Një ëndërr e përmbushur

Nga Albert AVDULI

Marsi do ta quaja muajin që bekoi shqiptarët. Edhe pse me emrin e tij personifikohet Zoti i Luftës, ai paqen na pruri. Si “Mars” që është nuk na e bëri dhuratë, por mbasi na vuri në sprovën e përleshjes, nuk ngurroi aspak që kurorën me dafina ta vinte mbi kryet e fitimtarëve paqësorë. Ky muaj e meriton shenjtërimin pa ngurrim. Në një tjetër vit të largët, 2 mars 1444, në Lezhë, prijësit shqiptarë konturonin shtetin e Arbërit. Filloi ngjizjen ndërgjegjja e kombit. Në historinë tonë, ai festohet edhe si muaj që na solli iluminizmin, na pruri shkollën shqipe.
Marsi i vitit 1992, në botën shqiptare, po fekste një diell të ri. Diçka më shumë se një vit më parë ishte krijuar Partia Demokratike. Ardhur, krahas faktorëve të tjerë, si padurim i një populli për ndryshim, kjo forcë politike, dëshmoi se nuk ishte një meteor. Ndriçoi si e tillë, por nuk e shkrinë sfidat. Ajo kishte lindur si mishërim i një populli për liri. Rreth saj u grumbulluan studentë, intelektualë, punëtorë, artistë, bujq, antikomunistë tradicionalë, ish-të përndjekur politikë, rebelë të ndrydhur. Shfaqja me petkun studentor ishte një metaforë mbresëlënëse dhe shpresëmadhe. Brendia, programi i saj, vullneti, qartësia, ishin po aq vitale sa forma. Ndoshta ishte i pari premtim i pashprehur se, forca e re do të mbartte gjithmonë vlerat më të mira të kombit dhe energjinë e pashtershme që rinia sjell.
Marsi i atij viti do të hynte në historinë e Shqipërisë si muaji që do të ndante dy botë, dy kohë. Rilindte një epokë e re. U përballën në betejë elektorale diktatura më e egër e kontinentit dhe një parti e re. Po përsëritej episodi biblik i Davidit dhe Goliathit. Epilogu qe saktësisht si në tekstin profetik. Komunizmi u thye. Një popull që në shumicë absolute votoi projektin e së ardhmes, një mit ishte rrëzuar gjithashtu. Sizifi mund të dilte dhe fitues. Këtë vend të skajit perëndimor të gadishullit, rrethanat gjeopolitike e patën lënë nën sundimin e Lindjes. Lindja, doktrina e saj, ishte aq cinike sa pillte vetëm vdekje dhe ndërtonte burgje.
Fitorja erdhi në të njëjtën ditë me festën kryesore të besimtarëve bektashinj, “Sulltan Novruzi”. Dogma e këtij sekti, në kalendarin e saj, e shënon datën 22 mars si ditë, ku, nga letargjia dimërore rilind jeta. Përkonte pra, mrekullisht me dëshirën e gjithë shqiptarëve për prosperitet, për rilindjen tonë. Këtu nisi historia e re e një populli të vjetër. Doktor Berisha, Kryetar i PD-së atëherë (sikurse sot), në mbrëmjen e asaj date u shpreh: “Ky popull, në genet e tij ka vokacion perëndimor. Shqiptarët votuan sot për lirinë, demokracinë, pronën, familjen, Evropën, Zoti e bekoftë këtë vend. Tashmë nis një kohë e re”.
Në, një grup studentësh të asaj kohe, në ditaret tanë, në fletoret e leksioneve, datën e shënonim sipas kalendarit të ri. Për të qenë i saktë po jap shembullin e mëposhtëm: Një ditë mbas fitores, ne shënuam edhe nëpër mure, datë 23 mars, koha e re. Për ditë e ditë të tëra, në aspektin fizik kemi bërë të njëjtin shënim. Jam i sigurtë se në mendimin e shumicës dërrmuese të të rinjve të atij brezi, shënim i tillë, mbetet permanent në mendim.
Dy dekada më parë, toka dhe qielli i Shqipërisë, jehonin nga katër fjalë sunduese: “Komunizëm, Zot, demokraci, Evropë”.
Artikulimi i së parës mbartte urrejtjen 50-vjeçare. Ajo nxinte dhe kullonte gjak, burg, varfëri. Ideologjia e kuqe kishte ndërprerë mijëra jetë, disafish më shumë i kishte burgosur e internuar. Të mbijetuarit ishin në minimumin jetik. Izolimi nuk ishte një fantazi, por një realitet vrastar.
Me teorinë e krijimit të “njeriut të ri”, jo vetëm u lavazhua truri njerëzor, por ëndrrat s’arrinin të lindnin. Ne ishim produkt i formave të edukimit dhe të “mënyrës së jetesës komuniste”, por ende nuk kishim pësuar mutacionin gjenetik që të pranonim përjetësisht robërinë.
