Nebil Çika : Kampi i Tepelenës si Aushvici këtë se pranojnë palaçot. Kuvendi i PD-së, prova e sinqeritetit të Bashës me të përndjekurit

Nebil Çika tha në studion e Syri.net se në Shqipëri është shumë e lehtë të instalohet diktatura, pasi edhe opozita nuk po i përgjigjet me atë forcë që duhet.
Çika tha se shoqata antikomuniste e të përndjekurve politikë do të shohë sesa do të jetë përfaqësimi i saj në partinë Demokratike.
“Në fund të prillit do të shikojmë sesa do të jetë përfaqësimi ynë në Partinë Demokratike në zgjedhjet që do të mbahen në fund të prillit dhe pastaj do të shikojmë sesa i sinqertë ka qenë Lulzim Basha në atë ndjesë të para pak ditëve”, tha Çika.
I pyetur lidhur me deklaratat e historianit Pëllumb Xhufi në lidhje me Kampin e Tepelenës në kohën e diktaturës, Çika theksoi se nëse duhet një veting ai duhet të nisë nga historianët.
“Familja e Xhufit ka përgjegjësi të madhe në shtypjen e kundërshtarëve politikë. Shteti shqiptar po paguan me taksat tona njerëz që mbrojnë krimin. Familjarë të afërt të Pëllumb Xhufit kanë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, madje Xhufi është dhëndërr në familjen e Enver Hoxhës.
Kampi i Tepelenës ka qenë një nga më famëkeqët, kanë vdekur 300 gra dhe fëmijë. Ishte në një fushë të minuar, ishte një kamp shfarosjeje, i vetmi që nuk e pranon këtë është një palaço historian, si Pëllumb Xhufi”, tha Çika.
Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë, tha se komunizmi në Shqipëri nuk është përmbysur dhe sa herë vjen në pushtet Partia Socialiste, de fakto qeverisin komunistët.
Çika solli si shembull faktin që Gramoz Ruçi, i akuzuar për krime kundër njerëzit dhe gjenocid, jo vetëm është në Kuvend, por është Kryetar i Parlamentit shqiptar.
“Sot janë në qeveri dhe në krye të shtetit shqiptar pinjollët e kupolës së Partisë Komuniste, djemtë e anëtarëve të Byrosë Politike.

Jemi në një situatë kur komunizmi jo vetëm me fytyrat, por edhe me metodat. Po ju sjell në vëmendje ligjin për pronat, që dëmshpërblimin po e bëjnë jo me çmimin e tregut por të vitit kur janë sekuestruar”, tha Çika.
Në vijim ai tha se nga 20 rekrutimet e fundit që ka bërë SHISH, 19 janë ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe një prej tyre është djali i një ish-oficeri të sigurimit.
“Një grup njerëzish kanë marrë pushtetin dhe shtypën këtë popull. Sot janë një grup tjetër, pasardhës të komunistëve që po shtypin këtë popull.
Qeveria ka ngrirë dëmshpërblimin për të përndjekurit politikë. Ata janë shtresa më e varfër, kërkojnë t’u heqin trashëgimtarëve dëmshpërblimin, ky është një dëm që shteti shqiptar ia ka shkaktuar këtyre njerëzve”, tha Çika.