Miresevjen, SHQIPTAR I MADH

Nga Agim Shehu

Ai u ngrit nga një vatër e tejndritëshme atdhetarie dhe në qiellin Shqiptar krijoi një Univers me fatin e Shqipërisë mbi shpinë të tij. Kthejmë kokën ngado ku sot dëgjojmë rënkime të Atdheut, e Mit’hat Frashëri na del përpara në përfytyrimin e gjeniut. Nuk ka shqetësim Shqipërie që mos ta lexosh në ballin e tij. Ai na zgjatet në ndihmë si dijetar, publicist, diplomat, shkencëtar, burrështeti, polemist, pedagog, martir…
Në përkujtim të vëllait të madh, Abdylit, Sami Frashëri tha thjeshtë se ai „ka lënë pas një djalë të mirë“! Vetë i ati, duke u shuar si martir me gjurmat e prangave në duar, la amanet dëshirën parësore për të birin – të ndjekë rrugën e të atit! I biri, gjersa mbylli sytë u tregua i denjë për të Atin e madh.
Jeta e njeriut lexohet te udha e tij brënda popullit të tij. Me veprën që la, ai jetën e bëri më të madhe se vitet e tij. Minatorët galeritë nën dhè i çajnë me llampën e dritës në ballë…Në labirinthet e zymta të ngjarjeve, llampë drite Mit’hat Frashëri pati nacionalizmin: me të në ballë çau çdo udhë të vështirë.
Në figurën e tij mbetën të harmonizuara zjarri shqiptar me kulturën e thellë në një penë të hollë. Tek ai, si tek një gjeni, u morën vesh aq mirë në qëllimin e përbashkët këmbëngulja, mënçuria dhe intuita. Shqipërisë ai iu afrua gjithmonë te plagët e shumta të saj, i ndërgjegjshëm se ato plagë gjatë gjithë jetës ai do t’i ngarkonte në trupin e tij. Për ta ngritur më këmbë, asaj i ra në gjunjë. I tillë, duke qënë bir i Atdheut bëhej dhe prind i tij kudo që mendoi se mund t’i shërbente. Me qetësinë e ndërgjegjëshme të martirit, gjatë tërë jetës ai mirrte frymë përmes plagëve të Shqipërisë së prerë nga jashtë e të munduar nga brënda.
Më 1912 atë e shohim, jo rastësisht, të hedhë firmën në shpalljen e Pavarësisë përkrah Ismail Qemalit, i cili e cakton dhe ministër. Në Qeverinë e Vidit, për meritat, e shohim prapë ministër. Më tej, më 1918 përsëri ministër në Qeverinë e Turhan Pashës. Më 1919 caktohet delegat i „Vatrës“ në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Një vit më pas është kryetar i Delegacionit Shqiptar. Më 25 gusht 1922 caktohet ambasador në SHBA, por kjo detyrë e lartë i kthehet në Athinë, për problemet më të mprehta me Greqinë, 1923-26 (siç dihet, studjuesit e njohur Luan Malltezi e Sherif Delvina kanë bërë një punë tepër të çmuar, duke përzgjedhur dhe botuar veprat e tij).
Shqetësimet e Mit’hat Frashërit për Atdheun rrethuar nga armiqtë këmbëngulës shovenë sllavë e grekë, qenë shumë më të gjera se hapsira që i lejonte detyra apo kushtëzimet diplomatike. Për këtë ndodhi që dhe iu shmang vetë atyre detyrave për të vepruar me tërë madhështitë e tij të lira.
Mit’hat Frashëri hyn në radhët e aryre figurave tek të cilë vepra e tyre nuk vuan për koment, ashtu si qielli me yje s’ka nevojë për alfabet. Cilit shqiptar nuk i vinë si zëra simfonie fjalët e tij:
„Njiheni Shqipërinë që ta doni dhe ta adhuroni“! Më tej jep rrënjët gjenetike dhe hapsirën historike të kombit të vet: „Raca jonë njihej si një fis i familjes europiane, paranikë të një populli të madh që ka pasur emra të ndryshëm në agim të historisë. Sipas vëndit që zinte thirrej ilir, epirot, maqedon, thrak, mbase dhe frigj…nga Adriatiku te zalli i Detit të Zi, pra vëndas dhe jo i huaj“.
Ai i bën të ndërgjegjshëm bashkëkombasit si për vëndshtrirjen historike të rrënjëve ilire dhe për përkatësinë europiane që ka Shqipëria: „Lexuesi nuk duhet të harrojë se ndodhet në pjesën lindore të Europës edhe pse gjithëshka ka qënë kaq e ngatërruar, kaq e falsifikuar, kaq e gjymtuar dhe e mbushur me mashtrim“ (thënë ndryshe, kundër shpifjes tërë ëndëra të shovenëve, Shqipëria është lindja e Perëndimit, dhe jo perëndimi i Lindjes).
Gjetkë Mit’hat Frashëri, kundër orekseve të shovenëve, jep hapsirën e rrënjëve të kombit të vet: „Shqipëria (Iliria e herët dhe Epiri) kufizohet nga ana e lindjes me Maqedoninë e Poshtme dhe Thesalinë; nga ana veriore – me Bosnjën dhe Serbinë; nga ana perëndimore me detin Jon dhe në brendësi me gjirin e Ambrakisë…Fjala ‚Shqipëri’ gjithmonë më ka sjellë në mënd të 4 vilajetet e vjetra të Turqisë europiane“.
Dijetar me univers kulture, mendimet ai i përforcon me gjykimet e figurave të shquara të botës, siç citon Hahnin: „Harta që shoqëron veprën e tij ‚Albanische Studien’ përfshin tërësinë e teritorit të 4 Vilajeteve të Janinës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Shkupit“. Mbi këto të dhënë, ai ngrë zërin sa të ligjshëm aq dhe fisnik për ta dëgjuar si shqiptarët dhe Europa:
„Shqiptarët kërkojnë zotërimin e asaj që duhet t’u takojë, të asaj që do ta formojë Shqipërinë njëherë e përgjithmonë, pa pasur kurrë lakmi për më tepër. Ajo duhet të ketë kufijt e saj natyrorë, sa etnografikë aq dhe ekonomikë, përndryshe do krijohet një shtet dështak me farën e vdekjes që në lindje“. (Bukuria filozofike e shprehjes harmonizuar me zjarrin shqiptar të kujton gjykimet e atit të tij të Madh, Abdylit, për të njëjtat shqetësime. Janë aq të ngjashme sa nuk i dallon dot njerin nga tjetri, ashtu si te lumi i vetëm i Drinit nuk dallon dot se cilat ujra janë të Drinit të Bardhë dhe cilat të Drinit të Zi).

**
Arsyeja kryesore e tragjedisë kombëtare të Shqipërisë është se ajo u ndodh, për fat të zi historik të saj si rrallë komb tjetër, mes dy armiqsh nga më të betuarit e të djallëzuarit në botë, (si mes Shillës e Haribdës), sllavëve e grekëve shovenë. Në mbrojtjen si rrallëkush të Atdheut, Mit’hat Frashëri iu përgjigj denjësisht të dy anëve.
Zvicra qe vëndi i diplomacisë botërore të kohës; aty u ngulën dhe vatrat më histerike të propagandës greko-sllave. Aty veproi dhe Mit’hat Frashëri me shokët e tij të shquar. Në përgjigje të tyre, në Lozanë botoi veprën e veçantë „Shqiptarët e Sllavët“, ku çështjes shqiptare iu bë para botës një mbrojtje e shkëlqyer e cila pa tjetër çoi ujë në mosflijimin më tej të saj.
Siç e kemi thënë, në trubullirat e Konferencës famëkeqe të Londrës 1913 akademiku dhe kryeministri serb Vladan Gjergjoviç boton e shpërndan veprën e shëmtuar shpifëse „Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha“, për të frymëzuar prerjen më tej të kombit shqiptar. Mes të tjerash shkruan si një vagabond kazinosh: „Tipi arnaut është thatanik e i vogël; tek ai gjen diçka prej cigani e fenikasi…njerëzit primitivë që flinin mbi pemë duke u mbajtur me anë të bishtit…“ (Kur Ismail Qemalit ia kujtuan me ironi „aristokratizmi“ në një gosti Europe, ai iu përgjegj me ironinë lakuriq të vëndlindjes: dhe shqiptari e ka ‚bishtin’ e tij, veç një çikë më tutje nga sa thotë akademiku“)!..
Mit’hat Frashëri iu përgjegj më gjerësisht me sarkazmë shkencore: „Plaku i nderuar…ka patur ndoshta një reminishencë të origjinës së vet prej majmuni a prej ndonjë lemurieni që rronte në pyje“. Dhe vazhdon shkencërisht:
„Serbi e Vjetër figuron për herë të parë më 1845 te ‚Harta e Principatës së Serbisë’ të Zhan Bugorskit…e paraqitet me fjalët ‚Serbi e Vjetër ose Shqipëri e sotme’., në një kohë kur në Gjeografinë e Vuk Karaxhiçit e shtypur gjithashtu në Beograd më 1827 nuk figuron gjëkund një term i ngjashëm me të“. Gjetkë , mbështetur dhe nga dijetarë të huaj shton: „Në Kosovë, të cilën serbët e quajnë ‚Serbi e Vjetër’ po mund të thirret ‚Shqipëri e Re’, raca shqiaptare formon shumicën e popullsisë“ .
Logjika e argumentuar shkencërisht është e papërballueshme, por shpifësit nuk kanë turp, dhe autori ynë i madh vazhdon:
„Autoktonisë së shqiptarëve u kundërvihen sllavët e ardhur prej shumë larg; serbi, djepi i të cilit është përtej Karpateve dhe bullagri i ardhur nga Azia me gjuhë të huazuar. Këto dy raca që futen në familjen e madhe të popujve sllavë kanë ardhur si pushtues duke zënë troje krejt të huaja për ta. E pasoja e këtij pushtimi a duhet të vazhdojë në shekujt e mëvonshëm, kur vetë thelbi i kësaj prove do jetë çdukur“!?
