Ndjesë demokratëve për abuzimin e mediave me fjalën time

 

Nga Flutra Açka

Sqarim publik
Për demokratët shqiptarë dhe në respekt të shumë miqve demokratē që më kanë shkruar këto ditë.
Në një nga ditët e para pas 8 janarit, kam dhënë një intervistë të shkurtër për situatën në News24 TV. E shkujdesur disa ditë, nuk e kisha vënë re se intervista ime ishte shoqëruar e botuar me tituj të abuzivë, sikur kisha përdorur fjalën “shpellar” për të cilësuar demokratët e përplasjes së 8 janarit.
Nuk e ndaj dot në ka qenë e qëllimtë nga ndonjë dashakeq, a një gabim rutinë i medias sonë për të thithur shikues. Çështja është se fjala e nxjerrë nga konteksti, e përdorur jo në ligjëratë të drejtë u përdor nga portale dashakeqe, duke deformuar thelbin e asaj që kisha thënë, duke zgjuar me të drejtë mërzi dhe pakënaqësi ndër demokratë.
Fjalën “shpellar” e kam përdorur në kontekstin e kritikës që po i bëja medias që i kushtoi disa ditë mënyrës se si “do të sulmohej godina me leva, matrapikë a çekiçë pneumatikë, a thua se flitej për të marrë kështjella a për shpellarë”. Këtë mënyrë të trajtimit të medias e kam cilësuar si ftesë për dhunë.
Prita që News24 të më kërkonte ndjesë publike, por u mjaftuan vetëm me ndreqje të gabimit, edhe pse ndërkohë dëmi ishte bërë.
Ndaj, e gjendur në mesin e këtij abuzimi të madh, iu drejtohem demokratëve me një ndjesë publike për këtë keqkuptim mes nesh dhe i siguroj se pavarësisht këtyre stërkënbëshave që na nxjerr demokracia jonë e brishtë, kam për ta të njëjtën mirënjohje dhe devotshmëri të shprehur prore për ta.
Edhe pse e lënduar nga fjalët e papërshtatshme e një pjese të vogël ndaj meje, gjej vend të fal këdo që me tê drejtë – ndonjëherë peng vetëm i një titulli- ka vënë në dyshim sinqeritetin dhe besnikërinë time ndaj tyre.
Por, do ta kem të vështirë të pranoj si normale:
– sjelljen e personave të caktuar, makabriteti i të cilëve i ka kaluar kufijtë që unë njoh deri më sot të njerëzores.
– sjelljen e ndonjë kolegut tim ngrehaluc, që nga krekosja më të shumtë e kohës korr mbi kallëza, insinuon për rrobat e mia të zeza. Të tillë të zezë nuk ia uroj as atij, ose asaj, dhe askujt në botë. Vetëm e këshilloj të kuptojë se nga fataliteti askush nuk ka imunitet dhe se lumturinë nga zija e ndan vetëm një fije floku.
– sjelljen aspak normale ndaj meje të ca (një pjesë e vogël) kinse intelektualëve, ish-shtetarë, diplomatë, madje edhe miq të njohur herët që kanë mbushur telefonin tim me linçime, fyerje, kërcënime, madje edhe me heshtje ndaj fyerjeve të të tjerëve.
Për shkak të këtij orteku të padrejtë ku më përfshiu një gabim mbase i paqëlimtë, dhe më pas abuzimi flagrant e i paprincip i një pjese të medias, do të tërhiqem për një kohë të pacaktuar nga daljet mediatike, edhe si refleksion personal, por edhe si qëndrim ndaj shpërdorimit që m’i është bërë fjalës – shenjtënisë sime – prej tyre.