Mihali, miku i kryeministrit !!!

Nga Nebil Çika

Media shqiptare madje edhe ajo ndërkombëtare janë marrë shumë këto ditë me një incident të shëmtuar ku pronari i një lokali në Qeparo të Himarës sulmoi fizikisht disa turistë spanjollë pas një mosmarrëveshje midis tyre për shërbimin. Sigurisht që skandali i kaloi përmasat e tij për shkak të reagimit të veçantë të qeverisë pasi incidente të tilla kanë ndodhur edhe më parë. Abuzimet e pronarëve të lokaleve janë denoncuar në rrjete sociale e media por viktimave të mëparshëm nuk ua ka varur njeri e jo më t’iu çojë lule ndonjë ministër. Por rasti i Mihalit, pronarit të “Panoramës” në Porto-Palermo është disi specifik jo vetëm për shak të incidentit por edhe për shkak të cilësive të palëve të përfshira në të. Pronari i lokalit është një mik i njohur i kryeministrit Edi Rama dhe një militant i vijës së parë i PS-së në zonë. Për disa zgjedhje rresht që nga kandidimi për herë të parë në qarkun e Vlorës së Edi Ramës , “Panorama” ka qenë qendër politike e elektorale, gjë që e dinë mirë banorët e zonës por edhe gazetarët. Mihali, deri para incidentit, kishte statusin e privilegjuar “miku i Kryeministrit “ apo Kolekës siç e thërrasin në mbiemër të nënës në Himarë, Edi Ramën. Dhe kuptohet, një mik i Kolekës mund të bëjë çfarë të dojë dhe nuk guxon askush ti thotë një gjysmë fjale. Nën ketë status Mihalit nuk i hynte njeri në sy edhe pa i bërë gjë e jo më ti shkojë në lokal e ti vëjë në dyshim shërbimin. Në zonë nuk “kruhej” kush me të. Dhe sjellja e tij me spanjollët nuk është se ndryshoi nga sjellja me klientët e tjerë por kësaj radhe klientët ishin të huaj dhe nuk e dinin Statusin e Mihalit, mik për kokë i kryeministrit. Prandaj edhe reaguan normalisht duke e vënë Mihalin para një sfide që ai nuk ishte mësuar ti bënte ndokush deri atë ditë. Mirëpo për fatin e keq të Mihalit qëlloi që klienti të ishte një spanjoll shumë i pasur dhe me shumë influencë ne vendin e tij. Ky status i viktimës vuri në vështirësi kryeministrin të cilit i duhej të zgjidhte midis mikut të tij Mihalit apo spanjollit të fuqishëm dhe sigurisht që do të zgjidhte këtë të fundit. Dërgoi ministrin me tufë me lule te turistët spanjollë, arrestoi Mihallin, i bllokoi biznesin … por historia vazhdon. Mihali nga salla e gjyqit ku u vendos arresti në burg deklaroi sërish me krenari statusin e tij: “jam miku i Edi Ramës”, megjithëse kësaj here miqësia nuk i bëri punë. Kaq u desh që vet institucionet e mediat e qeverisë të nxirrnin të pa larat apo përfitimet që kishte përfituar Mihali si mik i kryeministrit. Lokali është i ndërtuar pa leje, nuk ka licencë, nuk paguan tatime e të tjera si këto. Këto gjera Mihali nuk i bëri ditën e sherrit me turistët spanjollë, ai kështu kishte funksionuar që nga viti 2013 kur Rama edhi në pushtet. S’kishte si të ndodhte ndryshe ai ishte miku i tij! Por Mihali si shumë militantë të tjerë nuk e kishte vetëm mik por edhe idhull e model Edi Ramën. Dhe brenda hapësirës së tij ai sillej një soj si Edi Rama, domethënë nuk pyeste për asgjë dhe për askënd. A nuk sillet edhe Edi Rama kështu me shqiptarët. I vendos çmime e taksa nga më të lartat e rajonit, i dhunon e i fut në burg kur nuk paguajnë taksat apo faturat e kripura të ujit dhe energjisë elektrike, rrugëve etje. Iu shkatërron shtëpitë e pronat me leje e pa leje (përveç Mihalit dhe miqve të tjerë tij deri sa e kanë këtë status) i dhunon e i burgos kur protestojnë ndaj padrejtësive të tij. Pyetja ime dhe e çdo njeriu normal sot është: Çfarë ka bërë Mihali në sherrin e tij me turistët spanjollë ndryshe nga Edi Rama në sherrin e tij me shqiptarët. Unë nuk shoh ndonjë ndryshim, përkundrazi Mihali ka ndjekur me fanatizëm sjelljen dhe modelin e mikut të tij kryeministër. Ajo që nuk ka llogaritur mirë Mihali është fakti se masa dhe koha e miqësisë së tij me Ramën përcaktohet nga ky i fundit. Dhe Rama miqësitë por edhe të tjera gjëra i ka në funksion të pushtetit, Mihali nuk është as i pari e as i fundit, mik e militant që i del për hundesh miqësia me Edi Ramën. Por si të gjithë militantet Mihali as që e mendonte dot këtë. Kushëriri i tij Koço Kokëdhima kishte pësuar te njëjtin fat ,vite më parë.