Përcaktimin e sllavit si pushtues e plotëson me pohimin e të vërtetës rënjëse, duke ia drejtuar këtë gjithë diplomacisë europiane: „Shqiptarët formojnë popullsinë e Vilajetit të Kosovës e të Manastirit. Ky është elementi vëndës, autokton dhe më i rëndësishmi. Ky është kombi që ka më shumë të drejtë në zotërimin e këtij vëndi…Ai ka me vete të drejtën historike dhe domosdoshmërinë politike, të drejtën natyrore të jetës“.
Duke i çjerrë maskën ‚të drejtës historike’ të shpifur të sllavëve marrë nga Mesjeta e Stefan Dushanit, Mit’hat Frashëri përgjigjet po ironik: „Historia nuk nis nga mesi; ajo niset që nga origjinat e herëshme të saj. Nëse bazohemi mbi të drejtat historike, duhet të njohim si Shqipëri gjithë hapsirën që zinin iliro-maqedono-epirotët , e ahere do duhej jo të kufizohej shtrirja e Shqipërisë, por të zmadhohej përtej kufijve të kërkuar nga vetë shqiptarët“!
Mprehtësia e arsyetimit ecën si mbi reze dielli dhe ka dritën e saj. Ngado që ta kthesh, e vërteta ka të drejtën shqiptare brënda. Edhe natën, qumështi është i bardhë.
Siç dihet sllavët për të ushqyer ëndërat zinxhir, ngrenë tre gishtat të cilët simbolizojnë tri humbjet e shpifura të tyre: Betejën e Kosovës, 1389, emigrimin e stërzmadhuar më 1689 dhe mungesën e qëndrueshme të Serbisë së Madhe! Pushtimin e Kosovës e mbulojnë me vërshimin e shqiptarëve (!) pas ikjes së tyre mitike!
Ashtu si Miss Durham e shumë të tjerë të shquar, Mit’hat Frashëri spjegon saktë: „Nëse shqiptarët sërish pas emigrimit serb në Hungari u ngulën në pozita më të qëndrueshme në Fushën e Kosovës, ata nuk bënë gjë tjetër veçse u kthyen në shtëpi të vet, siç e pranon me shumë të drejtë lordi Fitzmaurice…“
Me kulturë të thellë në shkrimet e tij, Mit’hat Frashëri citon vetë të famëshmin „Librin Blu“ të Min. P. Jashtme Britanike, si duke u vënë gozhdë të sakta trarëve në shtëpinë e tij: „Lordi Fitzmaurice, i patundur në pikpamjet e tij dhe duke smbrapsur orekset e ngritura nga serbët mbi prejardhjen e banorëve të Mitrovicës dhe Kosovës, përmes Letrës që i dërgon Foreign Office-it më 22.7.1880 përsërit se të gjitha hartat me të cilat qe këshilluar dëshmonin prejardhjen shqiptare dhe jo sllave të këtyre viseve“ (diplomacitë me nostalgji sllave që sot vihen të gjykojnë Mitrovicën e më tej, do dëshmonin më saktë ndershmëri në politikë nëse i ngulin më mirë sytë në pohime të tilla njerëzish të shquar të vetë botës së tyre)!
Mit’hat Frashëri është i ndërgjegjshëm se në mbrojtjen e kombit të tij ka përballë një fabrikë të madhe e të ndërlikuar propagande të shovenëve e cila punon pa fund, pa kohë e pa kufizim; se ajo ka mundësi të mëdha mashtrimi duke pasur dhe miq të jashtëm të fuqishëm, veçanërisht Rusinë e Francën. Ai e dinte thënien „Shpif, shpif se diçka do mbetet“ të Makiavelit, apo plotsimin e Konicës se mashtrimi e mbulon dhe e zëvëndëson të vërtetën me anë të „sugjestionit“. E dhimbëshme, sidomos për popuj të pafuqishëm e pa mbrojtje, por kjo e vërtetë rri e hidhur në shpinë të tyre!
Duke kundërshtuar trillimin „Serbi e Vjetër“ e cila për turp po gënjente megjithatë diplomacinë e botës, Mit’hat Frashëri gati pëshpërit dhimbshëm me vete një gjykim që ka filozofi dhe psikologji të thellë: „ Kush është ai që shmang fuqinë e fjalëve në shpirtërat njerëzorë? Vallë, nuk është vetëm një fjalë që ka kryer punë shumë më tepër se armatat serbe dhe influenca ruse së bashku!?“
Të vërtetën e hidhur e përforcon duke e bashkuar me fqinjët e Jugut: „A nuk është kjo një mënyrë së vepruari e barabartë dhe për grekët që kanë gënjyer mëndjet e njerëzve duke quajtur ‚Epir’ Jugun e Shqipërisë dhe duke na bërë të besojmë se kjo fjalë është sinonim i Greqisë(!), sa për të kaluarën historike aq dhe të tashmen!“
Kuptohet siç njihet, se Mit’hat Frashëri me këtë pohim nuk shpreh lodhje për lëshim armësh, por thërret në ndihmë dhe ‚armët’ e të tjerëve anembanë Shqipërisë e kudo që janë në botë, për të përballuar një propagandë armiqësore me përmasat e kryqëzatave më të frikshme e më të përgjakshme që i rrinë rreth fytit Shqipërisë.

**
Në detyrën e ambasadorit në Athinë shfaqet ndër kulmet më të dukëshme madhështia e Mit’hat Frashërit. Një ndjeshmëri e rrallë kombëtare me një përkushtim flijimi për Shqipërinë, një këmbëngulje në drejtësinë e ndërsjelltë me fqinjin mbështetur në një dituri universale rreth botës dhe atdheut, mbeten në të njejtën kohë shëmbëlltyra të ditës për përfaqësuesit zyrtarë të Shqipërisë kudo sot në botë. Përfaqësimi i tij qe tepër i ndritshëm, duke marrë parasysh se ushtronte diplomaci në një shtet të vështirë për t’u marrë vesh, mbushur djallëzi e pabesi të trashëguara nga dy Perandori, Bizantine e Otomane.
Por para se diplomat i hollë, ai vajti në detyrë si shqiptar i madh. Sa preku në Athinë, i shkroi Qeverisë së tij në Tiranë: «Dua t’i lutem Shkëlqesisë suaj të jepni urdhër që për Legatën të më çohet një Flamur i punuar bukur»!
Bashkatdhetarët, studentë e emigrantë në Greqi i shkruajnë gëzueshëm: «Ju, më tepër se ambasador do jeni një burim i përhapjes së ndjenjave Kombëtare ndër nxënësit dhe studentët shqiptarë që ndodhen aty të cilët, të helmue me ëndërat helene, janë gabue e tash ju do t’i përmblidhni në gjirin tuej e do t’i ndritoni, tue ua çveshun ndjenjat e hueja» (krahasojeni këtë përkushtim me qëndrimin e zyrtarëve të Tiranës sot para qindra mijë emigrantëve të braktisur në fatin e zi të tyrë brënda vorbullës së greqizimit të plotë që u bën qetësisht Athina)
Mit’hat Frashëri njofton ngutshëm se «Në Greqi kish 100 mijë shqiptarë myslimanë. Prej këtyre autoritetet greke kishin arritur të dëbonin 35 mijë nga Prefektura e Kosturit dhe Follorinës e 20 mijë nga Janina, Preveza e Parga. Kjo popullsi, shton Mit’hati, u dëbua kundër vullnetit të saj me shtërngime të zyrtareve grekë (gjindarmë ose myftinj), ose më keq akoma, me dru dhe shkop të gjindarmit: Shqiptarët e përzënë me përdhunë në këtë mënyrë sot janë snë krahina të ndryshme të Anadollit ku vuajnë urije, meqënë se pasuria e tyre u grabit dhe u rrëmbye prej Greqisë».
Ai e tregon më gjerë e me shqetësim të u-bubu-shëm tragjedinë e shfarrosjes shkallë-shkallë të shqiptarëve në vëndin fqinj: «…Shqiptarët në Greqi nuk kanë të drejtë vote, as deputetë, as shkolla, as tempuj feje»!
Dëshmi të tilla të hidhura, në të njejtën kohë që i hidhte në dosjen e detyrës ai i ballafaqonte me mprehtësi e këmbëngulje symësy zyrtarëve grekë. Ai shënon: «Kam dërguar 150 nota për trajtimet kundër shqiptarëve…Ministrit grek ia kam shkruar në 200 nota. Këto nota pa dyshim nuk përfshijnë veç shqiptarët nënshtetas shqiptarë, e jo të të tërë por nga një qind, – një të atyre që vuajnë…E në asnjë notë dhënë gjer më sot, nuk kam marrë ndonjë përfundim kënaqës»!
Për këto shqetsime ai takon Mbretin Georges II, 33 vjeçar dhe e përshkruan me një ironi asnjanëse në cep të vështrimit të mprehtë: «Dy herë më përsëriti se donte të mësojë shqipen…edhe veten e tij e gjykon gjysëm shqiptar…Bën shumë pyetje, pak si i rrëmbyer në të pyetur por i paduruar në të dëgjuar». Më tej shton kryesoren e takimit:
«I bëra të njohur, që s’ka fshatra grekë thellë në tokë të Shqipërisë, e që grekët të cilët janë 28 mijë vetë pas statistikave që bëmë, gjënden të gjithë në rreth të Gjirokastrës. I përshkrova pastaj një takim që kisha patur me Zografon në Sarandë më 1914 (dëshmi mbresëlënëse e panjohur-A.Sh.) e i cili më tha hapur që e kishin gënjyer Mitropoliti i Konicës, Spiro Milo etj mbi gjëndjen e vërtetë të Epirit, dhe që e kishin futur në një punë të ndyrë nga e cila nuk mund të dilte pa u çnderuar krejt, dhe atë (Zografon) nuk e dëgjonte banda e hajdutëve të sipërpërmëndur që shkretuan vëndin»!
Vjen takimi me kryeministrin Venizelos, i quajtur «Dhelpra e Gjiritit», e Mit’hati përshkruan:
«Megjithë fjalët e ëmbëla të tij, me gjithë buzëqeshjet dhe sigurimet e tij, unë dola nga ky takim me bindje se Venizelos ka vendosur të mohojë angazhimet që ka marrë (në Lidhjen e Kombeve) dhe do të kërkojë me çdo mënyrë që të shpëtojë prej shqiptarëve duke i përzënë e duke u grabitur pasurinë». (Në takim të afërt, Ministri francez z. De Marcilly i pat thënë se «Venizellos nuk do jetë më pak grek se grekët e tjerë)!
