“Në Greqi kanë hyrë rreth 149.000 azilkërkues nga 28 shkurti e këtej”

TRT
Turqia njoftoi të mërkurën se që nga 28 shkurti i këtij viti afër 149.000 azilkërkues kanë kaluar kufirin e saj veriperëndimor dhe kanë hyrë në Greqi.
Duke folur në një intervistë televizive, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar tha: “148.763 persona kanë kaluar kufirin grek që prej 28 shkurtit”.

Turqia ka qenë pikë kryesore tranziti për azilkërkuesit që synojnë të shkojnë në Evropë për të filluar një jetë të re, veçanërisht ata që ikin nga lufta dhe persekutimi.

Mijëra azilkërkues kanë ngritur kampe në kufirin e Turqisë me Greqinë pasi Ankaraja deklaroi në fund të shkurtit se nuk do t’i ndalojë më ata që duan të shkojnë në Evropë, duke akuzuar BE-në se nuk e respekton pjesën e saj të marrëveshjes për refugjatët (2016).

Ministri Akar po ashtu theksoi se forcat turke dhe ruse të vendosura në Siri kanë realizuar patrullimin e tyre të tretë të përbashkët në përputhje me marrëveshjen e Moskës në fillim të marsit.

“Patrulla e tretë e përbashkët turko-ruse është kryer sot me automjete ajrore dhe tokësore në autostradën M4 në provincën Idlib të Sirisë, si pjesë e marrëveshjes së mëparshme TR-RF”, tha Ministria e Mbrojtjes Kombëtare në «Twitter», duke shtuar se patrullimet do të vazhdojnë.