Nebil Çika: Hanxharët e dikaturës komuniste meritojnë vëtem një çmim: “Kampionë të terrorizmit “

Gazeta TELEGRAF

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë: Fakti që Ambasada USA në Tiranë dhe DASH kishte informacionin të plotë për veprimtarinë kriminale te ish prokurorit komunist Dvorani, viktima të të cilit ishin antikomunistët shqiptare pro-amerikanë, e bën edhe më të rëndë për ne këtë veprim të pashpjegueshëm
Në Shqipëri, vlerësimi i DASH për Ardian Dvoranin si “Kampion i antikorrupsionit në Shqipëri” ka ngjallur revoltë të madhe në shoqërinë civile, në shtresat e ish të dënuarve, të persekutuarve politikë, të familjarëve të viktimave politikë të diktaturës komuniste, por edhe më gjerë, edhe në Diasporën Shqiptare. Madje, sipas informacioneve, të gazetës “Telegraf” intelektualë dhe personalitete shqiptare të Diasporës në SHBA dhe Kanada kanë përgatitur dhe po nënshkruajnë një peticion për të përcjellë në DASH, për t’i kërkuar që të marrë mbrapsht vlerësimin për Ardian Dvoranin. Dje, Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë i ka dërguar një Letër të Hapur ambasadores së SHBA në Tiranë Yuri Kim, duke i kujtuar, se po bashkëpunon me njerëz, që dje, si prokurorë, hetuesë, gjyqtarë dhe ministra të regjimit komunist kanë dënuar shqiptarë, vetëm e vetëm pse kanë shprehur dashuri për demokracinë në SHBA dhe që kanë qenë armiq të betuar të Lirisë dhe Demokracisë të SHBA-së.

“Shumica prej nesh janë pushkatuar dënuar e internuar nga diktatura komuniste dhe xhelatët e saj, si Dvorani, pikërisht se donim Amerikën, që në atë kohe konsiderohej një krim politik shumë i rëndë”

Nebil Çika, Kryetar i Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet, se ambasada amerikane në Tiranë ka patur dijeni të plotë për veprimtarinë e Ardian Dvoranit, si hetues i diktaturës deri në vitet 1990, çka e bën edhe më të rëndë vlerësimin që DASH i bëri Dvoranit, sepse shumica e të dënuarve politikë, janë viktima pikërisht të vendimeve gjyqësore të këtyre prokurorëve, që sot i vlerëson DASH, ndaj zoti Çika thotë se ata janë kampionë të terrorizmit. Zoti Çika, pohon për gazetën “Telegraf” se Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë është gati të fillojë protesta para ambasadës amerikane në Tiranë, nëse DASH nuk merr mbrapsht, atë vlerësim të turpshëm.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

– Zoti Çika, këto ditë, Departamenti Amerikan i Shtetit në SHBA vlerësoi Ardian Dvoranin, si kampion të Antikorrupsionit, për kontributin që ka dhënë në Drejtësi deri tani, e në veçanti në Reformën në Drejtësi. Dvorani ka qenë prokurori që ka dënuar shkodranët në 1990, pse rrëzuan bustin e Stalinit. Ju si familje e persekutuar, si ndiheni që DASH vlerëson pas 30 vitesh, prokurorin e Diktaturës?

– E përcollëm me habi dhe zhgënjim këtë zhvillim, që nuk e prisnim, sidomos nga përafruesja e një vendi si SHBA te konsideruar nga ne si kampion i demokracisë dhe i antikomunizmit . Fakti që Ambasada USA në Tiranë dhe DASH kishin informacionin të plotë për veprimtarinë kriminale te ish prokurorit komunist Dvorani, viktima të të cilit ishin antikomunistët shqiptare pro-amerikanë, e bën edhe më të rëndë për ne këtë veprim të pashpjegueshëm dhe aspekt korrekt të shtetit tek i cili ne kemi pasur besim e adhurim të madh, ndërkohë, që shumica prej nesh janë pushkatuar dënuar e internuar nga diktatura komuniste dhe xhelatët e saj si Dvorani pikërisht se donim Amerikën, që në atë kohe konsiderohej një krim politik shumë i rëndë. Personalisht në emër të të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërisë, viktima te Dvoranit & Co kam informuar Ambasadën USA , DASH dhe Presidentin e SHBA për krimet e tyre, duke i kërkuar zyrtarisht dhe publikisht te mos i përkrahin persekutorët komunist të Shqipërisë. Kam informuar edhe KE dhe ish monitoruesen e tij për reformën në drejtësi në Shqipëri zonjën Calavera, duke ia specifikuar veprimtarinë kriminale te Dvoranit si prokuror i diktaturës komuniste. Pra ata nuk janë të pa informuar e dinë shumë mirë çfarë bëjnë. Dhe ata e dinë se çfarë bëjnë, nuk i fal as Zoti.

