Moti i keq/ Vjosa përmbyt toka bujqësore dhe 12 banesav,nisin evakuimet.Ushtria del në terren. Juglindja mbulohet nga bora

Reshjet me intensitet të lartë që kanë përfshirë vendin në 24 orët e fundit si dhe reshjet në Greqi kanë rritur së tepërmi prurjet në lumin Vjosë dhe si pasojë ka sjellë edhe daljen e saj nga shtrati.

Sipas informacioneve zyrtare  mëngjesin e ditës së sotme shtabi emergjencave të prefekturës Fier dhe Bashkia ka njoftuar banorët më pranë shtratit të Vjosës për t’u evakuuar. Në disa zona niveli i ujit ka shkuar në 50 cm deri në 1 m.

Në Ferras, Çerven janë përmbytur serat dhe fermat duke dëmtuar tokat bujqësore, teksa uji ka hyrë deri në katin e parë të banesave.

Ndërkohë nënstacioni elektrik i Poçemit është ndalur që në orën 1:30 të natës dhe janë pa energji elektrike rreth 3700 abonentë. Pa energji janë fshatrat Hekal, Fratar, Selitë, Kutë.

Forcat e ushtrisë iu kanë ardhur në ndihmë banorëve, që preken nga përmbytjet e lumit Vjosë në Fier. Siç shihet nga pamjet, janë 30 forca të ushtrisë, të cilat iu janë bashkuar punonjësve të emergjencave në terren.

Mësohet se forcat e ushtrisë do të operojnë në terren, në zonat ku ka nevojë për ndërhyrje. Gjithashtu, mësohet se me kërkesë të kreut të Shtabit të Emergjencave kanë zbarkuar në këtë zonë edhe dy varka. Në fshatin Qarr po punohet me mjete të rënda për rregullimin e një ure, që është dëmtuar nga prurjet e shumta të lumit.

Dalja e Vjosës nga shtrati, 11 banesa të përmbytura në dy fshatra të Vlorës, dëmtohet ura e Mesaplikut
Situatë e rënduar nga përmbytjet në Vlorë për shkak të daljes së Vjosës nga shtratin janë përmbytur 11 banesa, 4 në fshatin Fitore dhe 7 në Novoselë, ndërsa banorët janë evakuuar.

Po kështu mësohet se në Selenicë, në zonën e quajtur ‘Bishti i Malit, ka ujë në rrugë. Ndërkaq Ura e Mesaplikut është e dëmtuar dhe banorët janë të izoluar.

Juglindja e vendit mbulohet nga bora, 70 cm në rrugën e Dardhës, probleme me energjinë elektrike në disa fshatra
Juglindja prej dy ditësh është përfshirë nga reshjet e dëborës çka ka sjellë probleme në disa zona.

Si pasojë e reshjeve të shumta në segmentin e Dardhës trashësia e dëborës ka shkuar deri në 70 cm dëborë ku pavarësisht punës dhe mirëmbajtjes së rrugës mjetet e vogla që lëvizin gjatë paradites duhet të jenë të pajisura me zinxhirë ndërsa Voskopoja dhe Qafa e Qarrit nuk kanë probleme me kalueshmërinë e mjeteve pasi dëbora varion nga 5 deri në 15 cm.

Probleme me energjinë elektrike vijon të ketë në territorin e Bashkisë Maliq pasi reshjet janë shoqëruar edhe me erë të fortë. Mungesë të energjisë ka në Gorë, Moglicë, Kolanec, Zboqëri ndërsa mësohet se grupet e punës ndodhen në terren për të rikthyer energjinë.

Ndërkohë në Pogradec prej 48 orësh pa energji dy njësi administrative Dardhas dhe Trebinjë dhe 6 fshatra në njësinë Proptisht. OSHEE thotë se është duke punuar, por në asnjë nga tre njësitë energjia nuk është kthyer deri më tani.

Ka pasur edhe rrëshqitje dherash në fshatin Zall Torrë dhe po merren masa për hapjen e rrugës.
Akset nacionale aktualisht janë të hapura dhe nuk paraqiten probleme, me përjashtim të disa rrugëve dytësore rurale në të cilat mund të qarkullohet vetëm me zinxhirë.
Këshillohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Reshjet e shiut dhe dëborës, Emergjencat Civile: Ja si paraqitet situata në Elbasan

Moti i keq me reshje shiu ka përfshirë gjithë vendin, duke sjellë edhe përmbytje në shumë zona.
Emergjencat Civile njoftojnë se në Qarkun e Elbasanit nuk ka përmbytje, pasi prurjet e lumenjve dhe përrenjve deri më tani kanë qenë mesatare.

Njoftimi i plotë:
Ne qarkun Elbasan gjate oreve te nates ka pasur renie te sasise se reshjeve dhe intensitetit te tyre. Si rrjedhoje kemi permiresim te situates referuar dites se djeshme.
Ne akset rrugore nacionale kemi pasur prani te paperfillshme tnerteve e aluvioneve dhe nuk kane ndikuar ne qarkullimin e mjeteve.
Prurjet e lumenjve e te perrenjve kane qene deri mesatare e nuk kane sjelle probleme.
Aktualisht eshte terhequr uji nga tokat bujqesore ne Muriqan, Nj.A Gjrrgjan, bashkia Elbasan, dhe nuk kemi siperfaqje nen uje.
Furnizimi me energji elektrike ka qene me problematika e me nderprerje tek fidrat 6 e 7 per zonen Prrenjas e fshatrat qe kufizojne me Pogradecin si dhe fidri i Mokres.