Mendimi kritik në karantinë …

Nga Imzot  Gjergj Meta

Është koha të mendojmë jo vetëm pozitivisht, por edhe në mënyrë kritike. Kritikë do të thotë aftësi gjykuese mbi situatat, një lloj site e cila shoshit atë që vlen e atë që nuk vlen, për të zgjedhur shtegun e duhur.

Kritika nuk është qëllim në vetvete, apo më keq akoma, armë shkatërrimi kundër dikujt. Kritika është art, është mendim, reflektim dhe thellësi arsyetimi. Nëse duam të përdorim kategoritë hegeliane, kritika duhet të çojë drejt sintezës në një proces dialektik për rritjen e shoqërisë dhe të personit.

Më shumë se kurrë këtu në Shqipëri kemi nevojë për një mendim kritik konstruktiv, sidomos në erën globale të virtuales dhe të propagandës populiste ndaj të cilave nuk jemi imunë.

Duhet të lindin filozofi të reja, mendime dhe vizione të reja të shoqërisë dhe të jetës. Njeriu, çdo njeri, është i pajisur me aftësi mendimi e me aftësi kritike.

Karantina nuk duhet të përgjumë mendimin kritik, por mund të shërbejë si një kohë inkubimi e më pas të shpërthejë me të gjithë forcën e tij në art, ekonomi, politikë etj.

Ky mendin kritik duhet të përfshijë krejt sektorët e jetës, edhe religjionin apo religjionet, në mënyrë që të kemi një këndvështrim sa më realist mbi çka është esenciale për të ardhmen tonë. Po, sepse kjo kohë pandemie po na mëson esencialen. Vetëm kritika është e aftë të prekë esencën dhe esencialen.

Kritika e sinqertë prek më së pari vetveten, sepse përfundimet e saj mund të përmbysin ose të konfirmojnë struktura të brendshme të vetes tonë.
Një kritikë që është gjithmonë e drejtuar vetëm jashtë vetes është e pjesshme, përveçse e dëmshme. Sinqertiteti me veteveten është një kusht i domosdoshëm moral që kritika, në mos të zërë vend, të ketë autoritet.

Kësisoj unë e shoh mendimin kritik si një vokacion shpirtëror nga i cili nuk mund të heqim dorë pa paguar me lirinë tonë…

(s’ka mbaru!)

Ditë të bukur

D. Gjergji