NJE NËNVIZIM JASHTËPOLITIK

 

Sipas opinionit tim është e pamundur që Sherbimi Informativ i Shtetit të mos ketë poseduar a të mos ketë informacion të detajuar lidhur me aktivitetin financues ilegal të mediave a mediumeve shqiptare nga të huajt, përfshirë dhe financimet greke.

Mediatizimi i financimeve greke mbas deklaratave të institucioneve të shtetit fqinj, sigurisht revolton, shton kureshtjen dhe ngre pathosin patriotik të disa mediave të tjera që nuk i prek ky sensacion grek.
Por ajo që minimalisht duhet të kujtojmë është se burimi për mediat është vetë fqinji, një vend i NATO, i cili shumë mirë, siç ka ndodhur në të shkuarën mund ta konsumonte brenda institucioneve të veta edhe pa e mediatizuar. Po nuk ka ndodhur pikërisht se shteti i tyre funksionon, nderkohë dhe njeh përgjegjësitë përpara partneritetit të një shteti tjetër të NATO-s si Shqipëria.

Nderkohë ngrefosja në patriotizëm e mediave të paprekura, duhet marrë me rezerva, mbasi nuk është vetëm partneri ynë i NATO-s që ka konsumuar një akt të tillë…

Por sa i takon këtij fakti, mediat tona serioze dhe tërësisht shqiptare, do të bënin mirë të merreshin kryesisht me ekzistencën dhe rrugën e këtij informacioni nga sherbimi inteligjent brenda institucioneve tona kushtetuese të sigurisë se vendit. Të investigonin, hulumtonin e analizonin ku ka ngecur, kur, pse, dhe sa është masa e heshtjes diplomatike…, arsyet.
Cili prej institucioneve tona ka konflikt interesi të drejpërdrejtë me këtë veprimtari, Presidenca, Qeveria, Parlamenti me kryesinë dhe komisionin e Sigurisë, Prokuroria e përkohëshme e Pergjithshme, Ministria e Jashtme apo e Brendshme.
Prej këtu mund të dalin përgjegjësi direkte për gjendjen e mjerë të Shtetit shqiptar.