Nga Nebil Çika

Për faqen e tyre të zezë dhe fatin tonë të keq, qeveria, institucionet kulturore e artistike dhe media shqiptare kaluan në heshtje përvjetorin e lindjes së një prej mendjeve më të shquara të lerave shqipe, studiuesin dhe poetin e shquar Martin Camaj. Në të vërtetë, nuk prisja ndonjë hyjnizim të tij, pasi ai vazhdon të shihet ende si “armik” dhe në situatën politike që ndodhet vendi, “biografia” e tij vazhdon të jetë ende një problem për ata që e kanë detyrë promovimin e vlerave kulturore shqiptare. Kur shkruaj këto fjalë, jam i bindur plotësisht për faktin që nuk është Camaj ai që ka nevojë për Shqipërinë, por Shqipëria për poetin e saj të madh. Sigurisht që Camaj është një armik për komunizmin shqiptar jo vetëm me mendje e penë, por me armë ne dorë, si pakkush nga intelektualët tanë antikomunistë. Edhe pse shumë i ri, ai mori pjesë me armë në dorë në rezistencën kundër partizanëve komunistë në veri derisa u arratis nga vendi. Pikërisht koj veprimtari bëri që ai të trajtohej si armik gjatë diktaturës komuniste e të jetë i papranueshëm sot në pushtetin e pasardhësve të tyre politikë e gjenetikë. Por siç tash jemi ne ata që kemi nevojë për Camajn e nuk mund të heshtim kur një qeveri në konflikt ideologjik e personal interesi injoron një vlerë kaq të madhe kombëtare injorim që paturpësisht injektohet edhe tek mjetet e informimit publik dhe institucionet e shoqatat kulturore shqiptare. Nuk dua të përqendrohem këtu tek vlerat e Camajt, pasi ai është i njohur për ata që kanë dashur ta bëjnë një gjë të tillë, por nuk mund të mbyllim dot sytë përballë këtij sistemi antivlerash të instaluar në kulturën zyrtare shqiptare. Shtypi shqiptar është i mbushur çdo ditë me “zbulime” veprash të harruara të realizmit socialist dhe debateve të pështira të shkrimtarëve komunistë që shajnë e promovojnë njëri-tjetrin duke dominuar vëmendjen e opinionit dhe shpëlajnë trurin e rinisë, e cila nuk e di çfarë ishin këtë përbindësha vetëm 24 vjet më parë. Ditarë e letra langaraqësh të ish-drejtuesve komunistë, autorë të krimeve monstruoze, i jepen publikut si risi dhe vlera historike e kulturore, duke krijuar idenë se çorba e përgjakur e komunizmit ishte në fakt një vlerë apo më mirë të themi e vetmja “vlerë” kulturore kombëtare për 50 vjet. Mendoj se është pikërisht dominimi i kësaj çorbe socrealiste mbi institucionet zyrtare dhe shumicës së mjeteve të informimit arsyeja kryesore që Martin Camaj dhe harrohet dhe injorohet në shtetin shqiptar. Është shumë e thjeshtë të nderuar lexues në se opinionit publik, nxënësve studentëve e te tjerëve do t’u jepej mundësia të njiheshin me vepër e Camajt, Koliqit, Pipës, Luzajt e të tjerë mjeshtër të letrave shqipe që u detyruan të punonin jashtë vendit këto “këllirat” kulturore të realizimit socialist do të ishin diskredituar me kohë. Ndërkohë që “harrohen” Camaj me shokë qeveria dhe rrethet kurore kanë guximin të festojnë me madhështi përvjetorin e simbolit të letërsisë kriminale të realizmit socialist Shefqet Musarai, ndoshta shkrimtarin më të politizuar të komunizmit autor i bejtes terroriste “Epopeja e Ballit” inspirues i drejtpërdrejtë i luftës së klasave dhe i krimeve të tjera të komunizmit në letërsinë komuniste. Të guxosh të përkujtosh me tamtame të mëdha Musarain e të “harrosh” Camajn dhe përvjetorin e tij është një situatë që nuk do koment. Por inati qeveritar me Camajn nuk është vetëm historik. Vepra i tij ashtu si ajo e Koliqit, Pipës, Luzit etj., shkrimtarë të shpallur “armiq” nga komunizmi vënë në siklet shumë autoritete politike, kulturore e mediatike të Shqipërisë së sotme zyrtare. Një nga poezitë e Camajt që mua më pëlqen më shumë, është “Vrasja e poetit”. Përveç mesazhit universal si poezi, ajo gjithnjë më ka krijuar idenë se u kushtohet poetëve tanë të varë nga diktatura komuniste, Xhagjikës, Blloshmit, Lekës e sidomos Nelës, poetit të fundit të varur në Evropën komuniste e ndoshta edhe më gjerë. Është një poezi epitaf për poetët martirë, por edhe një pasqyrë e te vërtetës për ata që i vranë. Kur mua sa herë lexoj këtë poezi më shkon mendja tek vrasja e poetëve tanë, nuk diskutohet që vrasësve apo të tjerëve lidhur me ta u shkon e u shkon. Por ne e dimë gjithashtu se një prej autorëve që Camaj i cilëson si “shpend mishngranës me fytyra njerëzore” ishte dhe i ati i shefit të qeverisë, me të cilin ai krenohet vazhdimisht dhe publikisht. Në këto kushte, kush nga qeveria, Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave apo edhe medieve do të guxonte t’i kremtonte ditëlindjen apo edhe më keq, t’i botonte poezinë. Besoj se është i qartë dhe i pritur gjithashtu qëndrimi i Shqipërisë zyrtare e publike ndaj kolosit Martin Camaj dhe kolosëve të tjerë të letrave shqip, armiq të komunizmit. Dukem i dëshpëruar?! Po, jam, megjithëse shpresoj shume që një ditë të kthehemi serish tek vlerat tona që kanë shkëlqyer, na kanë nderuar në botën e qytetëruar perëndimore. Deri atëherë kënaquni me Musarain, Jorgaqin, Çulin e të tjerë spiunë e zvarranikë helmues të realizmit socialist shqiptar. E di që ky shkrim nuk ka asnjë mundësi të ndryshojë gjë, por nuk mund të rrija pa hedhur dy radhë si një qiri urimi njëherazi edhe homazhi për një mjeshtër nga më te mëdhenjtë të letrave shqipe.

 

VRASJA E POETIT…

Martin CAMAJ

Liria e fshehun mbas vargjeve

Të poezisë

Nuk ishte vetëm:

Para tyne rrishin galue roje

Shpend mishngranës

Me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë

Tue u rropatë ka drita në qelq,

andej kufijve të botës

njerëzore.

 

Botuar në “Standard” 23 korrik  2014