Një herë tradhtar, gjithmonë tradhtar!

Enver Bytyçi

Në ekranet televizive, në biseda dhe debate të ndryshme disa analistë të grupimit Rama-Thaçi-Vuçiq shpesh herë ironizojnë me përdorimin e termit tradhtar për autorët shqipfolës të ndarjes së Kosovës. Dhe cilët janë këta? Janë pikërisht politikanë, analistë, gazetarë, botues, drejtues emisionesh, të cilët në prillin e vitit 1999 akuzuan për tradhti presidentin historik të Kosovës, pse ai ishte i vendosur ta ndante fatin e tij me fatin e Kosovës e të mos largohej prej aty dhe pse ai u mor peng nga krimineli Milosheviç.

Pikërisht ky grupim kameleonësh janë kundër etiketimeve dhe akuzave për tradhti të Hashim Thaçit, Edi Ramës dhe Baton Haxhiut. Jo vetëm nuk pranojnë ta përdorin këtë në adresë të të lartpërmendurve, por atakojnë dhe ironizojnë politikanët, analistët, opinionistët, gazetarët dhe qytetarët, të cilët ndajnë mendimin se ndarja e Kosovës është akt tradhtie. Eshtë kriminale nga pikëpamja morale, kur kjo kategori e heq veten si moderne, ndërkohë që akuzon kundërshtarët për patriotizëm arkaik. Ndër më të zellshmit kundër etiketës tradhtar është vetë tradhtari, Baton Haxhiu. Por edhe Rama e përdor këtë ironi, me qëllim të mbulojë me shoshë pisllëqet e veta në bashkëpunim me Aleksandër Vuçiq kundër sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës.

Para disa muajsh Baton Haxhiu hiqej patriot i madh, sepse ai pas copëtimit të Kosovës do ta krijonte Shqipërinë e Madhe, pra do ta realizonte siç thoshte ai ëndrrën e shqiptarëve për bashkim kombëtar. Tani thjesht pyet se kur ishte Hashim Thaçi tradhtar, atëherë kur pranoi asosacionin e komunave serbe, apo sot, kur po kërkon ndarjen e Kosovës?!

Në përgjigje të kësaj dileme, që Batoni nuk paska mundur ta zgjidhë ende, më duhet të sqaroj si më poshtë.

1. Neni 2 pika 2 e Kushtetutës së Kosovës ndalon rreptësisht ndarjen e tjetërsimin e territorit të Kosovës. Sipas ligjit kosovar dhe të të gjitha vendeve në botë tentativa për tjetërsimin e territorit gjykohet dhe dënohet si akt tradhtie e rëndë dhe dënohet deri me burgim të përjetshëm. Dëshmitë që kanë dhënë Batoni, Hashimi dhe Edi Rama në studiot televizive janë të mjaftueshme që çdo prokuror normal dhe i përgjegjshëm për profesionin e tij duhej të ngrinte akt-akuzë për tradhti kombëtare për këta të tre përkrahësit e flaktë të ndarjes së Kosovës.

2. Nëse Hashim Thaçin opozita e dikurshme e thirri me emrin tradhtar për firmën që hodhi për asosacionin serb, kjo thirrje rezultoi e saktë në rastin e angazhimit të tij për ndryshimin e kufijve. Ndërsa parimisht kur dikush është një herë kriminel ai mbetet gjithmonë i tillë. E njëjta gjë mbetet të thuhet edhe për tradhtarët. Një herë tradhtar, gjithmonë tradhtar! Këtë rregull e njeh shumë mirë Baton Haxhiu, sepse ka eksperiencën personale të tij. Prandaj Batoni nuk ka pse e shet si dilemë pyetjen se kur presidenti i Kosovës ishte apo është tradhtar, para tre-katër vitesh, apo në këtë periudhë mbi njëvjeçare të përpjekjeve të tij për tjetërsimin e kufijve të vendit të vet.

3. Tradhtia si akt është konsumuar prej Hashimit, Edit dhe Batonit gjithashtu nga pikëpamja ligjore e morale. Sipas ligjit asnjë kryefamiljari nuk i lejohet të shesë apo të fale pasuritë e patundshme të familjes pa dakortësinë e të gjithë anëtarëve madhorë të familjes. Por presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në bashkëpunim me Edi Ramën dhe Baton Haxhiun tentoi që të falë territorin e shtetit dhe vendit të tij pa konsultime me qytetarët e vendit të tij, madje pa konsultime me institucionet e Kosovës, përfshirë kryeministrin e Kosovës, zotin Ramush Haradinaj. Vetë fshehja e projektit, përpjekjet dhe bisedimet sekrete edhe nga institucionet kushtetuese të vendit, janë akte tradhtie morale e politike, fakt i mjaftueshëm që cilido president në botë të marrë valixhet e të shkojë para drejtësisë.

4. Dhe së fundi një detaj nga diskursi i Baton Haxhiut. Ndërsa në pyetjen se e kujt ishte ideja e shkëmbimit të territoreve ai përgjigjet se nuk e di, në raste të tjera ai kërcënon kundërshtarët e ndarjes së Kosovës se këta paskan për ta parë idenë gjeniale të tij për ta shpërblyer Serbinë e Madhe me territoret e shqiptarëve kur ajo të realizohet në tetor apo në nëntor të këtij viti. Ai që nuk pranon të shprehet për autorësinë e ndarjes së Kosovës, kërcënon shqiptarët se kjo do të ndodhë pas disa muajsh. Ky lloj diskursi i tij na bën me dije se Rama, Thaçi e Batoni, të mbështetur gjithashtu nga dy ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, nuk kanë heq dorë nga plani i tyre, pavarësisht nga ajo që rekomandoi Samiti i Berlinit i 29 prillit.

Kjo e dhënë duhet të shërbejë si indice tjetër që veprimtaria tradhtare në grup e konsumuar dhe në konsumin e sipër të hetohet dhe ndëshkohet ligjërisht nga drejtësia në Kosovë e në Shqipëri. Ndryshe atdheu i shqiptarëve me emrin Kosovë do vazhdojë të jetë në rrezik prej tradhtarëve shqipfolës.

Tiranë, më 08.05.2019