Ngrihen afër 6 milionë euro në rastin “Brezovica”

 

Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë njoftuan se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.

Më 6 janar, Policia e Kosovës bastisi nëntë lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë, përfshirë edhe disa zyra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në këtë aksion janë arrestuar katër persona, përfshirë edhe zyrtarë të kësaj ministrie.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, tha në një konferencë për media, se të arrestuarit dyshohen për veprat keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe marrje të rryshfetit.

“Me vendim të prokurorit, sot është ndaluar për 48 orë Bedri Halimi, kryeinspektor i Ministrisë së Mjedisit nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjithashtu është ndaluar ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe marrje të ryshfetit. Gjithashtu me vendim të prokurorit është ndaluar edhe një qytetar, respektivisht një investitor në Brezovicë nën dyshimin se ka kryer veprën penale ushtrim i ndikimit dhe marrje e ryshfetit”, tha Jashari.

Aksioni i sotëm është vazhdimësi e hetimeve të 21 dhjetorit të vitit 2021, me ç’rast u arrestuan dhjetë persona, përfshirë edhe ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, i cili dyshohet për dhënien në mënyrë të kundërligjshme të lejeve të ndërtimit në Brezovicë.

Prokurori i çështjes, Rasim Maloku tha se shuma e ngrirë, dyshohet se është përfituar përmes veprave penale.

“Ajo çka është më e rëndësishme, gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetorit deri sot, nga të dhënat financiare që kemi siguruar nga bankat që posedojnë këta të pandehur dhe familjarët e tyre, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro”, tha ai.

Ndërkaq, kapiteni i Policisë së Kosovës, Agron Haziri, tha se përveç katër të arrestuarve, një është liruar, tre persona janë ndaluar me 48 orë dhe pesë persona janë në kërkim policor.

Ai tha se gjatë aksionit janë sekuestruar dokumente, vetura, armë, kompjuterë, telefonë dhe një uniformë e policisë së ish-sistemit jugosllav.

Ndërkaq, në xhirollogaritë e të pandehurve tha se përveç 5,389,000 eurove janë ngrirë edhe 86,146 dollarë amerikanë.

Prokurori i çështjes sqaroi se në Minstrinë e Mjedisit janë marrë një sërë dokumentesh përfshirë leje ujore dhe mjedisore.

Ndërkaq, sa i përket konfiskimit të përkohshëm të pronave të dyshuara që janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme në Brezovicë, Prokuroria tha se ende po heton për të gjetur pronarët faktikë dhe juridikë të tyre.

Arrestimet në dhjetor
Në fund të dhjetorit të vitit 2021, Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku gjendet edhe Brezovica.

Brezovica është e njohur për qendrën e skijimit.

Degradimi i Brezovicës

Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.

Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë.

Në krye të saj, që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021, ishte Nikolliq, nga radhët e Listës Serbe.

Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.