Mos e “shkërdheni” protestën !!!

*Nga Nebil Çika

Nuk e di se kush është dora që po organizon protestën e opozitës në atë që ata e quajnë “Çadra e Lirisë “ por kam dyshime të forta se dikush po mundohet ta sabotojë apo siç i thonë në zhargonin e rrugës ta “shkërdhejë” atë. Sot “Çadra e lirisë” befasoi me një lektor nga më të papërshteshimit e të pa denjit për të dhe krejt protestën për një mijë e një arsye.
“Heroi “ i ditës i Republikës së Re që po propagandon Basha si alternativë ndaj keqqeverisjes së Ramës ishte Dritan Hila, pinjoll i një familje pjesë e spikatur e krimit komunist, një ish diplomat, gazetar i njohur si komunist e enverist dhe ish zëvendësministër e kësaj qeverie, që Basha dhe Çadra e tij e Lirisë kanë marë përsipër ta përmbysin. Sigurisht që problemi im, dhe i shumë të tjerëve, nuk është Hila, bindjet dhe aktiviteti i tij politik por ajo që po ndodh në “Çadrën e Lirisë ” me protagonizmin e personave si ai: një fanatik komunist-enverist me qëndrime të qarat e publike. Ajo që nuk kuptova në rastin konkret por edhe në raste të tjera të ngjashme është pyetja: Ç’farë mendojnë se fitojnë politikisht, elektoralisht dhe ndërkombëtarisht organizatorët në Çadrën e Lirësisë me protagonizmin e një marksisti, armik i betuar e i deklaruar i PD-së dhe të djathtës në atë çadër?! Por ndërsa nuk e kam kuptuar dhe nuk e kuptoj dot këtë pashë e kuptova qartë qindra njerëz në atë çadër dhe jashtë sajë të mërzitur e fyer sa nuk ka më nga prania e tij atje, antikomunistët. Mendojeni vetë se sa shkon në progresion gjeometrik numri i të mërziturve dhe të fyerve në të gjithë vendin nga ajo që ndodhi sot atje.
Unë e di që PD nuk ka ndonjë qasje të qartë ideologjike por në situatën ku ajo ndodhet nuk e ka luksin “të djegë jorganin për një plesht” duke thirrur në krahë të lidershipit të saj njerëz kaq shumë të pa dëshiruar për të mos thënë të urryer nga militantët dhe elektorati i garantuar e potencial i saj. Kam bindjen që Hila nuk të sjell dot asnjë votë enveriste e marksiste të tij në PD madje as të gruas së tij po aq enveriste sa ai, por besoj se ai të heq mijra vota antikomunistësh. Por siç thash ky është një hesap që PD dhe Basha e bëjnë vetë, përfitimin prej të cilit unë nuk e kuptoj dot.
Prania e Hilës sot në Çadrën e Lirisë, mua si shumë të tjerëve më la shije të keqe. Kam qënë çdo ditë në atë çadër, jo vetëm si gazetar por edhe si qytetar e votues i djathtë. Kam parë shumë të majtë të mërzitur nga qeveria që i janë bashkuar protestës por sigurisht, jo për të qenë protagonistë e lektorë të saj por për të rregullaur një gabim që u ka kushtuar atyre dhe familjeve të tyre. Por sigurisht masa e madhe shpirti dhe forca e protestës janë shqiptarët antikomunistë baza politike, ideologjike e elektorale e PD-së, të paktën deri tani. Midis tyre edhe shumë gazeta me politika editoriale të djathta e mbështetëse për PD-në, por nuk kam parë të thirren për të folur në foltoren e Çadrës së Lirisë. Si duhet të ndjehen ata kur në vend të tyre thirret dikush me të cilin janë përplasur e ndoshta edhe sharë për të mbrojtur në media PD-në?!
Pyeta sekretarin organizativ te PD-së z. Eno Bozdo i cili mu duk gjithashtu i pa kënaqur nga protagonizmi i Hilës në çadër se kush e organizonte këtë “shkërdhatllëk “ sabotim, apo quaje si të duash, të protestës? “Nuk e di”- mu përgjigj-“nuk e organizoj unë” më tha i vënë me të drejtë në siklet. Përgjigja e situata e tij më kujtoi atë anekdotën e njohur me Pal Vatën: “Unë dhe Basha nuk dimë gjë, mos e ka bërë Ristani në kokën e tij”.
Meraku im dhe besoj i të gjithëve që ndjehen keq nga protagonizmi i enveristëve sigurimsa në çadrën e protestës është raporti i Bashës me këto veprime anormale të opozitës së tij. Nëse pas tyre qëndron ai ky është një problem shumë serioz që vë në dyshim krejt kauzën që ai po proklamon në Çadrën e Protestës, Republikën e Re. Unë kam menduar qe Republika e Re do të bëjë së pari një diferencë ideologjike me Republikën e Vjetër të dominuar nga komunizmi. Dhe më shumë se kudo kjo diferencë duket e demonstrohet te burimet njerëzore që ofron si alternative. Nëse Republikën e Re Basha ka ndërmend ta ndërtojë me enveristë e sigurimsa ajo do të jetë po aq e vjetër sa e vjetra që ai thotë se do ta përmbysë. Ky tipi por edhe tipa të tjerë që thirren në Çadër e i ofrohen protestës si modele të Republikës së Re janë pjesë e deklaruar e Alenacës se Qelbësirave që e majta ofroi si alternativë elektorale në vitin 2013 dhe nuk mund të jenë pjesë e Republikës së Re, të paktën kështu e mendoj unë. Disa ditë më parë, një tjetër protagonist i deklaruar i Alenacës së Qelbësirave, Mustafa Nano kërkoi të fliste në çadër po me të drejtë s’u lejua. Por, nëse ti fton Hilën të flasë e të jetë protagonist, pse e ndalon Nanon, ku është ndryshimi midis tyre?

Nuk besoj që Basha të jetë pjesë e të gjithë kësaj për arsye se e gjithë kjo, në fund të fundit, shkon kundër tij më shumë se kujtdo tjetër. Por për ta kuptuar ku është ai ne na duhet një shenjë një reagim. Duhet ta ndajmë muhabetin, nëse ai mendon se protesta, ëndrra e saj dhe Republika e Re e tij do të kenë protagonistë e modele Hilën dhe enveristë e komunistë të tjerë si ai atëherë kjo nuk është protesta ime, çadra ime, Republika ime.

*Ky artikull është publikuar për herë të parë në 13 Mars, 2017. Ribotohet për arsye të arkivës.