Muri i Berlinit

Nga Maksim Rakipaj,

9 Nëntor 1989
Sot është një ditë e shënuar, një ditë shprese. 25 vjet më parë gjermanët që jetonin në pjesën e pushtuar prej trupave sovjetike qysh prej majit të vitit 1945, shembën Murin e Berlinit, një prej turpeve dhe makabriteteve komuniste. Një mur që ndante një popull më dysh, dhunshëm, pa dëshirën e tij. (Shqipëria nuk u nda me mur, e ndau vampiri Enver me tela me gjemba). Askush nuk bëri zë në Perëndim në vitet ’60 kur brenda natës u ngrit ai mur mitologjik. Vetëm i madhi J.F. Kenedy para berlinezëve të çmeritur deklaronte gjithë nerv dhe i mallëngjyer duke folur gjermanisht: “Ich bin ein Berliner!”. U bënë dhe festimet e rastit në Berlin. Folën politikanë të dëgjuar. Foli edhe një prej arkitektëve të rrëzimit të murit, ish presidenti Gorbaçov. Në fjalën e tij nuk pati urime. Pati keqardhje për dobësimin e ish kampit socialist. Për mosrespektimin prej perëndimit të marrëveshjeve të Jaltës dhe Potsdamit. Me këtë frazë ai i tha të gjitha: “Duke përfituar nga dobësimi i Rusisë dhe mungesa e një superfuqie tjetër si kundërpeshë, perëndimi kërkoi të monopolizonte udhëheqjen dhe dominimin e botës. Dhe ata nuk pranojnë të tregojnë kujdes. Ngjarjet e muajve të fundit janë pasojë e politikës dritëshkurtër të atyre që duan të imponojnë vullnetin e tyre duke mos përfillur interesat e partnerëve”, tha Gorbaçov. Por është pak vonë o ish perandori Gorbaçov për respektimin e interesave të tua. Polakët, hungarezët, çekët etj., nuk ke për t’i patur më në vathën tënde. Nuk e ke më kordonin sanitar. As Shqipërinë nuk ke për ta patur më tënden. Sado që komunistët tek ne (sipas urdhërave dhe këshillave të tua nga Katowica) vazhdojnë bëjnë rokadën e pushtetit qysh prej vitit të largët ’91.