Diplomatë si Mit’hat Frashëri e dinë se të luftosh me diplomacinë greke është si të luftosh me erën: s’kuptohet nga del e ku çduket! Gjatë një udhëtimi, lufta me baltën që të ngjitet është më e vështirë se përplasja me gurët.
Siç dihet, qeveria greke e turke në Lozanë pranuan marrëveshjen për shkëmbim të pakicave kombëtare të tyre. Këtë Athina e shfrytëzoi që të dëbonte në Turqi shqiptarët myslimanë. Nën trysninë e të huajve, delegati grek dha fjalën se shqiptarët myslimanë nuk do quheshin turq e nuk do shkëmbeheshin! Delegati parësor Cacllamanos shpalli me Deklaratë (fq. 13, reshti i fundit-saktëson Mit’hati): «Nuk është e drejtë të nxirret jashtë popullsi me prejardhje nga një hapsirë ku ata kanë banuar për shekuj me radhë»! Pas krahësh, prefekti i Janinës nxjerr qarkore se shqiptarët do shkëmbeheshin! Mit’hat Frashëri pyet Venizellosin si kryeministër për këtë pabesi. Ai përgjigjet në dredhi greke: «Unë në Lozanë dhashë fjalën për këtë punë, po nuk e dija se qe kaq e ndërlikuar! Pardje mësova, se më parë duhet të dimë se cilët janë ‘shqiptarë’(!)»
Mit’hati plotson: «Këmbëngula të dëgjoja nga goja e tij se se ç’kuptonte ai prej fjalës ‘shqiptar’!? Vetëm një gjë mora vesh – këmbëngulja ime e mërziste»! E më tej si përmbyllje: «Greqia kërkon të lozë kundër Shqipërisë atë rol që ka luajtur Rusia e Carëve kundër Turqisë së Sulltanëve»!
Në detyrën e veçantë sa të vështirë të tij, Mit’hat Frashëri vëzhgonte gjithëshka kish lidhje me Shqipërinë, veçanërisht Sillogët Vorio-Epirotë dhe antarët e tyre.
Vëzhgime të tilla të hidhura kundër fqinjit ia tha Ministrit të Jashtëm, Aleksandër e ai iu përgjegj: «Për mbylljen e Sillogëve do pritur ende ca, se vetvetiu nuk kanë ndonjë rëndësi, po mos harroni që jemi në kohë të zgjedhjeve. Prandaj do jem i lumtur edhe ç’të kem t’u them vorio-epirotëve e t’u zë gojën»! (Pazar elektoral grek me sovranitetin e fqinjit shqiptar, si dje dhe sot)!
Më tej, Mit’hati e njofton kolegun fqinj: «Kam nderin t’i dërgoj Shkëlqesisë suaj një listë me emrat e 20 shqiptarëve të burgosur në burgjet e ndryshme të Greqisë…Nuk di akoma, ç’krime kanë kryer ata që gjënden në burg»! (krahasoje këtë shqetësim për bashkatdhetarët me qëndrimin mospërfillës të zyrtarëve të sotëm ndaj mijra shqiptarëve emigrantë të vrarë, të rrahur të humbur e të dhunuar përditë nga shteti grek, ndërsa ata kalojnë kufirin me Bensa, duke puthur më shumë traun e doganës se shtizën e flamurit; ndërsa intelektualen grekomane që merr pjesë në Sillogun vorio-epirot në Athinë e cakton dekane historie në Universitet)!

**
Mit’hat Frashëri e pa vetë të prekshme në detyrën e tij se fqinji grek, edhe pse nepërkë, i shitej botës te lëkura helene me lule! Ai gjykon tepër hollë e bukur që nga rrënjët e historisë:
«Në besim të vjetër të grekëve Mërkuri (Hermesi) qe perëndi e tregtisë si dhe e vjedhjeve; çdo veprim tregëtie shikohej aq i ligjshëm sa dhe vjedhja. Tregtia me kusarinë nuk qenë të ndara dhe në marrëveshjet, gënjeshtra qe e ligjëshme….Hermesi duket të jetë Perëndia e Përgjithëshme e racës…Virtyti, nderi, besnikëria në fjalë shihen si një e metë ose, të paktën mungesa e këtyre cilësive nuk qe turp. I dëgjuari Trikupi në Historinë e madhe të tij thoshte çiltër hipur mbi samar të vesit: «Është fatkeqësi për kombin grek që cilësitë e mëndjes i vë më lart nga virtytet e zemrës». Nuk ka më qartë.
Asnjë gjykim i Mit’hat Frashërit nuk del përpara logjikës e dëshmive. Ai shkruan :
«Shqipëria asnjanëse e nën Sigurinë e 6 Fuqive të Mëdha është shqyer e shkatërruar prej Greqisë. Ky krim është i pashëmbullt pasi është pasojë e pabesisë dhe e dredhisë…Kjo fatkeqësi nuk ish pasojë e një lufte. Fshatrat tona nuk u shndërruan në hi dhe njerëzit tanë (përfshi gra e fëmijë) nuk u masakruan gjatë furisë së ndonjë beteje. Këto barbari u kryen me qetësi dhe të peshuara mirë e bukur».
Dëshmitë vinë që thellë historisë e ai kujton: «200 mijë myslimanë, pas të bërit mbretëri më vete të Greqisë, pothuaj asnjë nuk mbetet në vënd !…grekët u prisnin udhën në pabesi dhe i grinin copë-copë». E më tej:
«A nuk e dimë se fjala ‘kleft’, e poetizuar dhe ‘sublimuar’, do të thotë thjeshtë bandit e hajdut në gjuhën greke!? Dhe kjo nuk i përket historisë së lashtë, për të mos thënë se janë bashkëkohore…Banditizmi në Shqipëri është apo ka qënë një efekt logjik e kobzi i administratës osmane…Nga Peja në Gjakovë mund të udhëtosh i ngarkuar me ar pa patur asnjë frikë». Më tej plotson me dritë:
«Karakteri i shqiptarit nuk është i prirur ndaj armiqësisë…se ka më shumë shpirtmadhësi se në cilindo popull fqinj të tij. Gjatë revoltave të tyre kundër turqve, gjatë grindjeve të tyre me grekët e serbët shqiptarët kanë treguar bujari e zemërgjerësi, të cilën gjithmonë kundërshtarët e tyre e kanë shpërblyer me tradhëti e mizori të ftohtë». Për këtë jep shëmbuj kokëfortë historie të njohura brënda e jashtë e që as kundërshtarët s’i mohojnë:
«Më 24 të shkurtit kishin qënë transportuar nga Vlora 128 mijë serbë për në Korfuz dhe 6000 për në Bisertë…serbët kishin sjellë 20 mijë kafshë në Durrës, e u ngarkuan prej Durrësit» (kjo fisnikëri fqinji ndodhte pas krimeve pa fund që sllavët kishin bërë mbi Kosovën)!
Shpifësit sllavo-grekë (si dhe shumë sojsëzë të shtypit shqiptar) kanë dashur ta njollosin shqiptarin për të egër nisur nga Kanuni. Si shumë dijetarë të shquar të botës, Mit’hat Frashëri spjegon thellësisht: «Në një vënd ku mungon drejtësia e organizuar dhe përgjegjësitë e sigurisë publike, hakmarrja ka shërbyer deri në një farë mase si institucion rregullues, i aftë për të ngjallur nderim për njeriun dhe për të parandaluar të keqen…Hakmarrja ka ligjet dhe kodet e saj…e të mos e bëjmë sinonim të krimit apo vrasjes»!
Të tilla ide jetike për Shqipërinë Mit’hat Frashëri, për t’i bërë më bindëse e t’u sigurojë jetëgjatësinë, i mbështet dhe me gjykime dijetarësh të huaj siç i citon vetë. Bie fjala, Viktor Berard: «Në Ballkan gjëndet një popull i cuili nuk ka jetuar kurrë vetë dhe as për vetveten, por roli i tij gjatë gjithë shekujve ka qënë të ushqejë pa rreshtur kombet fqinjë me lëndë të parë njerëzore».
Vazhdon me historianin A. Baldaci: «Shqiptarët përbëjnë racën më të bukur të Siujdhesës Ballkanike». Më tej jo rastësisht citon dijetarin britanik G. Depping: «Duket se edhe shqiptarët, duke u përzier me grekët në disa nisi, kanë pjellë atje një energji të cilën e kish mbytur mefshtësia dhe përtimi oriental».
Citime të tilla janë të shumta. Duke njohur efektin e tyre, Mit’hat Frashëri me fisnikërinë e harmonizuar brënda diplomacisë u drejtohet megjithatë fqinjëve: «Na vjen keq që gjithmonë jemi të detyruar të përgënjeshtrojmë grekët, dhe do kishim dashur që ata të kishin patur, të paktën njëherë të drejtë»! E më tej: «Nuk kemi spak qëllim të ulim grekët, por të themi të vërtetën për shqiptarët. Por në këto çaste që po shkruajmë këto reshta ata janë vënë të gjithë në lëvizje për të shpifur dhe shvlerësuar shqiptarët. Pra nuk do qe e tepërt të kujtojmë ç’kanë thënë për grekët të huajt»! (Me siguri Mit’hat Frashëri e merrte me mënd se ata do vazhdonin të shpifnin edhe këto çaste kur ai s’jeton më e ne po përkujtojmë 125 vjetorin e njeriut tonë të Madh).
Kombin shqiptar ai e shihte si një të vetëm: kudo që të plagosej, i dhëmbte tërë trupit. Edhe pse ambasador në Greqi, ai s’i largon sytë nga fati i Kosovës. Më 9.11.1923 i shkruan për Kosovën Mehmet Konicës në Londër:
«Shqiptarët në Serbi janë ekspozuar çdo ditë në sulme e vrasje. Ju këshillonj të çoni 300 dinarë në gazetën «Hak» në Shkup dhe të pajtoheni, se duhet që opinioni publik i Anglisë të dijë se ç’bëhet në Kosovë»!
