NE KUJTIM TE REVOLTES PER SHEMBJEN E MONUMENTIT TE STALINIT, SHKODER 14 JANAR 1990.

Nga Filip Guraziu

E sotmja në përgjithësi dhe momenti që jetojmë, përceptohet ma mirë, kuptohet ma thellë në qoftë se harmonizohet me të kaluemen. E kaluemja kontribuon për konsolidimin e të sotmës dhe të dyja së bashku projektojnë të ardhmen.
Shqipnia para pushtimit fashist dhe sundimit komunist, me të vertetë ishte e vorfen dhe me marëdhanie shoqnore pak të zhvillueme, por ishte njI vend ku parimet bazë të moralit pozitiv mbizotnojshin jetën shoqnore.
Pikërisht në momentin në të cilin bota përparimtare shkatërroi bishën fashiste, një kulsheder prej lindjes ju vërsul Shqipnis. Ngjyrën e kishte të kuqe dhe me gjak njollosi tokën arbnore. Me demagogji, por edhe me dhunë çoroditi mendjet naive të njerëzve të thjeshtë.
Për me sundue dhe për me i shërbye politikës së huej eleminoi me metodat ma të ulta mendjet ma të ndrituna të shqiptarve.

Historia e shqiptarve nuk kishte njofte ndonjiherë luftë civile si ajo që u zhvillue në vitet e luftës së dytë botnore.
Historia e shqiptarve nuk kishte pa ndonjiherë përdhunime, poshtnime, tortura, burgje dhe vrasje si në vitet e diktaturës komuniste.
Historia e shqiptarve nuk kishte njoftë kurrë atë demonizim të vlerave morale të kombit shqiptar; njëriu i ndershëm u shpall i poshtëm, spijuni – hero, krimineli – qingj i bekuem , njëriu i Zotit shejtan dhe shejtani u shpall engjëll. !

Për gjysë shekulli, diktatura komuniste e Enver Hoxhës ushtroi metodat ma barbare për me shkatërrue çdo gja të mire dhe qytetnuese që përfaqësonte qyteti i Shkodrës.
Për me e mbajtë popullin e Shkodrës nën terror psikollogjik, në sheshin qendror të qytetit , aty ku demokracia ndërtoi monumentet e ‘Nane Terezes’ dhe ‘Luigj Gurakuqit’- dy figura të krenarisë kombëtare që simbolizojnë dashuninë dhe demokracinë, diktatura vendosi monumentin e urryem të Stalinit, simbolit të së keqes.

Diktatura komuniste u dukte e qetë, ajo gëzonte “fitoren”. Kishte këthye në skllavni ekstreme nji popull të tane nën slloganin e krijimit të njëriut të ri : që rezultoi nji monstër e mbrapshte e pa besim dhe e pa moral, që zëvendsoi dashuninë me urrejtjen, besën me tradhtinë dhe të vërtetën me rrenën.

Ngjarjet vertetuen se diktatura komuniste i pat ba gabim llogaritë, mbasi mundesh me zhdukë njerëz, me shkatërrue monumente, me grabitë prona dhe me shkrue histori të rreme, por kurrë nuk mundësh me pengue shpërthimin e ndjenjës së lirisë në shpirtin e të rijve.
Dhe shpërthimi ndodhi me 14 Janar 1990, ishte nji vullkan i fuqishëm nënujor që u pasue me nji tsunam të vërtetë politik i cili shkundi në themel diktaturën: kohe mbrapa, monumenti i urryem i Stalinit u hoq natën mshehtas prej organeve të diktaturës.

Fatkeqësisht pasojat e tsunamit ishin tragjike: qindra qytetarë të arrestuem, një pjesë e madhe psoi tortura, dhjetë ndër kryesorët; Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Nikolin Margjini, Tonin Dema, Nikolin Thana, Klaudio Daka, Aldo Perizi u denuan me shumë vite burg, gjashtë të tjerë; Gjovalin Rolba, Gjovalin Zefi, Ndoc Leqejza, Pjerin Veli, Paulin Shtjefni, Viktor Martini u shtruen në psikiatri dhe shumë familje u internuen. Nji prej të burgosunve, i ndjeri Rin Monajka, me ardhjen e demokracisë, doli nga burgu ne gjëndje invaliditeti ekstrem. Torturat shtazarake e kishin krye efektin makaber!.

Nuk mund të konsiderohet rastësi organizimi i demostratës se parë antikomuniste të 14 Janarit pikërisht në Shkodër.
Populli i Shkodrës me rrethina dhe i malësive për rreth edhe ma parë kishin demostrue se komunizmi ishte i huej për to. Ky popull që mbart në gene lirinë e njerëzve të maleve, i ndodhun historikisht në kontakt me kulturën prendimore nëpërmjet marëdhanieve tregtare dhe influencës së Kishës Katolike kurrë nuk kishte se si me e pranue diktaturën dhe dogmën komuniste.
Kujtojmë rezistencën e armatosun deri në vetmohim të udhëhequn prej Llesh Marashit dhe ate të malsorve Kelmendas me në krye Prekë Calin në Janar te 1945 si dhe kryengritjën e përgjakshme të Postribës në vitin 1946. Shëmbuj unikal në Shqipëri dhe jo vetëm.

Terrori politik që pasoi 14 Janarin 1990 nuk muejti me mposhtë shpirtin demokratik të shkodranëve, përkundrazi vala e protestave si një ortek u rrit dhe u ba ma e ashpër për me qenë shëmbull frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Historia e demokracisë shqiptare kujton me repekt revoltat e shkodranëve; 16 Qershorin 1990, 11 Nëntorin 1990, 13 Dhjetorin 1990 dhe 2 Prillin 1991.
Tue u përkule me respekt dhe me mirnjohje për të gjithë ata qe u sakrifikuen në përpjekjet kundër komunizmit dhe fitoren e demokracisë, gjej rastin të ju rikujtoj historianëve faktin, “çuditërisht” të lane në harresë, se historia e demokracisë post komuniste shqiptare fillon me 14 janar 1990 dhe kjo duhet të shkruhet dhe të përkujtohet jo vetëm në Shkodër!
Shkodranët ndërtuen themelet e demokracisë shqiptare dhe guri i parë, kryesor i themelit, ishte demostrata e 14 Janarit 1990.

F.G