën e vet engjëllore e të pafajshme.
Dhe të gjithë, ndoshta e dinin hallin e saj, por askush nuk i shkoi në ndihmë, pavarësisht se mjetet e mënyrat ekzistojnë.
Por qeveria e projekteve 3D, modelin e surrogatove televizive pëlqen, sepse kështu i do Shqipërinë e shqiptarët, me halle, probleme, pa shtyllë kurrizore e të nënshtruar që t’i sundojë.
Ndiej keqardhje e trishtim të thellë, por edhe një ndjenjë të fortë faji e përgjegjësie për këtë rast tragjik.
Që bëhet edhe më tragjik për faktin se ndodhi në Vlorë, por edhe se ndodhi pikërisht në Ditët e Ndërgjegjësimit për Luftën kundër Dhunës ndaj Grave.

*Deputet