Mbi 45 të vdekur nga zjarri që përfshiu autobusin në Bullgari

 

Autoritetet bullgare thanë se të paktën 45 veta humbën jetën kur një autobus u përfshi nga flakët të martën në Bullgarinë perëndimore.

Autobusi, me targa të Maqedonisë së Veriut, me udhëtarë që po ktheheshin nga Turqia, u dogj rreth orës 02:00 dhe në mesin e viktimave kishte edhe fëmijë, thanë autoritetet, sipas të cilëve, shtatë persona u dërguan në spital për trajtim.

Shkaku i aksidentit nuk ishte menjëherë i qartë dhe autoritetet thanë se kanë nisur një hetim.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili bashkë me zëvendëskryeministrin Bujar Osmani dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, ndodhet në Bullgari, u shprehu ngushëllime familjeve.

Kryeministri bullgar në detyrë, Stefan Yanev, vizitoi vendin e rrëzimit dhe u tha gazetarëve se kjo ishte “një tragjedi e madhe”.

“Përfitoj nga rasti të shpreh ngushëllimet e mia për të afërmit e viktimave”, tha zoti Yanev. “Le të shpresojmë se do të nxjerrim mësime nga ky aksident tragjik dhe të mund të parandalojmë ngjarje të tilla në të ardhmen”.

Në vitin 2019, Bullgaria, një anëtare e Bashkimit Evropian, me 7 milionë banorë, kishte shkallën e dytë më të lartë të vdekshmërisë në aksidente rrugore në bllokun 27-vendesh, me 89 njerëz të vrarë për një milion banorë, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ngushëlloi familjet e viktimave të “aksidentit të tmerrshëm në Bullgari”, ndërsa theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ofrojë mbështetje në çdo mënyrë që është e mundur.

Ngushëllimet e tyre i shprehën edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe komisionari per zgjerim Oliver Varhelyi.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Byrnes, ngushëlloi familjet dhe u shprehu mbështetje atyre që u plagosën në aksident.