Ndalimi i mundshëm i “sportit ilegal” serb në Kosovë

 

Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, ka dhjetëra klube të sportit të cilët garojnë në ligat serbe. Disa prej tyre janë të regjistruara në sistemin e Kosovës si Organizata Joqeveritare (OJQ), pra si shkolla futbolli, volejbolli, tenisi etj.

Këto aktivitete sportive, mund të mos operojnë lirshëm në territorin e Kosovës, pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, mbi bazën e rekomandimeve që pritet t’i japë Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport, synon t’i ndalojë këto aktivitete.

Masat janë paralajmëruar pasi Serbia i pengoi boksierët kosovarë të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që po zhvillohet në Beograd, për shkak të simboleve shtetërore.

Në Kosovë ekziston e ashtuquajtura “Federata e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë”, e cila funksionon në kuadër të Federatës së Futbollit të Serbisë.

Kjo federatë në Mitrovicën e Veriut, komunë me shumicë serbe, udhëheq garat ku luajnë klubet serbe në Kosovë në kuadër të ligës së Serbisë.

Nga kjo federatë nuk kanë dashur të flasin për Radion Evropa e Lirë, lidhur me paralajmërimet e autoriteteve të Kosovës për ndalimin e këtyre aktiviteteve sportive.

Po ashtu në Kosovë ekziston edhe “Federata e Hendbollit të Kosovës dhe Metohisë” që funksionon në kuadër të federatës serbe.

Nga dy federata brenda një shteti
Drejtori dhe kapiteni i klubit “Partizani” nga Lipjani, Aleksandar Rashiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se federata serbe veçse ka marrë një shkresë nga Qeveria e Kosovës, me atë të së cilës ata paralajmërohen për ndalimin e aktiviteteve sportive.

“Ajo shkresë u është dërguar edhe kolegëve tanë në veri të Kosovës dhe aty thuhet se klubet apo organizatorët e ndeshjeve do të dënohen për organizimet e tilla. Kjo shkresë ka ardhur para një apo dy muajve. Para fillimit të sezoni të ri të garave”, tha Rashiq.

Disa nga klubet nga Kosova që luajnë në ligën serbe, janë edhe klubet e futbollit “Trepça” nga Mitrovica e Veriut dhe “Mokra gora” nga Zubin Potoku.

Sportistët e rinj serbë, ‘tradhtarë’ nga Kosova
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu tha për Radion Evropa e Lirë se asnjë klub serb në Kosovë nuk funksionon në kuadër të kësaj federate.

Sipas tij, FFK-ja disa herë ka bërë përpjekje të integrojë klubet serbe por për shkak të “presioneve dhe kërcënimeve” nuk ka pasur sukses.

“Kemi pasur edhe dy klube serbe, kanë garuar edhe klubi i vajzave, dhe gjendja ka qenë më e mirë para 6-7 viteve se tash. Tash është presion i hatashëm. Kuptohet për ne nuk ekziston asnjë klub tjetër dhe çdo garë që organizohet në Kosovë duhet të marrë leje në Federatën e Futbollit të Kosovës”, tha Salihu.

Duke qenë se FFK-ja është anëtare e Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe Federatës Botërore të Futbollit (FIFA) “garat shtetërore të Serbisë” nuk mund të zhvillohen në Kosovë, thotë ai.

“Komuniteti ndërkombëtar nganjëherë është shumë i butë dhe duke lejuar këso provokime, shkakton dëme të riparueshme sepse iu jep ndoshta shpresë që s’ka kurrfarë baze ligjor që të jenë dy federata brenda një shteti”, tha Salihu.

Salihu e quajti të pakuptimtë faktin se në Mitrovicën e Veriut funksionon e ashtuquajtura Federata e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë, si degë e Federatës së Futbollit të Serbisë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, takon ekipin kombëtar të Serbisë në prag të Kampionatit Botëror të Boksit, i cili po mbahet në Beograd. Tetor, 2021.

Shumë shpesh, sportistët serbë nga Kosova quhen “tradhtarë” dhe përballen me pasoja nëse vendosin të luajnë për ndonjë klub apo kombëtare të Kosovës.

