Nderohet humanisti britanik Herbert

 

Në Tiranë, u përurua studimi kushtuar humanist britanik Aubrey Herbert. Ai është i njohur në Shqipëri për ndihmesën e tij në forcimin e shtetit të ri shqiptar nga fillimi i shekullit të kaluar.

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” publikoi sot studimin “Aubrey Herbert dhe Shqipëria e Pavarur”, tëautorit Muharrem Hasan Shqarri.

Libri nxjerr në dritë veprat dhe vlerat e humanistit britanik Herbert dhe ndihmesën e tij ndaj popullit shqiptar 100 vjet më parë në fillimet e shtetit të tyre.

Aubrey Herbert ishte shumë i angazhuar politikisht në Shqipëri, dhe nëna e tij Lady Elisabeth Carnavon po ashtu u dashurua me Shqipërinë dhe bëri plot vepra kulturore e humanitare, si ngritje shkollash, qendrash mjekësore dhe bibliotekash për rininë.

Në promovimin e librit mori pjesë edhe Eduard Melote, një stërnip i Aubrey Herbert, aktualisht i përfshirë në diplomacinë britanike.

Ai vlerësoi ndihmesën e humanistit Herbert dhe familjes Carnavon për mbrojtjen e cëshjtes shqiptare dhe shkollimin e rinisë shqiptare, mjekimin dhe edukimin e saj.

“Fakti që edhe sot pas 96 vjetësh nga vdekja e tij, shqiptarët kujtojnë punën e pabesueshme të Aubrey Herbert përmes studimeve dhe përmes këtij libri, tregon nderimin që ata kanë për të dhe ndihmesën e tij. Kjo është e mrekullueshme dhe shpreh mirënjohjen e famijes sonë për këto nderime” – tha zoti Melote.

Aubrey Herbert ngriti fshatin Qerret dhe shkollën e tij, ndërsa nëna e tij Lady Carnavon ngriti bibliotekën e parë publike në Tiranë, e njohur si ish ndërtesa e kinemasë “Ali Demi”, që prej disa vitesh është rrafshuar në pritje të ndërtimeve shumëkatëshe.

Qeveria shqiptare e viteve 1920-21 i vuri emrin Aubrey Herbert rrugës së madhe të Kavajës dhe ai ende është sot mjaft i njohur në atë qytet.“Historia është e rëndësishme, – pohuan studiuesit, – sepse na tregon se ku jemi sot”.