Nënpresidenti Pence pret presidentin Thaçi në Shtëpinë e Bardhë

 

Nënpresidenti amerikan Mike Pence priti sot Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një Kosovë sovrane, demokratike dhe të begatë.
Në një deklaratë të zyrës së Shtëpisë së Bardhë thuhet se nënpresidenti shprehu mirënjohjen për udhëheqjen e zotit Thaçit, së bashku me presidentin serb Vuçiç, për të avancuar dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Udhëheqësit ranë dakord, thuhet në deklaratë, për rëndësinë e avancimit të reformave për të forcuar sundimin e ligjit, për të luftuar korrupsionin dhe për të nxitur rritjen ekonomike.
Nënpresidenti shprehu mbështetje për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, nëpërmjet mjeteve kushtetuese dhe inkurajoi Kosovën që të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi për të zgjidhur këtë çështje të kahershme.