Një shembull i tillë është, Ilija Iviq nga Graçanica, komunë e banuar me shumicë serbë, ndaj të cilit u ushtrua presion vetëm pse pranoi të luante me ekipin kombëtar të të rinjve (U19) të Kosovës.

Menjëherë pas vendimit të tij për të marrë pjesë në ekipin e Kosovës, nëna e tij u largua nga puna. Ajo punonte në Qendrën Kulturore dhe Arsimore në Graçanicë, një institucion që financohet nga Beogradi.

Arsyeja që iu dha asaj ishte se ishte “tepricë teknologjike”, mirëpo ajo nuk beson se kjo ishte arsyeja e vërtetë.

Boksi që iu dha boksierëve në kufirin serb
Të dielën ekipi i boksit i Kosovës, nuk u lejua të kalojë në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit që po mbahet në kryeqytetin serb, Beograd.

Kryetari i Federatës së Boksit të Serbisë, Nenad Borovçanin i tha televizionit serb Pink më 25 tetor se Kosova nuk është paraqitur për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit që po mbahet në Beograd.

“Kosova nuk është në listën e 103 shteteve, i ashtuquajturi shtet i Kosovës. Janë 103 vende pjesëmarrëse ndërsa Kosova nuk është aty sikurse as boksierët e tyre”, tha Borovçanin.

Sa i takon ndalimit të hyrjes së sportistëve nga Kosova në territorin e Serbisë, Borovçanin tha se bëhet fjalë për “gjoja ndalim”. Ai tha se kjo është një përpjekje për “politizimin e sportit, mashtrim dhe manipulim”.

“Mua më vjen keq që bëjnë provokime të tilla dhe në këtë mënyrë po e politizojnë dhe po e keqpërdorin sportin..sportistët. Sporti është i pastër dhe duhet të mbetet i tillë. Për çfarë arsye (nuk janë lejuar të marrin pjesë) ne do të informohemi shpejt dhe do të njoftojmë zyrtarisht”, tha ai.

Pamje nga ceremonia zyrtare e hapjes së Kampionatit Botëror të Boksit në Beograd. 24 tetor 2021.

Në Ministrinë e Kulturës në Kosovë thonë se Serbia duhet ta kuptojë që sporti i Kosovës është ndërkombëtarizuar vite më herët, dhe nëse Serbia ka probleme të këtij lloji, organizatat botërore ndërkombëtare, që janë pronare të kampionateve botërore, duhet të rikonsiderojnë para se t’ia japin Serbisë të drejtën që të jetë organizatore e ndonjë kampionati të madh sportiv.

“Kosova nuk është kundër klubeve serbe”
Ata shtojnë se kanë tentuar disa herë t’i integrojë klubet serbe brenda federatave përkatëse të Kosovës.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Daulina Osmani i tha Radios Evropa e Lirë se nuk janë duke i bojkotuar dhe penguar sportistët që prezantojnë Serbinë, por janë duke tentuar të ndalin aktivitetet sportive paralele që zhvillohen në Republikën e Kosovës nga klubet serbe.

“Ato klube janë anëtare të federatave serbe, të cilitdo sport dhe zhvillojnë ndeshje të ligave të Serbisë në territorin e Kosovës. Kjo është ajo që nuk lejohen te ne. Ne mund të kemi klub serb në Kosovë që është pjesë e ligës së Serbisë, por ndeshjet e veta i zhvillon në Serbi, por jo në Kosovë”, tha Osmani.

Osmani tha se Kosova është duke ndërhyrë në sportin ilegal dhe se Ministria e Kulturës nuk është kundër klubeve të komunitetit serb.

“Janë dy ligje që shkelen, është Ligji për Sporti dhe e dyta sipas raporteve të Policisë së Kosovës që i kemi marr, për çdo aktivitet që zhvillohet duhet të lajmërohet policia 72 orë më herët. Këto organizata, këto klube, asnjëherë nuk i paralajmërojnë aktivitetet e tyre në polici”, tha Osmani.

Vitin e ardhshëm Kosova do të jetë nikoqire e Kampionatit Botëror Universitar të Hendbollit.

Zëvendësministrja Osmani tha se Kosova është e hapur që Serbia të marrë pjesë në këtë kampionat.