Nishani nga ‘Foltorja’ e Berishës: Largimi i Bashës nxjerr PD-në nga kriza

 

Ish-presidenti Bujar Nishani iu bashkua sot Foltores së ish-kryeministrit Sali Berisha në Gjirokastër.

Nga qyteti i gurtë, Nishani deklaroi për mediat se lëvizja e Berishës është e vetmja alternativë për ta rikthyer PD-në në alternativë qeverisëse.

 

Sipas tij, hapi i parë është largimi i Bashës kjo për të nxjerrë PD-në nga kriza, ndërsa më pas duhet të nisë procesi i bashkimit të partisë.

“Thelbi i lëvizjes, shqetësimi, angazhimit, debatit është se çfarë do të ndodhë sot me PD, si opozita, si element i garantimit të shoqërisë dhe garantimit të pluralizimit politik. PD ka humbur sot jo vetëm identitetin e saj si parti, por ka humbur edhe forcën për të qenë alternativë qeverisëse. Nuk ka asnjë alternativë tjetër sot përveçse PD të dalë nga kjo gjendje krize, nga kjo gjendje kllapie ku ndodhet dhe unë besoj se lëvizja e z.Berisha është mekanizmi më i mirë për t’i hapur rrugë këtij procesi. Pra, shmangia e pengesës kryesore është hapi i parë, që është largimi i z.Basha nga drejtimi i PD dhe hapi i dytë është edhe më i rëndësishëm, për të parë si do ndërtohet procesi i bashkimit të PD, i kurimit të problemeve të saj, modernizimit dhe hapjes së saj. Duhet të bëhet gati si një alternativë reale e qeverisjes”, u shpreh Nishani.

Edhe ish-kreu i shtetit hodhi hije dyshimi për një bashkëpunim të mundshëm PD-PS.

“Pra, ju e shihni që qeveria aktuale e mbushur me skandale dhe korrupsion masiv nuk ka frikë nga ligji sepse ka kontroll mbi institucionet ligjvënëse, por nuk ekziston as frika e opozicionit”.