Gjetkë njofton të njejtin shqetësim: «Drejtori i Seksionit të Minoriteteve (në Lidhjen e Kombeve) z. Kollban më dha fjalë se do t’i bëjë një notë delegatit të Serbisë, dhe nga ana tjetër do ngarkojë përfaqësonjësin e z. Nanson në Belgrad, që të okupohet dhe me çështjen e shqiptarëve të Kosovës».

**
Mbushur me të dhënat e prekshme për dramat e shqiptarëve në Greqi, ai i shkruan plot shqetësim Tiranës :
« Gjëndjen e shoh fare të keqe jo vetëm nga pikëpamja kombëtare dhe vetëm për Camërinë, po dhe nga ana politike, se Greqia me sjelljet e saj kërkon të rrëfejë se nuk e peshon Shqipërinë, duke shpallur se është e zonja të bëjë ç’i pëlqen! E kjo Greqi, që shfarros e persekuton çamët, ka synim të përzjehet në punët tona të brendëshme, për kisha e për shkolla, për ortodoksë e të krishterë» (çfarë ngjashmërie me kohën e sotme)!
Më tej plotson: «Greqia elementin shqiptar të Greqisë e paksoi për gjysmë; ata që mbetën i mundon me çdo mënyrë kurse elementin grekofon të Shqipërisë po e forcon tërthoraz dhe kërkon mbrojtjen e tij».
Si rjedhojë, i kërkon Tiranës që të përgjigjet me masat e saj të ndërsjellta jo vetëm për mbrojtje kombëtare por dhe për dinjitet shtetëror: «Përsëris ato që kam thënë në më se 50 raporte…të mirren disa masa të lehta (në mos daçim të jenë të rënda) kundër grekofonëve, si psh. disa vendosje refugjatësh çamë në shtëpi të tyre…masa që do duken fare të buta në barabitje me ato që po zbaton qeveria greke kundër elementit shqiptar. Është më mirë të na qahen e të na luten neve grekët, se ne atyre …Sikur të qenë zbatuar, sot, në vënd që të qaheshim ne do qaheshin grekët e në vënd që të bëja unë këto përpjekje, do bënte ministtri grek».
Këtë gjykim të një ambasadori sovran e me dinjitet të kombit të tij e përforcon me shqetësimin tjetër :
«Këtu në Greqi kemi Sillogun Vorio-Epirot. Unë mendoj se do bërë një shtim në Kodin Penal për të ndaluar shqiptarët që marrin pjesë si anëtarë te ajo shoqëri» (ironi e kohës – sot gjer deputetë venë marrin pjesë në Kongrese Vorio-epirote për t’i bërë varrin Shqipërisë, e pastaj kthehen qetësisht në Kuvëndin Popullor tër Shqipërisë, ku shteti tru-helmuar e vulë-harruar me bashkëpunim Pozitë-Opozitë u jep rroga të majme, tituj nderi, u cakton dhe enklava të posaçme «minoriteti», që ata doemos të zgjidhen deputetë)!
Më tej Mit’hat Frashëri kërkonte tepër qartë e prerë te qeveria e Tiranës: «Një Memorandum në Konferencën e Ambasadorëve ose në Gjykatën e Hagës, për të kërkuar çdëmtim prej Greqisë për 300 katunde të shkretuar më 1914. Një Memorandum i njëllojtë duhet paraqitur dhe kundër Serbisë për afër 200 fshatrat e përmbysura më 1920 e ’21…Greku e Serbi përditë po i shtojnë kërkesat e tyre e kanë një prirje që Shqipërinë ta shohin si një provincë jugosllave ose greke, e cila sot a nesër është e fatuar të bashkohet me trupin e madh helenik a serb».
Më pas vjen dhe një këshillë e tij plotësuese, kombëtare e njerëzore në nderim të martirëve:
«Do qe mirë, sikur në udhën Sarandë-Korçë të ngrihej një monument i thjeshtë në stil, po prej guri të shëndoshë mbi të cilin, në një pllakë mermeri të numurohen emrat e atyre që vanë dëshmorë për Shqipërinë duke u kundërshtuar çetave dhe ushtarëve të huaj që mësynë Shqipërinë; sikundër që edhe të radhitet katalogu i plotë i katundeve të shkretuar…»(përsëri për ironi, qeveritë pasddiktature, pozitë dhe opozitë, në marrëveshje të fshehtë me Athinën skicuan ngritjen e varrezave-monument të ushtarëve grekë vrarë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke si martirë të tokës «së tyre»)!
Shqiptari i madh i Frashërllinjve, ambasador te fqinji i hidhur, nga shteti i tij dhe u dëgjua, disa herë dhe nuk u dëgjua (për arësye politikash «Europe» apo horizonte të ngushta zyrtarësh). Kështu, dhe te diplomati i hollë vjen shkrepja e damarit shqiptar që s’mban më: «Po marr lirinë, z. Ministër, të përsërit edhe njëherë atë që e kam thënë më tepër se 200 herë gjer më sot,- duhet të dimë të mbrojmë veten tonë»! E më tej:
«Kam një vit e gjysmë që po shkruaj këtë çështje, pa reshturë; pse nuk më është lajmuar hapi i bërë, po jam lënë në errësirë gjer më sot»!? (15.6.1925). Vjen dhe dorëheqja! Fati i atdheut vlente më shumë se një rrogë ambasadori.

**
Me përpjekjet e atdhetarëve të shquar Shqipëria, kundër këmbënguljes histerike të Beogradit e Athinës, u pranua në Lidhjen e Kombeve. Si kryetar i Dërgatës shqiptare Mit’hat Frashëri flet fjalët që nuk harrohen:
«Zotërinj, Shqipëria mund të quhet famullesha e Lidhjes së Kombeve. Lidhja e Kombeve e ndihmoi në rilindjen e saj…Shqipëria ka bërë tërë përpjekjet e saj për të merituar nderimin e Lidhjes së Kombeve…Ajo është një nga vëndet më demokratike për nga Kushtetuta dhe administrata e saj. Idetë që paraqet Lidhja e Kombeve gjejnë midis shqiptarëve partizanët me të bindur». E më tej, një gjykim ku atdheun e vet harmonishëm në mesin e merituar të shoqeve e të mbrojtur prej tyre:
«Tërësia e shteteve formon një trup harmonik. Më e vogla sëmundje, më e padukëshmja plagë mund të prekë gjithë trupin».
Në Sallën e nderuar të Lidhjes së Kombeve Mit’hat Frashëri parashtron me qartësi politikën e shtetit shqiptar, të ballafaquar me pabesitë e fqinjëve që i shkelin parimet e barabarta për të gjithë. Mes të tjerash, në dhjetor 1923 ai foli:
«Vëndi që kam nderin të përfaqësoj u ka njohur minoriteteve etnike të cilat jetojnë në kufijt e tij të gjitha të drejtat fetare, kulturore e qytetare» (nuk flitet për ‘të drejta politike’, se minoriteteve të tilla këto nuk ua njihte as Lidhja e Kombeve, siç po ia dhuron sot shteti shqiptar pakicës greke e afaristëve grekë, gjer çelsat e Shqipërisë në dorë).
Më tej Mit’hati vazhdon:
«Në këtë pikëpamje Shqipëria është shteti më liberal i pjesës JL të Europës. Për të arritur këtë përfundim, ajo nuk ka qënë e detyruar të kryejë sakrifica morale, meqë liria dhe barazia që ajo u ka dhënë minoriteteve nuk kërkonte asnjë sforcim nga ana e saj». Së fundi kërkonte nga Forumi i lartë (po atë gjë që duhej të kërkonte dhe sot shteti shqiptar, i nënështruar pikëllueshëm ndaj shovenëve):
«Shqipëria është e bindur që Këshilli i Lartë i cili shquhet në parimet e barazisë për drejtësinë dhe që kujdesi i dëshmuar nga ai për minoritetet në Shqipëri do shtrihet në të njejtën mënyrë në minoritetet shqiptare që jetojnë në shtetet fqinjë dhe që gjithashtu ato kërkojnë me ngulm përkrahjen e Lidhjes së Kombeve».
Fati i Shqipërisë bëhet pjesë e politikës botërore kur njerëzit tanë të shquar dinë të lidhen me maja të politikës botërore e t’u qajnë nga afër atyre shqetësimet e drejta të Shqipërisë. Sigurisht kjo bëhet kur ata kanë dhe aftësi, dhe emër për të përballuar misione të tilla të cilat nuk i bën dot gjithkush. Kështu veproi Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Noli, Hasan Prishtina, Fishta, Konica…dhe sigurisht Mit’hat Frashëri.
Që në shkurt 1921 ai shkon në Londër ku takon figurën parësore të Lidhjes së Kombeve, lordin Robert Cecil, të cilin e bën mbështetës të vendosur të çështjes shqiptare. Me një gëzim të çiltër fëmijësh i shkruan Hil Mosit më gusht 1921: «Delegacioni anglez erdhi dje tek unë të më njoftonte zyrtarisht se Anglia hoqi dorë të kërkojë Gjirokastrën për Greqinë. Korça gjithashtu qe jashtë bisedimit, kështu që kufijtë tanë të 1913-ës u siguruan».
Athina e Beogradi ngulnin këmbë që diskutimi për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve të shtyhej, pasi shtetin shqiptar nuk e njihte as delegacioni francez( !). Lordi Cecil kundërshtoi fuqishëm:
«Vonesa në të tilla çështje kaq të ngutëshme është një krim kundër njerëzimit…Ne nuk kemi të drejtë të luajmë me jetën dhe lumtërinë e këtyre njerëzve, duke ndjekur mënyrat e diplomacisë së vjetër» (të kujton të njejtin qëndrim për Pavarësinë e Kosovës sot).
Më 16-18 nëntor 1921 Mit’hat Frashëri, në mbrojtjen e zjarrtë të Kosovës, zhvilloi një debat të ashpër gjithashtu me delegatin serb M. Boshkoviç, i cili bëri jehonë të mprehtë. Më tej i dërgoi një Notë të veçantë sekretarit të Përgjithshëm, E. Dummomd, e ai e shpërndau atë në tërë Këshillën e Lidhjes së Kombeve.
