Mizoritë e komunistëve në Dukagjin

Nga Ervina Toptani
(marrë nga dokumenti origjinal i buletinit të Bllokut Kombëtar Indipendent, me rastin e 25 vjetorit te themelimit të BKI, foto ilustruese nga origjinali)
Në tetorin e vitit 1944, Dukagjini u mobilizua vullnetarisht nën udhëheqjen e Bajraktarëve dhe shkuan për të luftuar kundër brigadave partizane në Lumin e Merturit. Lufta vazhdoi për 2 javë dhe brigadat partizane u thyen keqas e patën humbje të rënda dhe kaluan Qafën e Kolçit për në Gash e Krasniqë.
Me datë 10 Nentor 1944, një natë krejt papritmas, brigada partizane hyri nga Qafa e Valbonës e ra ne Theth të Shalës. Në lagjen Okol, u vra një partizan dhe për këtë shkak u dogjën 3 shtëpi dhe u dënuan tre vetë me pushkatim, të quajtur: Lekë Martini, Lulash Martini dhe Pjetër Çuni. Pjetri për fat u shpëtoi nga duart e iku kurse Leka e Lulashi u pushkatuan dhe u konfiskua krejt pasuria e tyre. Me atë rast mblodhën armët e katundit Theth dhe vazhduan rrugën nëpër Gimaj të Shalës, nëpër Plan e Xhaj pa i thënë gjë askujt deri në Qafën e Dopalit, ndërmjet Xhanit e Sumes. Atje ndeshën në një grup vullnetarësh duke ardhur nga Shkodra dhe i kapën e i çarmatosën. Aty u vra një partizan e për hakmarrje u pushkatuan 9 vetë prej katundit Xhaj të Dukagjinit.
Ne dhjetorin e vitit 1944, bash natën e Shënkollit, vjen një brigadë prej Shkodre në Kir dhe kërkonin të hynin në Xhaj nën komandën e ish togerit Bardhok Biba. Atje filloi një luftë e ashpër e cila zgjati 24 orë. U vra një partizan, brigada dogji 3 shtëpi dhe u plaçkit i gjithë katundi.
Pas kësaj, ka ardhur brigada e parë dhe e 23-të, atëherë një shumicë e madhe burrash nga Dukagjini u arratisën nëpër male, Bajraktari i Shalës dhe i Shoshit, Mark Sadiku, Cen Tahiri i Thethit me Kol Lekën e Ndue Lushanin, etj. Bajraktari i Shalës e i Shoshit e Mark Sadiku me një shumicë djemsh dhe Bajraktarë e vojvodë të tjerë të krahinave të Dukagjinit, iu dorëzuan profesor Kol Prelës e Mark Ndojës e me atë rast mbetën në mal pa u dorëzuar Lek Vojvoda, Mark Mala, Pal Thani, Gjon Destanisha, Gjergj Vata, Marash Ndoka, Can Tahiri, Kol Leka e Ndue Lushani të cilëve iu dogjën shtëpitë, iu konfiskua krejt pasuria dhe familjet e tyre u internuan menjëherë në Berat e Tepelenë.
Në dimrin e vitit 1945, u bë opeacioni më çnjerëzor në Dukagjin, nën komandën e ish majorit Nrek Kolina. Pushkatime në çdo katund të Dukagjinit, burgime, internime e gjithëfarë torturash në masë aq sa për një ballë fishekë janë pushkatuar fshatarë të pafajshëm. Po theksoj një shembull të trishtueshëm: Gjelosh Çunin me djalë e Lulash Shytanin i kanë djegë me zjarr derisa kanë dhënë shpirt, pa asnjë faj. E sa të tjerë që janë mbytur në sigurimin e rrethit të Dukagjinit duke i lidhur me tel në qafë e duke i shtrënguar me darë derisa kanë vdekur. Mjerim mbas mjerimi.
Në verën e vitit 1945, Bajraktari i Shalës u arrestua dhe u dërgua në Shkodër ku atje u dënua me 20 vjet burg. Bajraktari i Shoshit doli në mal dhe luftoi kundra partizanëve në rrethin e Dukagjinit gjithë verën dhe iu vranë 3-4 burra, vetë u dorëzua bashkë me kushëririn e tij Deli Marashi e të dy kanë vdekur në burgun e Shkodrës.
Në katundin Plan, kur u diktua dhe u kap Pater Anton Harapi, komunistat arrestuan të gjithë burrat e Planit dhe pushkatuan vetë Markun, Zef Tomën, Losh Kolën, Lazer Palin, e kanë bërë mbi ta gjithfarë torturash. Në Kir u pushkatua Zef Marashi , Mark e Mish Ndoshi, etj, u burgos bajraktari Vat Gjoni e u dënua me 20 vjet burg dhe në burg ka vdekur. Në Xhaj, në një operacion u pushkatuan Gjergj Maçi e Miter Keqi, njerëz të pafaj. Në katundin Theth Rrogam është mbytur mizorisht Gjek Preka, e kanë djegur me hekur të skuqur. Janë pushkatuar Ndre Cufa, Cak Basha, Cuf Lula e Prek Marashi.
Në gusht 1947, përpara shkollës Planit, në prezencën e të gjithë popullit të atij katundi u arrestua Gjelosh Kol Dushi nga Plani i Dukagjinit, i akuzuar si agjent sekret në lidhje me politikën anglo-amerikane, ku pak kohë më parë ishin arrestuar një pjesë e anëtarëve të Komitetit Qendror në Tiranë, të cilët patën dëshiruar që Shqipëria të lidhej me shtetet perendimore e jo me ato lindore, e cila për fat të keq dështoi me dëme të mëdha. Gjeloshi u torturua me mënyrat më barbare dhe u dënua me 4 vjet burgim. Ai u arrestua me urdhër të shefit të sigurimit të rrethit të Dukagjinit ish toger Aleks Sandershundi.
Nuk kanë fund mizoritë që komunistët kanë bërë në rrethin e Dukagjinit, të cilat ne sot i kujtojmë dhe i vajtojmë por kurrë s’duhet t’i harrojmë. Mbi këto ngjarje të trishtueshme nuk duhet të pushojmë e herë pas here duhet të shkruajmë që t’i vemë në pah në sytë e mbarë botës sesi ata, komunistët shqiptarë, kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë mbi popullin shqiptar.
Liria e demokracia për të cilën sot, komunistët shqiptarë mburren se i kanë sjellë popullit, qoftë e mallkuar. Shqipëria nuk është një kopësht me lule por me ferra që ka shtruar përdhè mbarë një popull. Në Shqipëri sot s’ka liri, as demokraci, atje është një burg i përgjithshëm ku rënkon një popull mbarë, pa bukë, pa mbathë, pa veshje, pa shtrojë e pa mbulojë.

*Solli për ju shkëputur nga dokumenti i buletinit të Bllokut Kombëtar Indipendent
Ervina Toptani