Një gulag i madh prej 28000 km2 sundohej nga një çetë kasapësh. Jo, jo kasap. Këta janë më të butë me kafshët që therin. Mundohen, që teksa ju vënë thikën, t’ju shkaktojnë sa më pak vuajtje.
Këta, prijësit e zinj që sundonin vendin, ishin sadistë, këta kënaqeshin jo vetëm me vdekjen, por edhe me vuajtjen që i shkaktonin viktimës, pasardhësve, miqve, shokëve.
Urrenin Zotin dhe fenë. Shkatërruan faltore e objekte kulti. Këta xhelatë vranë prift e hoxhë, dervish e murg. Kishin neveri ndaj dashurisë, dhunuan e përdhunuan një popull të tërë.
Këta, pa e njohur “sindromën e Stokholmit” kërkuan që edhe pse e viktimizuan, ky popull duhej t’i donte. E vetmja dashuri e lejuar në vitet e zeza të mënxyrës së kuqe. Fatmirësisht, virusi antinjeri që na ishte vaksinuar që në Lindje nuk kishte arritur ta shprishte gjakun tonë.
Shqiptimi i së dytës (Zot), mori dy trajta, ëmbëlsisht tingulluese të dyja. Trajta e parë kishte lidhje me shpirtin. Jehonte bukur në gojën tonë, në qiellin tonë, përdëllimi për Zotin, krijuesin, Perëndinë. Kishim që nga viti 1967 (edhe pse unë dhe të tjerë në atë mënxyrë-vit ende nuk belbëzonim), që na ndalohej të besonim në atë fuqi hyjnore. Zot i vetëm u shpall partia dhe i dërguari i saj një profet-djall me emrin Enver. E famshmja triniti e shenjtë (At, Bir, Shpirt) u zëvendësua nga binomi Parti-Enver.
E dyta kishte lidhje me dinjitetin tonë. Në shoqërinë hipokrite nga vinim, ishim të detyruar që të gjithë ta quanim njëri-tjetrin shok, paçka se ndasitë ishin sa një mal. Tashmë, krenarisht, shoqërohej emri i secilit mbas titullit “zotni”. Na kishin munguar të dyja dhe nuk ndjenim të ngopur me fjalët magjike, Zot, zotni. Nuk i kishim humbur, vetëm sa i kishim fshehur në shpirtin tonë.
Fjala e tretë, dimensioni tjetër, ishte “Demokraci”. Kjo fjalë nuk kishte munguar në bagazhin e fjalorit tonë të përditshëm. Përdorej rëndom si demokraci popullore. Në këtë formë, etimologjia na shpjegon, se ne thonim diçka shumë qesharake, pushtet popullor i popullit. Në tërësinë e tij, s’kishte asgjë gazmore, tragjedi po. Vlonin qytetet e fshatrat tona nga kjo fjalë, të cilën e dëshironin në gjithë përmasat e saj. Votuan realisht dhe zgjodhën përfaqësuesit e tyre. Respekt e përgjegjësi për votën dhe dinjitet për vete. Aspironim demokraci dhe brenda këtij koncepti nënkuptonim, familje, pronë, besim, liri, ligj, mirëqenie, shtet, krenari kombëtare.
E katërta fjalë që dëgjohej e shkruhej më shpesh ishte “Evropë”. Na kishin shkëputur nga trungu jonë dhe dhembja ishte e papërshkrueshme. Mbase më mirë nga çdo popull, ne e dinim se çfarë ishte gjymtyra e prerë. Na kishin hequr trojet etnike në vitin 1913 dhe cung na kishin lënë. Na mungonin të dyja, Evropa dhe Kosova. Na kishin izoluar nga Perëndimi i kulturuar dhe i qytetëruar. Populli që mburojë kishte qenë para 500-vitesh ndaj këtyre vendeve, befas mbeti pa komunikim.
Në mars të vitit 1992, po ktheheshin të gjitha në vatrën, në racën që aq fort i kishte pritur. Ktheheshin lirshëm si nocione. Krijimi dhe maturimi i plotë kërkonte punë e sfida të reja. Një mori pengesash që kërkonin vullnet absolut për t’u kapërcyer. Barrë të tillë mori përsipër forca e re politike, Partia Demokratike e Shqipërisë. Kanë kaluar 20 vite dhe vendi është zhvilluar në të gjitha fushat e jetës. Demokracia është funksionale dhe ekonomia konsolidohet përditë. Liri mendimi, fjale, veprimi, besimi. Shqiptarët kanë pronat e tyre dhe dinë të bëjnë pushime e turizëm. Universitetet kanë hapur auditorët dhe përkatësia partiake, fetare, racore nuk privon askënd nga kjo e drejtë themelore. Vendi është anëtarësuar në NATO dhe lëvizja në Evropë është e lirë. Një ëndërr që u përmbush në kaq pak vite.
E gjitha startoi në mars të vitit 1992. Ka dhe dy data të tjera të bekuara ky muaj për ne shqiptarët. Ndaj e meriton ta pagëzojmë “Shenjt Marsi”.

Botuar ne 18 Mars, 2012