Mit’hat Frashëri kish kërkuar po ashtu, gjer te Presidenti Vilson, që të mënjanoheshin intrigat e pandërprera të fqinjëve shovenë. Dhe Lidhja e Kombeve ahere vendosi:
«Cdo program ndihmash për Shqipërinë të zbatohet nga një Organizëm Ndërkombëtar ku të mos marrin pjesë shtetet që kanë interesa të drejtpërdrejta në atë shtet» (kuptohet, Athina e Beogradi, vrasëse historike të kombit shqiptar, as nuk duheshin afruar në punët e Shqipërisë. Në të kundërt, sot Greqia është bërë kolonizatore e hapur e saj, në çdo qelizë të jetës, duke e shpërbërë e përvehtësuar plotësisht).
Për fatin e atdheut të tij Mit’hat Frashëri bashkëpunoi dhe me dijetarin zviceran me emër, antropologun Eugjen Pittard. Atij i kërkoi që t’i bënte parathënien e veprës së njohur «Shqiptarët mes tyre dhe jashtë atdheut». Me ndërhyrjen edhe të burrështetit Justin Gottard, mik i afërt i tyre, ai e shkroi parathënien, e mes të tjerash aty këshilloi që shqiptarët së pari duhet të shihnin nga Amerika, sepse:
«Presidenti Vilson sot është arbitri i botës. Ai gëzon shkallën më të lartë të shefit të drejtësisë. Unë dëshiroj megjithë zemër që ju shqiptarët ta bëni atë që të interesohet për historinë dhe fatin e Shqipërisë. Ai gjithashtu do ta kuptojë, si gjithë aleatët së bashku me të, vërtetësinë e të drejtave tuaja”.
Më tej, në bashkëpunimin e mikut zviceran me M. Frashërin Kryqi i Kuq që për “Atdhe” krijues ka Zvicrën erdhi dhe në Shqipëri.

**
Si çdo atdhetar i shquar, Mit’hat Frashëri i ndiqte me vëmëndje tragjeditë e pandërprera mbi Shqipërinë. Ato ai i lidhte jo vetëm me armiqësinë e fqinjëve, por dhe me ndihmën, si në një pazar ku tregëtoheshin popujt, që u jepte atyre diplomacia europiane. Përshkrimet e ngjarjeve të tilla tingëllojnë dhe si elegji të cilat, më shumë se lotët thërrisnin përkushtimin për të mbrojtur veten.
“Cdo ditë lindëte një lajm i zi nga gjiri i atyre që peshonin dhe ndanin fatin e popujve–shënon Mit’hati – Traktati i Fshehtë i Londrës po rrinte kurdoherë varur si një shpatë mbi kryet e Shqipërisë, e ai Traktat donte të thoshte coptimi dhe çdukja jonë…Kryetari Vilson kish shpallur që nuk njihte, nuk pranonte marrëveshje të fshehta dhe nuk jepte leje që zihjet dhe rivalitetet mes Serbisë së re dhe Italisë të ndreqen mbi kurrizin e Shqipërisë”.
Më tej shkruan:
“Mbi kërkesën e Rusisë e të Francës u parashtrua coptimi i Shqipërisë në Traktatin e Londrës; por këtë coptim e ndaloi Vilsoni, kundër Lloyd Xhorxh e Klemansoit”. E më tej për masakrat e shovenëve:
“Këto tmerre u injoruan, bile kaluan pa u vënë fare në dukje. Shumë pak persona të së ashtuquajturës botë e qytetëruar’ u shqetsuan për këtë. Disa syresh dhe i duartrokitën, duke u përpjekur t’i quajnë ato si një veprim civilizues të Greqisë…Kujdesi i të fortëve ishte vetëm për fqinjët më të mëdhenj! Shqipëria e vogëlsuar qe e dënuar të vogëlsohet edhe ca”.
Me pikëllimin e fqinjit të vërtetë fisnik e me një dhimbje të çiltër njerëzore, gjetkë ai shprehet:
“Gjithë fqinjët, tërë shtetet që i kemi pranë na dualën armiq, keqdashës…dhe Fuqitë e Mëdha, pak a shumë të largshme, nuk na doli asnjë mik, asnjë ndihmës dhe dashamir”.
Gjersa mbronte të drejtat e vëndit të tij, te diplomati Mit’hat Frashëri nuk kish ndjenjë përuljeje ndaj të mëdhenjve, i trëmbur se mos zemërimi i zyrtarëve europianë i hiqte kolltukun në Tiranë! Ai u foli qartë Fuqive të Mëdha: “Politika ka arsyet dhe të drejtat saj, të cilat nuk mund të rrëzojnë as tonat”! Ai qe i ndërgjegjshëm si personalitet kombëtar, e këtë e mbështeste në dy shtylla të sigurta, siç shprehej:
“Ndërgjegja e kombit filloi të mbështetet në simbole flamuri dhe Mbreti…Por njeriu shumë herë çmimin e një së mire e ndjen vetëm kur i del nga dora”.
Gjykimet i lëvizin në strukturën e valëve të detit: aty me qetësi diplomatike, aty me zëmërim Shqiptarësh të fyer, e ai lëshon mendimin, sa të qetë dhe të vendosur: ”Duhet ndrequr një gabim i tillë, i shkaktuar nga dashamirësia e tepëruar ndaj Greqisë zhurmëmadhe”!
Më e keqja qe, se kjo dramë luhej si nga Jugu dhe nga Veriu. “Sllavët nuk bëjnë tjetër, plotsonte ai, veç kopjojnë proçedurat greke, kur ata me qëllim i marrin shqiptarët për turq, me synim për të hapur kështu mendimin se ata janë të huaj të ardhur nga Azia, vënd në të cilin duhet të kthehen përsëri”! Shpifja teorike nxjerr fytyrën e qëllimit praktik:
“Katër shtetet e Ballkanit e shihnin veten e tyre si trashëgimtarë të Turqisë, i të gjithë tokës turke bashkë me truallin qe e sundonte shqiptari prej mëse 40 shekujsh”.
Me logjikën e mbrapshtë fetare të tyre, Athina e para e Beogradi më pas i nisën dhjetra mijë shqiptarët në thellësi të Anadollit. Mit’hat Frashëri gjykon me ironi të mprehtë, e këtë ia drejton dhe Europës:
“Të çosh çamët në Turqi, është njësoj si të syrgjynosësh irlandezët në Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezët edhe polakët janë katolikë, e prandaj qënkan të një kombësie”!
Logjika e Mit’hat Frashërit edhe lojën shovene me letrën „turke“ e çvlerësoi bindshëm. Ai spjegon:
“Shqiptarët muarën fenë e mundësve jo nga shtrëngimi e me pahir, po vetëm me qëllim që të bëhen dhe ata baraz e shokë me turqit…Disa prej zotërijve u bënë myslimanë që të mbeten me venome, të mos vuajnë nga madhështia dhe keqësia e zaptonjësit” (ka mundës të Shqipërisë, po jo mundës të shqiptarëve- thotë Fishta).
Megjithatë, në tërësi shkrirje kombësie nuk ka dhe kufijtë, shpesh me lumenj gjaku, mbeten të dallueshme. “Autoritetet e Stambollit donin të na orientalizonin me fenë, me bindjet politike, me shkronjat e tyre; e ne kundërqëndronim, se e njihnim që nuk kishim gjë të përbashkët me Orientin”.
Me mllefin e tërë shqiptarëvë gjithësesi të dhunuar e të fyer prej të gjithëve, Mit’hat Frashëri gjykon:
“Dihet mirë verbëria e turqve dhe kokëfortësia e marrë e tyre në zellin për të shtypur frymën kombëtare shqiptare…”, dhe pohon të vërtetën e njohur botërisht:
“Myslimanët e krishterët në Shqipëri mirëkuptohen e nderojnë njeri tjetrin se ata e dinë që rjedhin nga i njejti trung, flasin të njejtën gjuhë, kanë të njejtat zakone, ruajnë të njejtat kujtime nga e shkuara dhe kanë të njejtat aspirata e ideale”.
Te fqinjët fshihet e kundërta, siç e njihte mirë Mit’hati dhe e spjegonte në rrënjë: “Përveç klerit grek, u panë gjithashtu dhe sllavët të lidhen me autoritetet turke dhe të kërkojnë persekutimin e shqiptarëve…Ishin shqiptarët ata që e mundën Turqinë, dhe tani armiqtë e kësaj Shqipërie vrapuan ta coptojnë e iu hodhën atyre, që të ndajnë plaçkën pa pyetur hanxhinë…Lufta turko-ballkanike në fakt kish filluar jo në vjeshtën e v. 1912 por 3 vjet më parë, në v. 1909 kur filloi ekspedita e famëshme turke në Kosovë…Katër aleatët (Serbi, Greqi, Mal i Zi e Bullgari) arritën jo për të coptuar të mundurën, Turqinë e sëmurë të Carit, por fitimtarin e një dite më parë, Shqipërinë, me cilësinë e saj të dyfishtë – si kombi më i vjetër, si dhe për luftën që kish bërë”.
Busull të diplomacisë së tij ai kish të drejtën. Asnjëherë nuk mbylli sytë as para ligësive të shtetarëve turq ndaj shqiptarëve. “Projekti për dëbimin e 5000 çamëve drejt Turqisë qe rezultat i pazarit mes Turqisë e grekëve, të cilët në këtë çështje kanë interes të përbashkët”- shkruan ai.

**
Trashëgues i familjes së shenjtë, Shqipërinë ai herë e shihte me gëzimin e nënës mbi fëmijën që ngrihet më këmbë, herë me shqetësimin e saj kur fëmia është i sëmurë. Në një vënd shkruan saktë e bukur:
“Pushtimet e huaja kishin qënë një ilaç i çmueshëm për të formuar ndërgjegjen kombiare…Një erë e re po fillon për shqiptarët, një erë me nacionalizëm të pastër, me një solidaritet më të ngushtë vëllazërimi, me dhëmbshuri”.
