Negociatat, Greqia: Nuk bllokojmë, do vendosim kushte

Greqia nuk do të të bëhet barrierë në premisën e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Kështu citohet të jetë shprehur një burim i afërt me kryeministrin grek të porsazgjedhur, Kyriakos Mitsotakis, për të përditshmen “Kathimerini”.
Megjithatë, edhe pse burime jozyrtare nga Kryeministria greke parathonë se nuk do të ketë veto për dy shtetet fqinje, që deri tani zotërojnë vetëm statusin e vendit kandidat në BE, saktësojnë se Athina zyrtare do të vendosë disa kushte, në këmbim të dhënies së “dritës së gjelbër” për ecurinë e rrugëtimit të tyre evropian.
“Greqia nuk do t’i thotë jo askujt. Megjithatë, ajo do të vendosë kushtet e saj”, është shprehur burimi.
Sikurse është bërë e ditur edhe nga ish-kryeministri Alexis Tsipras, Athina pritet të kërkojë nga Shqipëria mbrojtje më të mirë të të drejtave të pakicave etnike greke në përputhje me traktatet dhe rregulloret ndërkombëtare. Ndërsa, nga Shkupi do të kërkojë zbatim të rreptë të Marrëveshjes së Prespës.
Ndërkohë, në muajin tetor, 27 vendet anëtare të Unionit, të përfaqësuara nga krerët e shteteve dhe të qeverive në Këshillin Evropianm do të vendosin çeljen ose jot ë negociatave me dy shtetet ballkanike.