“Më tregon ti mua mirësjelljen, ky është turp”, Shehi sherr me Shalsin në Komisionin e Ekonomisë 

Deputeti demokrat, Dashamir Shehi ka patur një debat me kryetarin e komisionit për Ekonominë dhe Financat Eduard Shalsin.

Në prag të mbylljes së mbledhjes së komisionit, deputeti demokrat Bujar Leskaj bërë propozimin që mendimet e Dashamir Shehit të merreshin më shumë parasysh sepse ishte një person me eksperiencë të madhe parlamentare dhe opinionet e tij do të ishin të vyera.

Por kryetari, Eduard Shalsi reagoi ndryshe nga çfarë pritej, duke bërë disa komente të cilat mund të konsiderohen si ironike që në thelb kishin ndikimin tek zoti Dashamir Shehi. Shalsi tha se nuk mund të merreshin parasysh mendimet e një personi që qeshte gjatë kohës që ish ministrja Anlia Demaj po mbante fjalën e saj dhe i kujtoi atij mirësjelljen.

Ndërsa Shehi siç duket u ofendua nga ky koment i Shalsit, teksa u ngrit për të lënë komisionin ndërsa në ikje e sipër tha se nuk mund t’i jepte askush leksione mbi mirësjelljen.

Debati në Komisionin për Ekonominë dhe Financat

Bujar Leskaj: Kisha një sugjerim miqësor, zoti kryetar. Ne këtu e respektojmë njëri-tjetrin maksimalisht, është një komision që mund të flasësh me profesionalizëm pa shkuar në degradime debatesh politike. Në kuadër të respektit reciprok duhet t’i vlerësojmë mendimet konstruktiviste të zotit Dashamir Shehi pasi ka edhe një përvojë të gjatë parlamentare dhe nuk duhet të vihet në dyshim profesionalizmi i tij. Ky është një sugjerim miqësor për ju kryetar.

Eduard Shalsi, kryetar i komisionit: Sugjerimet janë personale, gjithsesi nuk besoj se as zoti Shehaj dhe as ndonjë deputet tjetër nuk ka kërkuar avokati në këtë komision. Për mua është shumë e rëndësishme që të paktën edhe kur mos të biem dakord të mos biem në mënyrë të papëlqyeshëm. Konstatova dy fakte, thashë 2-3 shqetësime sikundër secili prej jush është i lirshëm t’i thotë. Unë kam kënaqësinë të moderoj por asnjë të drejtë mbi ju. Shpreh bindjen se Komisioni duhet të vijojë me profesionalizëm gjithmonë duke kundërshtuar njëri-tjetrin por të mos jemi të papëlqyeshëm. Nëse dikush do të ndërtojë një objeksion do bëjë ironi, do qeshi do marri një fjalë nga personi tjetër, natyrisht do ndodhë dicka. Por nuk më shqetësojnë as debatet dhe as të qeshurat sa kohë nuk janë dashakeqëse sikundër mund të jetë edhe rasti konkret.

Deputeti demokrat, Dashamir Shehi: Po ua kursej këtyre kolegëve sepse është e kotë ky moralizëm. Kryetar ti këtu nuk je kryetar fronti. Ne për gjestet e pahijshme mbajmë vetë përgjegjësi. Unë ministren e njoh që fëmijë. Nuk kam ndërmend as ta ofendoj dhe asgjë. Ky muhabet është budallik, më tregon ti mua tani se qesha unë. Më jep ti mua leksion këtu për edukatën në parlament. Është turp mor burrë.