Por ata nuk duhet të harronin se ç’kundërshtarë të jashtëm e ç’gjëndje të brëndëshme kishin, e për këtë Mit’hati këshillonte me mprehtësi:
“Të lindur pa fuqi për mbojtjen e trashëgimit të stërgjyshëve, shqiptarëve s’u paraqitej veçse fuqia e drejtësisë…na shtrëngonin të ngrinim duart drejt të mëdhenjve! Mamitë që kryenin lindjen tonë kishin kujdes fare të kundërt, dhe jo kurdoherë kujdesin e gjallimit të foshnjës”. E më tej, po kaq bukur, si prozë arti e filozofie bashkë:
“Lufta e madhe për Shqipërinë mund të krahasohet me një dimër të gjatë dhe, sikundër fara mbin nën dëborën shterpë, ashtu dhe ideja patriotike pati kohë të lëshojë rrënjë e të forcohet…Vuajtjet janë jo vetëm një shkollë e mirë, por e vetmja shkollë. Shpesh herë duhet bekuar fatkeqësia! Dhe mund të themi se kështu ngjan me kombin tonë”!
Ai i pa me adhurim e si mrekulli shqiptare Kongresn e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës të cilat i turpëruan e i shpërbënë intrigat e fqinjëve e të Fuqive të Mëdha për t’i rëmbyer përfundimish Shqipërisë pavarësinë politike dhe tërësinë tokësore. Për këtë ai frymëzon më tej idenë se kombet janë si njerëzit, – ç’vlerë t’i vënë vetes, atë vlerë do kenë dhe nga të tjerët:
“Pas atyre ngjarjeve, Konferenca e Paqes më nuk guxoi të verë në bisedim cënimin e këtyre dy të drejtave. Më 1912 ish shfaqur te shqiptarët një besim i rrezikshëm e fort i dëmshëm sipas të cilit Shqipërinë s’e bënë shqiptarët por e bëri Europa(!)…Meqë na bënë të huajt, ahere ne më s’na binte ndonjë barrë, ndonjë detyrë!…Gjykim i vdekshëm që vret e shkatërron çdo përgjegjësi për një komb. Kurse tani, më 1920 Shqipëria u bë, u krijua, u gatua jo vetëm prej vetë shqiptarëve po dhe kundër Europës, kundër gjithë pushteteve dhe kombeve të mbështjella rreth Konferencës së Paqes. Simpatia nuk vonoi të vijë, kur bota pa se shqiptari përpiqet për veten e tij” (zëri flet dhe për Pavarësinë e Kosovës sot, fatin e së cilës në radhë të parë e përcakton vendosmëria e të zotëve, duke ia prerë shpresën çdo pazari pas krahësh që ka zënë të thuret me hamëndjen se nuk do kenë shumë kundërshtim, se në diplomaci trysnia i bëhet atij që lutet me gjysëm zëri).
Mit’hat Frashëri shqetësohej kur kujtonte se me sa shumë zhurmë e mjete propagande e ushqenin fqinjët shovenizmin e tyre grabitës “me shtypin, me librat, broshurat, gazetat dhe revistat, me fotografi, piktura dhe harta të botuara me mijë-milionë ekzemplarë. Mjerisht ne këto mjete nuk i kemi njohur akoma mirë…”.
Në banesë të tij, si dijetar i vërtetë ai kish mbi 18 mijë libra, bazë e një antikuari dhe albanologjie, ndër më të pasurat në Europë. Me to, donte të ngrinte për kombin e tij një Tempull albanologjik, Të parët që iu përgjegjën, qenë arsimtarët e Shkodrës (përsëritën penën prej floriri që dikur gratë e Shkodrës i dërguan dhuratë shqiptares së ndritur Elena Gjika). Mit’hat Frashëri, i prekur në shpirt iu përgjigj:
“Falënderoj 57 arsimtarët që kanë nënëshkruar letrën mirënjohëse e cila më ka mallëngjyer tepër. Sa herë që kam menduar se ku do t’i gjenj shërbestarët e Tempullit që do ngrihet, mëndja më ka shkuar te ju, arsimtarët” (1929).
Është e habitëshme, por e qartë tanimë, se as “Qeveria Demokratike” nuk çau kokën që të paktën Bibliotekën Kombëtare ta pagëzonte në emrin e tij të ndritur. Ajo kish nevojë për të, jo ai. (Mark Tven thotë se një nderim më mirë ta meritosh pa e fituar se ta fitosh pa e merituar! Prapa më vjen historia – tha Ismail Qemali për gjithë të mëdhenjtë).
Më tej Mit’hat Frashëri ngrë zërin (zë veçanërisht i domosdoshëm në kohën e sotme):
“Do të dalë, vallë ndonjë i pasur, ndonjë i letrave dhe i letrarëve që të ketë trimërinë sa të marrë në mbrojtje të tij botimin rishtaz të librave të bëra të rralla e të pagjetëshme dhe të dorëshkrimeve të ruajtura prej një fati shumë të mëshirshëm, por që janë kurdoherë në rrezik të humbjes?..” Është një e vërtetë se sot krijuesit e publicistët, sa më të aftë e të përkushtuar që të jenë për Shqipërinë, janë dhe po aq të varfër dhe të pambrojtur. Do qe ogur i madh për Atdheun, nga më jetikët sot, sikur ata që kanë t’u rrinin afër atyre që krijojnë.
Si shumë figura tonat të shquara, edhe Mit’hat Frashëri burim të fatkeqësive sheh përçarjen e shqiptarëve. Ai i ngrë lart ata si “madhështorë nga liria dhe trimëria » ; megjithatë në përplasjet e vesit me virtytin, i pari e bren më lehtë të dytin nëse i zoti nuk e ushqen atë me mënçuri e flijim. “Tani vdes me ngadalë, cangaca e me një vdekje të hidhur- shkruan ai- tani të bëjnë skllav me veglat e diturisë e të marrin kafshitën e gojës…Për një komb të vogël e të dobët si ne, kjo ndarje dhe çarje është një e vështirë e madhe, një rrezik i vërtetë që s’mund ta shikojmë me gjak të ftohtë”.
Këtë gjykim e përforcon më tej me një qortim të matur gjithësesi, por me një rëndësi të madhe dhe për ditët e sotme, në gjëndjen e Shqipërisë e të Kosovës veçanërisht:
“Të ligën më të madhe e sjellim vetë duke u bërë veglat e të huajve, e atyre armiqve që na kanë mbështjellë si një rreth prej flake…Mos ju vijë çudi pse quaj veten tonë më të madhin armik!…S’është gjë e mirë që njeriu të shajë veten e tij, po unë s’e shaj, e qortoj. Po që s’e mbrojta unë veten time, asnjeri nuk çan kokën për mua! Kur të jesh i zoti dhe i mirë, ahere gjen edhe miq, dhe mbrojtës!..Ahere dhe armiku druhet e hiqet prej teje, është i shtrënguar të të respektojë e të të nderojë…Kur i ke vënë spatën dhe kazmën themelit të shtëpisë sate, edhe më i miri i miqve të bëhet armik, ahere dhe ai shikon qysh të marrë një copë prej trashëgimit tënd, qysh të këputë ndonjë tra prej shtëpisë sate”!
Reflektorin e qortimit e përqëndron më saktë te psikologji të veçanta të cilëve zëmra u rreh te xhepi e autori i skicon me penë shkrimtari:
Të tillët, “sikur t’i shtrëngosh dhe ca më tepër, do të thonë se mjaft është dhe fshati i tyre, dhe shtëpia me kopështin! Pa u mejtuar të gjorët, që një Shqipëri e cila nuk ka kufijt e saj natyrorë, etnikë e historikë, s’mund të rrojë, s’mund të lulëzojë…Kemi nevojë që çdo shqiptar të bindet se rrojtja e tij dhe interesi i tij janë lidhur dhe të pandarë prej Shqipërisë, sido që të jetë kjo Shqipëri…Kërkojmë armiq të huaj kur ne i kemi në shtëpi”!
Megjithatë Mit’hat Frashëri është fisnik dhe në qortimet e tij. Me ujin e ndotur të magjes ai nuk hedh poshtë dhe foshnjën. Ai ka besim perëndie te njeriu, e nëpër të metat, i këshillon shqiptarët:
“Veç mos kini sy e vështrim vetëm të ligat e të metat tuaja…shikoni dhe anët e mira! Përpiquni të paksoni të parat dhe të shtoni të dytat. Ai që kërkon të ndreqë botën, le të nisë në krye nga vetja dhe nga familja e tij”.
Ai këshillon më tej njerëzisht e zyrtarisht:
“Edhe një shqiptar i vetëm, kudo që të jetë e sido që të ndodhet, ka rëndësinë më të madhe, nga shkaku se jemi një komb i vogël, i pakët nga numuri…Edhe kombet më të mëdhenj marrin më të madhin kujdes që gjymtyrët e tyre të ndara nga trupi i madh të mbeten moralisht e kombësisht të lidhura, të mos harrojnë gjuhën e ndjenjat, të mos shuhet në zemër të tyre dashuria e vëndit”!
Duke qënë për sovranitetin e Shqipërisë, ai është në të njejtën kohë për qytetërimin e saj. Ai e thumbon si të larguar në kohë shpirtin vetëm për luftë kur kërkohet punë. E shpreh me humor të bukur gjykimin: “Duam të dridhemi kur fillon lufta dhe të na zërë ethja kur kërcet”, e vazhdon:
“Puna na hyjëson, na bën të pandehim perëndi veten tonë. Na bën që veten ta shohim si hero, si xhind, si demon, si Demiurg, si Perëndia vetë!..Në më thënçin si Arkimedë të rinj, se pika e mbështetjes është paraja, do përgjigjem: Jo vetëm pikë e mbështetjes po dhe maniveli që mund të kthejë botën, s’është veç inteligjenca”.
Si vijimësi logjike mendimesh, vjen dhe gjykimi i Mit’hat Frashërit (e citojmë si të afërt dhe te zgjedhjet e sotme elektorale në Shqipëri plot ethe kolltuku):
“Tek ai që është në fuqi vjen dëshira ta quajë pozitën e tij si një të drejtë, një pronë të trashëguar prej gjyshërve dhe të kërkojë të mbahet me pahir, të mos e lëshojë vëndin tek ay që duhet të vijë pas tij”.
Kundër kësaj psikologjie karieristësh histerikë që në të vërtetë vazhdojnë praktikën e shtetit të diktaturës, Mit’hat Frashëri flet që më 1908 në shkrimin “Njeri i Madh – Vashingtoni”: “Amerikanët i dhanë titullin Shpëtonjës i Mëmëdheut…Disa deshën t’i japin kurorën Vashingtonit e ta bënin mbret, po Vashingtoni e shtyti këtë mëndje me ndohtësi, duke qënë se qëllimi i tij kish qënë të lirojë vëndin e tij dhe jo të bëhej mbret! Kur vdiq, u tha për të: I pari në luftë, i pari në paqe dhe i pari në zemrat e popullit të tij”.

