Nis sesioni i ri parlamentar, Berisha nuk mban premtimin,mungon në Kuvend 

Kuvendi është mbledhur sot për herë të parë për këtë vit, në sesionin e ri. Seanca nisi me një minutë heshtje në shenjë nderimi ndaj presidentit të ndjerë të PE-së, David Sassoli, i cili u nda nga kjo jetë javën e shkuar.

Ajo që vihet re është mungesa e ish-kryeministrit Sali Berisha në nisje të seancës, ndonëse disa ditë më parë në tha se do të jetë i pranishëm në Kuvend.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla bëri me dije se prioritete të Kuvendit do të jenë mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, zgjatja e organeve të vetingut dhe reforma zgjedhore, por pa lënë mënjanë nismat e propozuara ose që mund të propozohen në respektim me Kushtetutën.

“Ky sesion do të jetë sesioni i mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare, këtë e dëshiron përveç nesh që jemi këtu dhe popullit shqiptar, edhe Komisioni Evropian dhe të gjitha vendet anëtare. Ndërkohë Kuvendi do të hartojë të zbatojë planin e veprimit të Komisionit Evropian që përbëhet nga 22 masa dhe 11 nënmasa. Reforma e drejtësisë do të jetë një proritet edhe gjatë këtij sesioni për zgjartjen e mandatit të organeve të vetingut. Kuvendi do të përmbushë në kohë vakancat në mënyrë që sistemi i drejtësisë të funksionojë.

Reforma zgjedhore do të jetë një tjetër prioritet i sesionit të ri parlamentar, bashkëpunimit me OSBE për realizimin e rekomandimeve.Veprimtaria gjatë këtij sesioni do të përqëndrohet në garantimin e lirive dhe të drejtave, si dhe mirëqënies së qytetarëve. Gjatë sesionit të kaluar deputetët u përqëndruan në luftën kundër dhunës së grave. Gjatë këtij sesioni do të konkretizohen këto rregullime ligjore në bashkëpunim me shoqërinë civile. Komisionet do të shfrytëzojnë më së miri punën e tyre për të prodhuar akte ligjore që tu paraprijnë nevojave të zhvillimit të vendit. Kuvendi do të vijojë të mbësjhtesë nismat e nisura por dhe ato që do të propozohen në respektim të Kushteutës”, tha Nikolla