Një “krodhë bukë”…

.

Nga Vangjel KOÇA

Shqiptari ka parime për jetën e tij vetjake, për jetën familjare, po nuk ka dhe nuk çmon parime për atë që thuhet “interes i përgjithshëm”.

Kjo gjë rrjedh edhe nga fakti se Shqiptari përmes kaq shekujve robërie u mbyll në veten e tij, në familjen e tij, dhe nuk pati raste që ta derdhë këtë “ego” në sheshin altruistik të interesit të përgjithshëm.

Prandaj psikosinteza e shqiptarit është e ngushtë, egoiste, nuk e njeh dhe nuk e ndjen gëzimin e altruizmës; i mungon elementi i përgjithësimit, fuqia e abstraksionit, që i japin jetës një kuptim totalitar.

Po të jetë ndonjë shqiptar që për fat të keq, të tillë shqiptarë janë shumë të paktë sot! – dhe që të ketë të tilla parime, të përpiqet për to dhe të sakrifikohet për to, menjëherë do të shohësh njerëzit të tundin kokën dhe të thonë:

-Mirë se ç’pësoi! Ç’i duheshin atij këto gjëra? Nuk shikonte punën e tij dhe të hante një “Krodhë bukë?”

“Krodha buke” është “puna” e vetme e shqiptarit sot. Në këtë “krodhë” qëndron sot tërë ideali i jetës. Një çikë sikur të rre zikohet ose të humbasë kjo “krodhë” shqiptari e quan vetveten të humbur.

 

Interesi i përgjithshëm për shqiptarin është një “res nullius” dhe prandaj është një gjëmë e madhe të humbasë “krodhën” për një gjë që s’është e asnjeriut. Për këtë shkak shqiptari, si kolektivitet, nuk çau kokën as për çlirimin e tij nga skllavëria turke, çlirim për të cilin romancierët e historisë dhe pseudoromantikët e nacionalizmës le të më japin leje të shpall këtu një herezi.

–Vetëm pemë e përpjekjeve të pak shqiptarëve si edhe e lodrave të interesave politike të huaja ndryshuan fatin e Shqipërisë. S’më dalin akoma nga mendja fjalët që dëgjova atëherë nga shumë gojë të popullit, kur Qeveria turke zuri një komit shqiptar dhe xhandarët e shkonin nga mesi i pazarit që ta shpinin në “hapsanë”.

-Edhe ky “spurdhik” të matet me një goxha Dovlet? S’i japin një dru të mirë që të vërë mend?

“Spurdhiku” i shkretë që vuante për një interes të përgjithshëm” nuk shkëputëte as ndonjë simpati, nuk kish as ndonjë kuptim për mendjen e popullit, në sytë e të cilit vlente vetëm një “dru të mirë”!

Po në këtë gjë nuk mbeten shumë pas edhe ata që populli i quan “intelektualë”, njerëzit që kanë kapërcyer prakun e ndonjë shkolle të madhe a të vogël dhe kanë stolisur qafën e tyre edhe me kravatë. Nga këta “intelektualë” ka njerëz që kanë haber nga parime, përpiqen për to, po qëndrojnë menjëherë në prakun e sakrificës.

Kur shohin të tjerë që përpiqen dhe e pësojnë, thonë menjëherë me mëndjen e tyre:

-Bravo! Po më mirë që s’u ndodha edhe unë! Ç’më lypsej mua ky “kukurec”!

Nga njëra anë: “bravo” për parimet, po në një kohë e sipër nga ana tjetër edhe “kukureci” për lëkurën e vet. Kjo dualizmë tragjike e shpirtit të “intelektualit” shqiptar është për të vajtur dhe të vë në mejtime.

Është trashëgim i shpirtit të popullit, po me një tendencë të dobët edhe për “interesin e përgjithshëm”.

Një simptomë e mirë për të nesërmen shqiptare, po një akuzë e rëndë dhe e drejtë për brezin e sotëm. Për kët brez është edhe përfundimi i asaj filozofizme, e cila loz me idetë dhe me në fund tallet me mendimin.

Sot mbretëron moda e filozofisë së kontigjentizmës, domethënë e filozofisë “nga fryn era”! Adhurimi i verbër i ngjarjes, mburrja e tepërt dhe servile e suksesit, admirimi për çdo gjë të jashtme formale e pa vlerë, robërimi në pasionet më të dobëta, kulti shtazarak i violencës, gjahu i ethshëm i floririt dhe i nderimeve, mosinteresimi dhe për buzja për vlerën dinamike të ideve dhe për fuqinë morale të parimeve.

Por që të ndryshoj jeta shqiptare dhe ta vëmë atë në udhën e një fati më të lartë e më të ndritur, duhet që vendin e pemëve të sipërme të filozofisë “nga fryn era” ta zëmë me disa të vërteta qëndrore, me disa porosira morale themelore të përjetshme, në të cilat njihen popujt e qytetëruar dhe të cilat janë pema e një edukate të tërë edhe e dramës mijëvjeçare të historisë.

Lartësia e vërtetë nuk arrihet pa dritën ideale të parimeve morale, të cilat janë për ndërgjegjen si ylli që është për detarin. Të shartojmë, në brezat e nesërm besën për parimet, luftën për parimet, sakrificat për parimet, kundër mohimeve dhe shtrembërimeve të oportunistëve të jetës dhe të parimeve false.

“Krodha bukë” duhet të bëhet “spurdhiku” që matet me një goxha Dovlet: me Dovletin shpirtëror mëkatar që na ka lënë trashëgim e shkuara jonë historike!

Viti 1. Nr.2 “Illyria” 1934