**
U end nëpër botë, e ngado ngriti “Shqipëri” edhe atje ku ajo mungonte. Puna e çoi më shumë në Zvicër, e ai shkruan në “Kujtimet” me nderim për vëndin mikpritës e me pikëllim kur krahasonte me të vëndlindjen:
“Zvicrën e kisha gjetur si një copëz të vëndit tim, po sa të qetë, sa të lirë! Sa erë lirie dhe njerëzie frynte në ato male, kur në tanët po endeshin më të shëmtuarat e ngjarjeve!”
Ishte në Gjenevë, e kujton:
„Liqeni Leman, një nga më të bukurit e liqeneve të dheut…i butë dhe i qetë si sy i një foshnje që nuk ka bërë kurrë ndonjë faj…Volteri thotë se Liqeni i Lemanit është më i bukuri liqen i dheut! Por dhe një udhëtar anglez që ka parë shumë vënde, thotë se nuk ka parë kurrë një liqen të bukur si ai i Ohrit, pra s’ka dyshim që Volteri s’do kish folur ashtu sikur të kish qënë në Ohër a në Starovë“!
I fortë si karakter në mbrojtjen e Shqipërisë dhe i butë në ndjenja si njeri i brishtë, Mit’hat Frashëri të kujton bronzin – një shkrirje e bakërit të fortë me kallain e butë. I tillë, ai qe i tingullt në zë dhe i tejdukshëm në shpirt. Mjafton të kujtosh disa reshta nga letrat që i drejtonte mbesës së tij shumë të dashur:
“…E di sa të dua! Ty të kam patur gjithënjë si çupë, se ti më ke dhënë gjithë dashurinë që do më kish dhënë fëmia ime sikur të ma kish falur Zoti…Bëhu e urtë dhe e ëmbël me çdo njeri se ëmbëlsia zbut dhe më të keqin e njerëzve!..Shumë herë një fjalë e vogël shpik një trazim të madh. -Mejtohu pa fol!-është një fjalë që do shkruar me flori!…letra jote më mbushi me gaz, se më kujtoi ditët kur të tundja në djep…Bleta, milingona dhe dallëndyshja duhet të duken përtace përpara një zonje amvisë!..te librat do gjesh ca orë dhe ca mëndje të ëmbël…Zëmra e një gruaje të vërtetë duhet të jetë si një vesë që njom dhe ngjall lulen, si një melhem që pushon dhëmbjet!..Me rastin që të shkruaj ty, gjej dhe rastin që të derdh tepricën e psherëtimave»…
**
Italia Fashiste sulmoi Shqipërinë (7 prill ‘39). Gjithëshka lëvizi në skemat e gjykuara më parë nga Mit’hat Frashëri e figurat e tjera të shquara si Konica me shokë. Histeritë dhe servilizmat e Fuqive të Mëdha krijuan lojrat a tyre të armëve me dramat e popujve brënda.
Nacionalistët iu përgjigjën menjëherë gjëndjes. Që në ditët e para të prillit, formohet në Tiranë një Komitet i Rezistencës, kryesuar nga Mit’hat Frashëri. Ky Komitet u kthye në “Balli Kombëtar”. Komunistët zhurmuan 50 vjet propagandë, për të ‘privatizuar’ udhëheqjen e luftës dhe të fitores mbi fashizmin. Por e vërteta e bën të mjerë dëshirën e tyre. Ata u kujtuan të luftojnë pas dy vjet e gjysëm pushtimi, pikërisht ahere kur iu sulmua mëma e tyre, Rusia! Jo rastësisht te vepra dokumentare “Gjaku i tradhëtuar” Miladin Popoviç pohon: “Komunistët shqiptarë, që nga pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste e deri në nëntor 1941 s’kanë luajtur asnjë rol në lëvizjen e brëndëshme të popullit shqiptar” (e shkruar e zeza mbi të bardhë, kundër dëshirës së tyre).
Megjithatë, nacionalistët shihnin larg në kohë, dhe thellë në fatin e Shqipërisë. Ata thirrën për një luftë të përbashkët si vëllezër. Për këtë, me nisiativën e Mit’hat Frashërit u thirr një takim i përbashkët, nacionalistë e komunistë; e njohur si Mbledhja e Mukjes, ajo u bë në një lëndinë ku lulet e ullinjtë qenë dekori i natyrës për vëllazërinë e shqiptarëve. Në Deklaratën e hartuar, me luftën ndaj fashizmit kërkohej dhe Shqipëria etnike, me Kosovë e Camëri, siç e kish shpallur dhe Karta e Atlantikut Rusvelt Curçil, 1942.
Më 3 gusht 1943 Mit’hat Frashëri i kërkoi Nacional-çlirimtares që me forcat e përbashkëta që kishin aty të sulmohej Kruja, dhe aty të krijohej një Qeveri e Përkohëshme Shqiptare. Krerët komunistë e kundërshtuan. U bënë dhe disa goditje të përbashkëta kundër armikut, por ato shpejt u ndërprenë: emisarët jugosllavë, të tërbuar nga bashkimi i shqiptarëve për Shqipëri etnike, kundërvepruan ashpër mbi shërbëtorët komunistë. Enver Hoxha shkroi kundër-Deklaratën e zezë ku tradhëtonte kombin shqiptar duke kundërshtuar atë që kishin firmosur me dëshirën e parë të tyre: “…nëse nuk e keni shpërndarë, çirreni dhe të mos flitet më…! Për Komitetin Qendror të Partisë – Shpati” (AQSH. F. 14. dos. 11). Tradhëtia nisi të ecë bashkë me vëllavrasjen. Historiani i njohur i PK Jugosllave, Vladimir Dedier shkruan mes të tjerash:
“Kthesa u bë në Mukje…PK Shqiptare gjatë vitit 1943 filloi të ndikohet nga figurat nacionaliste dhe intelektuale të Shqipërisë…Tërë KQ i PKSH kish kapitulluar para krerëve të Ballit Kombëtar…” Autoritetet si M. Frashëri kishin hije të plotë përkushtimi për Shqipërinë. Me porosi të jugosllavëve, krerët komunistë mungesën e autoritetit do ta zëvëndësonin me shtimin e terrorit, duke vrarë nacionalistët, e më pas do ia hiqnin me radhë njeri tjetrit.
Mit’hat Frashëri po përjetonte dramën më të madhe në jetën e tij. Si i hutuar nga fijet e ngatërruara të fatit ku qenë nisur komunistët, më pas ai do të shprehej si një orakull tragjik:
“Shumë gjëra ndoshta na kanë ardhur si një fatkeqësi e zbritur prej qiellit, ose e buçitur nga zjarri i skëterrës”!
Në përballimin dhe mundjen e fashizmit Mit’hat Frashëri nuk qe vetëm për bashkimin e shqiptarëve, po dhe për bashkëpunim të popujve të Ballkanit, me kusht që secili të qe zot i vëndit të tij. Ai Shqipërinë etnike e kërkonte me referendumin për vetvendosje të trojeve të prera, siç e kish shpallur vetë Rusvelti e Curçilli në Kartën e Atlantikut (po për fat të keq e për pabesi të autorëve të mëdhenj, pasi u ndjenë ngrohtë për vete, “Atlantikun” e fshinë me anë të Jaltës, në vënd që tokën e Jaltës ku do uleshin si të fituar ta pastronin me ujrat e “Atlantikut” të premtuar)!
Mit’hat Frashëri në krye të qëndresës nacionaliste u ndodh brënda një drame tepër të vështirë. Ai qe i bindur nga përvoja dhe historia, se emisarët sllavë vinin që fitoren mbi fashizmin italo-gjerman të na i kthenin në pushtim prej komunizmit sllav; se shqiptarët tërë kohrat kanë ndihmuar dhe u kanë dhënë lirinë fqinjëve, kurse ky afrim i tyre me yllin e kuq që errësonte shqiponjën, kish prapavijë një robëri të re, më të gjatë e më të rrezikshme, siç e tregoi koha. Nga ana tjetër, edhe të mbytur në gjak nga pas krahësh prej terroristëve të pabesë komunistë, Mit’hat Frashëri me fisnikërinë gjenetike të të parëve bëri përpjekje me një durim mitologjik për të shmangur gjakderdhjen mes vëllezërish (do të thonim një durim dhe shpresë e tepëruar e cila u kushtoi shtrënjtë atyre dhe Shqipërisë). Ai e përcaktoi në mënyrë shkencore e profetike komunizmin si “një epidemi kolere, një sëmundje si tërbimi i qenve e cila prek jo vetëm trupin, por dhe shpirtin e njerëzve”.
Koha e vërtetoi se fashizmi dhe komunizmi janë binjakë bastardë lindur nga llumi më i ndotur i shoqërisë. Për më tej, komunizmi është më ngjitës gjer në shkallën sa ai edhe duke “vdekur”, riprodhon vetveten (si në Shqipëri sot). Fashizmi erdhi nga sipërfaqja histerike e njerëzimit, si një re breshëri nga lart që bëri një gjëmë e kaloi; kurse komunizmi është një ngricë e hidhur nga poshtë, me pushtet më të gjerë e me gjëmë më të gjatë.
Këtë Mit’hat Frashëri çuditërisht e kish ndjerë me kohë; gjurmët e komunizmit ai i barazonte me shkatërrimin. Dikur pati shkruar:
“Esat Pasha u bë foleja drejt së cilës rodhën gjithë ç’mund të kish të keqe në Shqipëri. Esadistët inauguruan bolshevizmën në Shqipëri me djegie, plaçkitje e rënime; tre vjet më parë se të buçasë bolshevizma në Rusi, partia e Haxhi Qamilit e Musa Qazimit kthyen armët edhe kundër kryetarit e inspironjësit të tyre (Ismail Qemalit)…”
Me ardhjen e sundimit komunist, ai natyrshëm mori udhën e mërgimit. Megjithatë, gjersa mbylli sytë frymëmarrja e tij jetoi me ajrin e Shqipërisë. Kudo që i jepej rasti apo, megjithë shtigjet e mbyllura, rastin ai e krijonte vetë, Mit’hat Frashëri fliste për të vërtetën e Shqipërisë dhe fatit të saj.