“Nuk mund ta besojmë e as ta pranojmë dot që përfaqësuesit e SHBA të nderojnë pikërisht xhelatët satlinistë që na vrisnin, dënonin e intrernonin ne, duke na akuzuar si agjentë e filo-amerikanë”

-Me këtë vlerësim DASH, që i bëri prokurorit të Diktaturës, çfarë mesazhi përcjell tek Ju, ish viktimat politike të këtyre prokurorëve?

– Dhimbje dhe zhgënjim! Tragjedi, po të llogaritës faktin se sa nga ne u sakrifikuan për besimin dhe dashurinë ndaj Amerikës vlerave dhe standardeve të demokracisë së saj. Në datën 26 shkurt 2021 ditën e përkujtimit të 70 vjetorit të pushkatimit të martirëve të bombës në Ambasadën Sovjetike nga varreza 22 martirëve tek Dëshmorët e Kombit, i kam kërkuar publikisht Shkëlqësisë së Saj Zonjës Yuri Kim të kapërcejë gardhin e varrezave, ngjitur me rezidencën e saj, e të shikoje se çfarë kanë bërë hanxharët e diktatuarës para se t’i dekorojë e vlerësojë ata, Diktatura është niveli më i lartë i korrupsionit politik në një vend dhe t’i japësh çmimin Kampion i antikorupsioni njërit prej xhelatëve të saj, nuk është normale e as humane dhe kur këtë e bën SHBA efektet negative janë shumë më të mëdha. Kemi mbështetur dhe admiruar thirrjet e zonjës Kim drejtuar partive politike shqiptare për të mos kandiduar në zgjedhje persona të papastër. Por refuzojmë me keqardhje qëndrimin me dy standarde që ajo vet po promovon si model të anti-korrupsionit llumin e përgjakur të diktaturës komuniste. Dvorani dhe të tjerët, prokurorët, hetuesit, gjyqtarët sigurimsat, drejtuesit politik dhe hanxharët e diktaturës komuniste meritojnë vetëm një çmim: Kampionë të terrorizmit!

“Dvorani dhe të tjerët, prokurorët, hetuesit, gjyqtarët sigurimsat, drejtuesit politik dhe hanxharët e diktaturës komuniste meritojnë vetëm një çmim: Kampionë të terrorizmit!”

– A mendoni se përfaqësuesit e ish të dënuarve politikë, të ish të përndjekurit politikë duhet t’i dërgojnë DASH një peticion që ky vlerësim ndaj prokurorit të Diktaturës të anullohet?

– Sigurisht. Personalisht kam mare mesazhe të shumta prej të përndjekurve politikë antikomunistë për reagime, peticione e protesta tek Ambasada, etj. Por kemi pritur këto ditë prej reagimit tonë dhe shumë qytetarëve të tjerë që nuk janë pjesa jonë t’i lemë kohë Ambasadës dhe DASH të reagojnë vetë e të korrigjojnë gabimin e madh që kanë bërë. Nuk është e lehte për ne të reagojmë ndaj një shteti, tek i cili kemi shpresuar shumë e për të cilin kemi sakrifikuar aq shumë. Nuk mund ta besojmë e as ta pranojmë dot që përfaqësuesit e SHBA të nderojnë pikërisht xhelatët satlinistë që na vrisnin, dënonin e intrernonin ne, duke na akuzuar si agjentë e filo-amerikanë. Besoj që martirëve tanë u lëvizin kockat në varr nga këto veprime që ata as do t’i kishin menduar kurrë. Por sigurisht që do të reagojmë shumë fort madje. Askush nga ne nuk e ka menduar që vetë Ambasada e SHBA dhe DASH do të merrte vendime të tilla, të cilat çojnë në zhgënjimin pikërisht të atyre që mbajtën me shpirt në dhëmbë, respektin dhe dashurinë për Amerikën në 45 vjet terror të ushtuar nga dovoranët stalinistë, antiamerikanë, kampionë të terrorizmit.