Në Ditën e Rinisë

Nga Prof.Isuf Luzaj

Rinia është majaja që ngre brumin, bën bukën dhe mbrun moralin e popujve. Çdo brez, çdo gjeneratë lajmëron një agim të ri, e tërheq prej errësirës, e ndez me frymen e tij të zjarrtë e të shqetësuar. Po të vërejë lart e larg është fuqi krijonjëse. Edhe në mos arriftë t’i korrë frutat e mbjella të saj, ka një shpërblim të sigurtë në sanksionin e posteritetit. Flaka dritëzonjëse nuk duket aspak vetëm sa këmben duar.
Çdo gjeneratë hap krahët e saj atje ku i ka mbyllur brezi i shkuar, për të fluturuar më larg. Kur një gjeneratë i mbyll krahët në të tashmen, nuk ështe rini, vuan nga pleqëria e parakohshme. Kur fluturon drejt së shkuarës, ështe duke agonizuar, më keq akoma, ka lindur e vdekur.
Njerëzit që skanë pasur rini mendojnë në të shkuarën dhe jetojnë në të tashmen, duke kërkuar shpërthime të shpejta imediate, që janë çmimi i domesticitetit kurriz-përkulur. Të dobet nga përtacia ose të frikshëm nga injoranca, ata rriten me durim por pa gëzim
Të trishtuar, të dorëzuar, skeptikë e pranojne si një fatalitet të ligën që i përbluan për së brendshmi. Nga njerëz pa ideale, populli nuk pret asnjë madhështim.
Rinia bashkon entuziamin me studim dhe energjinë me aksion që shkrihen në qejfin “për të jetuar”. I riu që mendon e punon ështe optimist, çelnikëzon zemrën e tij ndërsa lartëson kuptimin e tij. Nuk e njeh mërinë, as e torturon nakari (xhelozia, haseti). Korr lulet e kopshtit të tij dhe admiron ato të fqinjit.
Kënaqët kur kënaqen të tjerët.
Qesh, këndon, luan, dashuron, duke ditur që fati i ndihmon atij që ka vetëbesim në virtytet e tij gjeneratore (rikrijuese).
Rinia ështe prometeane, kur shoqëron mendërinë me vullnet, diturinë e fuqinë, inspiracioni e Apollit dhe heroizmin e Herkulit. Një krah vlen njëqind krahë, kur atë krah e lëvizi një tru i shkëlqyer; nje tru vlen njëqind tru, kur e mbështet një krah i vendosur dhe i fortë.
Ështe detyrë e rinisë t’i marrë qorrat përdore e ti drejtojë drejt avenirit. Ti shkundin, po nuk deshën, t’i lënë po rezistuan. Gjithçka është e mundur, por që ti bindë: jo, kurrë. Në njëfarë lartësie ë jetës përtacia është një sëmundje e pashërueshme si qorrëzimi.
Të rinjtë humbasin kohën e tyre, kur shpresojne shtytje prej pleqve. Është mëse e arsyeshme që ata të veprojnë siç e bënë dikur disa të tjerë, sesa të mbeten robër të mëshirës së tyre. Rinia e ka të kurorëzuar ballin me drita yjëzimesh, prandaj sheh mirë, larg e me fuqi.