Pas Luftës u mblodh Konferenca e Paqes. Më 28 korrik 1946 ai, me ndihmësit e tij Lec Kurti e Vasil Andoni, krerë në Ballin Kombëtar, i dërgoi Memorandumin e njohur ku mes të tjerash ngre me forcë çështjes e Kosovës, për të qënë e lirë dhe e bashkuar me Shqipërinë. Edhe si mërgimtar tragjik, prapë edhe aty ngul këmbë duke u dëshmuar Fuqive të Mëdha se Kosova “përfshin më tej se hapsirën që shtrihet në Lindje nga liqeni i Prespës deri në trojet e Kumanovës, Preshevës, Gjilanit, Prishtinës, Mitrovicës, Jenipazarit, Rozhajës, Plavës, Gucisë, Cemit e Tivarit…”.
Më 14 prill 1945, Sekretarit të Shtetit të SHBA, Eduard Sttetimus i ndriçon të vërtetën kundër shtrembëruesve sllavo-komunistë të historisë: “Në kohën kur Balli Kombëtar e Legaliteti kishin politikën e tyre të zgjuar për të arritur një mirëkuptim paraprak me grekët, një mirëkuptim që bazohej në pranimin e kufirit të 1913-ës si dhe për organizimin e një plebishiti në Kosovë e Dibër pas Luftës, në kohën kur organizatat tona po shtronin rrugën për një bashkëpunim me Greqinë, Partia Komuniste e Shqipërisë masakroi përfaqësuesit e Ballit Kombëtar te partitë revolucionare kombëtare greke”.
Koha e historisë, apo interesat e të Mëdhenjve, ndoshta të penduar për lëshimin e parë kërkuan që bllokut komunist të Moskës t’i krijohej një e çarë. U zgjodh Shqipëria. (Mesa duket, vërtetohet te Shqipëria ajo që thoshte M. Frashëri: “Asgjë në botë nuk bëhet pa ndihmën e viteve”).
Nën drejtimin e tij, më 26 gusht 1949 në Paris u shpall formimi i Komitatit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Kish 5 antarë të Komitetit Ekzekutiv dhe 11 të atij Konsultativ. Për probleme forcimi të tij, u bënë 6 javë bisedime “me miqtë e huaj”.
Më 26 gusht në gazetat amerikane u njoftua: mes të tjerash: “..Në Paris u krijua Komiteti “Shqipëria e Lirë”, i cili do ta ketë selinë në SHBA.Qëllimi i tij do jetë përfaqësimi i tërë shtresave shqiptare të cilat dëshirojnë vendosjen e një qeverie që respekton të drejtat dhe liritë e shtetasve të vet. Në këtë Komitet përfshihen personalitete të shquara shqiptare në sferën shoqërore e politike, dhe Selinë e vet do ta ketë në Nju Jork…kjo lë të kuptohet se Ministria e Jashtme e mb¨èeshtet këtë përpjekje. Mit’hat Frashëri, udhëheqesi i këtij Grupi pritet të arrijë së shpejti në Amerikë”.
Te stema në formë rrethi ndarë në katër kënde shkruhej ajo që i kërkohej kohës- V K L SH (Vdekje Komunizmit, Liri Shqipërisë). Atdheu në pranga komunizmi po mbahej në supet e bijve të tij të shquar.
Mit’hat Frashëri, ashtu si figurat e tjera të mëdha, Mbreti Zog e Abaz Kupi, do qenë në ballë të lëvizjes për rrëzimin e sundimit komunist. Sigurisht në fshehtësi, ai qe lidhur me figura të caktuara amerikane për misionin sa të rëndësishëm aq dhe të vështirë…Ditën e fundit që do të nisej te qëndra e Operacionit në Itali, befas u gjënd i vdekur në Hotel Lexington, Manhaten. Ishte e hënë, 3 tetor 1949 ora 9.25 kur ai zuri të përpëlitej me vdekjen e papritur. Me shëndet, gjithmonë kish qënë mirë. (Në një letër që i pati dërguar mbesës së shtrënjtë, shkruan: “Shëndeti ka qënë për mua e vetmja e mirë, e vetmja fuqi që më ka ndihur të duroj pamjen pikëllonjëse të ngjyrave politike”).
Mirëpo në mes kish hyrë sigurisht agjentura komuniste që nga KGB-ja me helmet e saj të zgjedhura – atak në zëmër!!…I zoti i Hotelit thirrte i shqetësuar, për ta larguar të vdekurin “pa emër”, pasi i largoheshin klientët! Në xhep i gjetën numurin e telefonit të bashkëpunëtorit amerikan për Misionin. Në atë drejtim, pasi e pyetën atë, njohën viktimën!
Në këtë ngjarje ka diçka të paqartë: si vallë mbeti i panjohur dhe nuk u njoftua zyrtarisht se kush ishte viktima, kur në krye i ndënji gjersa vdiq Talat Karagjozi, (në shtyp ai bën dhe përshkrimin e imët të orëve të fundit që vlejnë të kujtohen sado shkurt):
“Ora 12 e drekës, e diel, në Hotel, në shtrat. M’u morën mëntë! S’hëngri drekë… Ora 1.30; fërkon gjoksin, ngrihet, ulet. Nxjerr nga valixhja një kokërr. S’e qetson. Bie…I telefonoj dr. Lacit,- s’qe! Doktorë të huaj nuk deshte. Vjen dr.Laci…Kujtonte tërë shokët: „Tani, biri im,që bëmë atë thirrjen në Radio-Londra, thamë se shqiptarët duhet të jenë të denjë për të qënë shërbestarët e Shqipërisë’! Laci erdhi me z. Ilia Capullari e Nuçi Kota. I bënë injeksion. Vetëm zëmra e fortë i përballonte atë atak! Por iu përsërit. Ka arteriosklerozë të përparuar!..Lajmëroj Dostin – erdhi menjëherë. Qe më mirë, kurajoz! Falënderoi nëpër gjumë doktorin! Fjeti gjer më 7.30 të mëngjezit. Më 8.30 lëviz. Luan këmbën e krahun e majtë…9.10 prapë lëviz. E luaj-nuk flet. Kthehet nga unë, hap sytë, më bën shënjë t’i vete te shtrati; vë dorën e djathtë mbi timen; syhapët mbaroi…2.30 vjen nga Vashingtoni e mbesa, Lule Stefani me burrin…Në Sallë – veshur me rrobat e zeza nga Shqipëria. Flinte!.. Iu vunë 25 kurora. Muzika e Bet’hovenit. Arkivoli me flamur… Vjen Imam Vehbiu nga Detroiti. Nën Hymnin e Flamurit, në varrezat Ferncliff. Flet Xhevat Kallajxhiu, Sejfi Protopapa…».
Kështu iku dhe një Njeri i Madh i Shqipërisë. Në shpirt të tij ai nuk deshte ta vajtonin, në hallet që kish Shqipëria koka të mos u ulej sadopak nga hidhërimi, siç e kish lënë amanet të përgjithshëm: „Vajtimi nuk hyn në punë se sjell dëshpërim, fatalizëm! Zgjoni në popull ndjenjën e dinjitetit e të përgjegjësisë së njeriut, të punëve të tij!..Cdo shqiptar sot gjëndet para gjykatores së historisë. Historia po na gjykon“!
Shteti komunist i Tiranës sigurisht bëri festë. Vite me radhë Shqiptari i Madh që u shkri si rrallëkush për Shqipërinë u mbulua me mallkime e fyerje si ‚antishqiptar’(!).. Një Fjalor Enciklopedik e cilëson me epitetet e shëmtuara e të mjerueshme – «bashkëpuntor fashizmi, agjent anglo-amerikan(!)…“
Kujtojmë, bota edhe raste më të rënda gjatë Luftës kundër fashizmit në vëndet e tyre i kaloi si mbi vaj ulliri. Dihet, Gjen. Peten i Francës i hapi krahët Hitlerit, i dha divizione të tëra ushtarësh, krijoi qeverinë e Vichy-t përnaziste, i thirri zyrtarisht popullit që të mos kundërshtonte…Në fund të Luftës, pas një gjyqi prej operete, u dënua me izolim në ishullin „Syri“! Kurse Enciklopedia La Rousse, 1989 e vlerëson më tepër me meritat e kaluara: „…mareshall i Francës dhe burrë politik francez…Prof. në Shkollën e Luftës (1901-10) ku këmbëngulte për rolin vendimtar të rolit të artilerisë…Fitimtar në Verdun (1916); kish praktikë të shkëlqyer në karierë…ngriti moralin e tyre (ushtarëve) e i udhëhoqi në fitore (1918); U bë Ministër Lufte (1934) Ambasador në Madrid (1939)…me plot pushtet në Asamblenë Kombëtare ai; 80 vjeç, bëhet shef i shtetit francez në Vichy gjatë pushtimit gjerman…duke kërkuar të rifitojë Francën…e të dalë para Gjyqit të Lartë të Drejtësisë…“ (At Anton Harapi gjatë gjyqit komunist të pushkatimit pëshpëriti i habitur: „Kurse Peteni nuk u pushkatua…“!).
Latinët thoshnin: „Vëndet e ashpër nxjerrin virtyte të mëdha“. Mit’hat Frashëri u ngrit në lartësinë e gjeniut. Jetën e shkurtër, të ndërprerë ai e rriti me vepra të mëdha. Jeta e njeriut ka energji të pashtershme kur ai do dhe çmon të parët e tij të mëdhenj të cilët i mban në shpirt. Që në të ri Mit’hat Frashëri shkroi:
„Sa më shumë të njohim njerëzit e famshëm tanët aq më tepër do kemi respekt dhe dashuri për kombin, aq më të mëdha shënja dhe shëmbulla do na shfaqen që të mund të ndjekim gjurmët e tyre dhe të rrëfehemi djem e nipër të zotë“.
Është radha jonë ndaj Mit’hat Frashërit e njerëzve si Ai, e këtu na rri përpara gjykimi i Molierit: „Marrim pjesë në lavdinë e të parëve vetëm ahere kur mundohemi t’u ngjajmë“.