M’i jep ato dy varre

Nga Albert Avduli

Titull i tillë duket i kobshëm, përtej vdekjes.
Hadi, mbretëria e errësirës, s’ka qirinj.
E di që ju krijova ndjesi të zymta, por kjo ishte kërkesa e dikujt ndaj dikujt.
Miku im (po e quaj Z), është pinjoll i një familje të madhe fisnike.
Komunizmi i vrau, i internoi, i burgosi.
Vetë Z, tentoi të arratisej.
E kapën në kufi dhe u dergj burgjeve të tmerrshme.
Fati deshi që viti ’91 ta gjente ende të ri.
Integruar në jetë dhe zë i fortë në dëshmitë e krimeve të kimerave komunist.
Ai, sot është ndër ata, që nuk lodhet duke përkujtuar bashkëvuajtës.
Kryesisht është në kërkim të atyre martirëve, të cilët ende s’kanë varrin e tyre.
Është më keq nga vdekja, më thoshte një ditë.
Kujto mallkimin drithërues:
” Mbetsh pa varr !” ose “Mos t’u gjendtë varri !”
Në gjithë bisedat me të, dëgjoj vuajtje, vrasje, gjyqe, burgje, gardian, komisar dhe vdekje.
Dëgjoj dhe jetë, gaz, dasma, ditëlindje.
Z e do jetën dhe gëzimin e miqve, por edhe buzëqeshjen e të panjohurve.
Ai e do Shqipërinë, e do natyrën, do poezinë dhe letërsinë e mirë.
Në gjithë rrëfenjat e tij, kjo e para pak ditëve më ka trubulluar pa fund.
Për të lehtësuar veten nga një ngarkesë e tillë po e ritregoj për ju.
Kuptohet, dua ta shpërndajë këtë dëshmi morti, për ta bërë fluide, për ta hedhur nga pak në mendjen e shumë miqve.
Jo për të prishur gjëndjen shpirtërore të të tjerëve, por duke u nisur nga aksioma se “E keqa, me miq shumë, ndihet më pak. E mira ndihet më fort”
Më tregonte : “Kemi bërë një miqësi të re. Mbesa u fejua. Pritëm miqtë. Daja i djalit, kish qenë oficer i lartë në Ministrinë e Brendshme. U hapën gjithfarë bisedash. E dinte origjinën tonë familjare.
Më tregoi që kishte dijeni për dy të pushkatuar. Njëri ishte në veri, tjetri në jug.
Atë drekë nuk e zgjata shumë bisedën, sepse nuk doja t’i jepja trishtim gëzimit tonë.
Mbas dy a tre ditësh e ftova për kafe mikun.
I kërkova një nder të madh.
Lutem,i thashë, m’i jep ato dy varre !
Po, po , kaq i kërkova : M’i jep ato dy varre ! Familjarët e tyre do gëzohen sikur t’ju lindi ndonjë bir a nip. Më premtoi se diçka do bënte”
Z ishte i lumtur teksa më tregonte këtë bisedë.
Unë ende rrëqethem, derisa këtë mal shpirti, ta ndaj me ju.